Presidentja Gordana Siljanovska Davkova sot mirëpriti delegacion gazetarësh nga Republika e Turqisë, anëtarë të Këshillit Global të Gazetarëve, të cilët po qëndrojnë në vend me rastin e 21 Dhjetorit, Ditës së Mësimdhënies në Gjuhën Turke.
Në këtë takim, bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime mbi marrëdhëniet e përgjithshme bilaterale midis dy vendeve mike, mbi statusin e bashkësisë turke, si dhe mbi rëndësinë e gazetarisë, një nga shtyllat kryesore të demokracisë dhe zhvillimit shoqëror.
Presidentja Siljanovska Davkova në këtë bisedë theksoi se e respekton rolin e gazetarëve në luftën kundër kulturës politike patriarkale dhe famullitare, duke theksuar se ata janë rreze rëntgen, mikroskopët dhe rojtarët e demokracisë.
Në këtë drejtim, ajo i rikonfirmoi angazhimet e saj, që kishte edhe si deputete në Kuvend, mbi dekriminalizimin e akteve të shpifjes dhe fyerjes ndaj gazetarëve.
Duke diskutuar mbi multikulturalizmin në vend, Presidentja tha se koncepti i një shteti binacional nuk është një zgjidhje e mirë dhe se të a.q. Bashkësi më të vogla, duke përfshirë edhe bashkësinë turke, duhet të luajnë një rol më të madh, sepse ato janë çelësi i mirëkuptimit të ndërsjellë.
“Faktet janë se bashkësia turke është dëshmi se në vazhdimësi është pjesë e shoqërisë multietnike maqedonase dhe se ka pasur, ka dhe duhet të ketë një vend të rëndësishëm në bashkësi, siç kishte në vitin 1944”, Presidentja Siljanovska Davkova.
Duke vënë në dukje se Turqia ishte, është dhe do të mbetet mike dhe aleate e vendit tonë, Presidentja theksoi se në kushtet e një bote multipolare duhet kapërcyer eurocentrizmi, duhet respektuar republikanizmi turk dhe ndikimi që mund të realizohet ndërmjet Turqisë në botën aziatike.
Përfaqësuesit e mediave turke shprehën kënaqësinë e madhe për mundësinë e takimit me Presidenten, si dhe kënaqësinë për trajtimin e përgjithshëm të bashkësisë turke dhe të drejtat që i gëzojnë në vend.
Ata e falënderuan për bashkëpunimin që kanë me mediat maqedonase dhe shërbimin kombëtar, i cili paraqet urë për shkëmbimin e informacioneve, vlerave kulturore, rrëfimeve pozitive dhe promovimit të mirëkuptimit të ndërsjellë.