Presidentja Gordana Siljanovska Davkova sot në Bibliotekën Nacionale dhe Universitare “Shën. Klimenti i Ohrit” mbajti fjalim në shënimin e jubileut – 80 vjet nga emërimi i drejtorit të parë dhe fillimi i punës në Maqedoninë e lirë.
Në fjalën e saj, Presidentja Siljanovska Davkova vlerësoi se BNU “Shën.
Klimenti i Ohrit” është jo vetëm një thesar shpirtëror, por edhe ambasadore i historisë kulturore maqedonase, rojtar i identitetit maqedonas dhe simbol i përjetësisë.
Ajo shprehu mirënjohjen e saj më të thellë për të gjithë ata që me sakrificën, dashurinë dhe vizionin e tyre e ndërtuan dhe u ngulitën në këtë vend të shenjtë kulturor në tetë dekadat e fundit, duke theksuar se trashëgimia e tyre, siç tha ajo, është zotimi ynë – që ta ruajmë dhe ta kremtojmë urtësinë të fjalës.
Në vijim është teksti i fjalimit të Presidentes Siljanovska Davkova.
Të nderuar të pranishëm,
Jam dakord me filozofin Klod Levi Stros kur thotë se: “Libri është substanca jetësore me të cilën ushqehemi”. E pranoj, jam e pangopur për libra.
Biblioteka Nacionale dhe Universitare “Shën. Klimenti i Ohrit” është oqean i ushqimit shpirtëror, burim i pashtershëm i njohurive, kozmos idesh, vullkan me njohuri të reja. Ajo është fener i mendjes dhe i zemrës së urtësisë.
Tetë dekada nga hapat e parë të këtij institucioni, asokohe të quajtur Biblioteka Kombëtare, me një fond fillestar prej 150 mijë librash, 50 vende leximi dhe 12 punonjës libradashës, janë tetë dekada mësimi, lufte, mosbindjeje dhe këmbënguljeje në misionin – rojtar i identitetit maqedonas, kulturës dhe kujtesës kolektive.
Që nga viti 1944, kur u kurorëzua çlirimi i atdheut dhe deri në epokën e sotme digjitale, biblioteka ka i tejkaluar vazhdimisht kufijtë e hapësirës dhe kohës.
Në momentet historike të lindjes së shtetësisë maqedonase, në mes të hirit të luftës, vizionarët e ASNOM-it hodhën themelet e bibliotekës kombëtare – tempullit të fjalëve, dhe fjalës, simbolit të rilindjes maqedonase. Në një hapësirë modeste, por të shenjtë, ajo mblodhi jo vetëm libra, por edhe ideale, vizione dhe shpresë. U bë dielli i shpirtit maqedonas, urë lidhëse midis së shkuarës dhe së tashmes, simfoni mendimesh, letrash, fjalish, fotografish dhe ëndrrash.
Ecja nëpër këtë institucion legjendar ishte një rrugë e vështirë, me gjemba, plot mundime dhe sfida. Tërmeti katastrofik jo vetëm që shkatërroi qytetin e bukur të Shkupit, por edhe shtëpinë më të madhe të librave – bibliotekën, por jo edhe shpirtin e bibliotekës dhe bibliotekarëve. Mbi gjysmë milioni libra humbën jetën. Me këmbëngulje dhe sakrifica vetëmohuese, bibliofilët luftuan për çdo dorëshkrim, çdo libër, çdo fjalë – të vetëdijshëm se po shpëtonin jo vetëm trashëgiminë kulturore, por edhe shpirtin e një kombi.
Në vitet që pasuan, pas një qëndrimi të përkohshëm në Hamamin e Daut Pashin dhe në objektin e montuar, biblioteka, në vitin 1971, u vendos në shtëpinë e saj të re, të ndërtuar me dashuri dhe respekt, një tempull kulturor. U rrit, u zhvillua dhe u inovua. Krijoi koleksione të paçmuara – atë të dorëshkrimeve të vjetra sllave ose dorëshkrimeve orientale, libra dhe periodikë të rrallë, dëshmitarë të besueshëm historikë.
Çdo pjesë e bibliotekës është një rreze nga dielli ynë kulturor, një arsye krenarie, një frymëzim.
Imagjinoni një qytet me tre milionë banorë – njësi biblioteke, dëshmitarë dhe roje të së shkuarës, krijues të vlerave të reja. Kujtoni njerëzit e parë të bibliotekës, midis tyre shkrimtarë, intelektualë, eruditë, miq të betuar të librit!
Me digjitalizimin e thesareve të veta, ky institucion po hapëron në një epokë të re. Dorëshkrimet e vjetra sllave, partiturat muzikore, hartat dhe librat e rrallë, tani janë të gjitha të sigurta, në formë digjitale, duke sfiduar harresën dhe kohën. Kultura maqedonase, e përjetësuar në këto artefakte digjitale, sot është e disponueshme kudo, duke përcjellë historinë, muzikën dhe mendimin tonë në mbarë botë.
Këtu, këto mure të mbushura me urtësinë shekullore, rrëfimet e paraardhësve tanë përcillen brez pas brezi, kurse veprat e bashkëkohësve tanë e ndriçojnë shtegun drejt të ardhmes.
Të nderuar,
BNU “Shën. Klimenti i Ohrit” është jo vetëm një thesar shpirtëror, por edhe ambasadore i historisë kulturore maqedonase, rojtar i identitetit maqedonas dhe simbol i përjetësisë.
Më lejoni të shpreh mirënjohjen time më të thellë për të gjithë ata të cilët me sakrificën, dashurinë dhe vizionin e tyre e ndërtuan dhe u përfshinë në këtë vend të shenjtë kulturor në tetë dekadat e fundit. Trashëgimia e tyre është zotimi ynë – që ta ruajmë dhe ta kremtojmë urtësinë të fjalës.
Jo rastësisht BKN “Shën. Klimenti i Ohrit” është laureat i: Urdhri “Merita për Popullin”, Çmimi “11 Tetori”, Karta e Kulturës “Klimenti i Ohrit”!
Jo rastësisht dhe jo pa arsye, në këtë shtëpi kanë banuar edhe: Këshilli Britanik, Instituti “Gete”, Qendra Kulturore Kineze “Konfuci”.
Jo rastësisht kam jetuar edhe këtu duke punuar në temën e magjistraturës dhe doktoraturën, duke shijuar botën e librit. Ndoshta prandaj i kam perceptuar gjithmonë si të miat problemet me të cilat është përballuar ky institucion unik, jam solidarizuar me librat dhe miqtë e tyre suprem e besnikë.
Le të jetë ky përvjetor i rëndësishëm krenaria, frymëzimi dhe nxitja jonë e përbashkët për kujdes të vazhdueshëm e të fuqishëm ndaj bibliotekave dhe librave, me besim se kultura jonë është shprehja më e lartë e ekzistencës sonë!
Le të vazhdojmë ta shkruajmë dhe ta lexojmë së bashku këtë histori – këtë roman “lumë”, siç thonë francezët, në të cilin dokumentohet e kaluara, pikturohet e tashmja, parashikohet e ardhmja!
Gëzuar jubileun! Jetofshi librat, qoftë e përjetshme BNU “Shën. Klimenti i Ohrit” nën mbrojtjen e tij.
Ju faleminderit.