Presidentja Siljanovska Davkova mbajti fjalim në Akademinë solemne me rastin e 11 Tetorit – Ditës së Kryengritjes Popullore

11 Tetor 2024 | Fjalimet

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova sot mbajti fjalim në akademinë solemne me rastin e 11 Tetorit – Ditës së Kryengritjes Popullore, që me mbështetjen e saj u mbajt në Muzeun e Luftës Maqedonase për Pavarësi.

Në suazat e kësaj ceremonie solemne interpretoi edhe Orkestra Ushtarake e Armatës me një potpuri këngësh maqedonase patriotike dhe partizane.

Në vijim është teksti i fjalimit të Presidentes Siljanovska Davkova:

Të nderuar qytetarë,

Të nderuar të pranishëm

Në historinë e çdo populli ekzistojnë periudha trazirash të mëdha që mund të tejkalohen vetëm me vendime të guximshme. Një periudhë e tillë e zymtë ishte Lufta e dytë Botërore, kur pothuajse e gjithë Evropa ishte nën pushtimin fashist, dhe kur Hitleri dhe aleatët e tij dukeshin të pamposhtur dhe të pandalshëm.  Në kushte të tilla, më 11 tetor 1941, populli maqedonas u ngrit të marrë të drejtën e pashtershme njerëzore për t’i rezistuar shtypjes, padrejtësisë dhe pushtimit dhe me guxim, pa lëkundje, zgjodhi anën e vërtetë në luftën më të madhe në historinë e njerëzimit. 11 Tetori është momenti historik që përcaktoi të ardhmen tonë, dita kur u bashkuam me guxim dhe vendosmëri në koalicionin antifashist të popujve liridashës dhe drejtësidashës.

Lufta heroike kundër fashizmit na bashkoi, na rilindi dhe na dha legjitimitet si komb që të vetëvendosim dhe të krijojmë shtetin e lirë maqedonas në Mbledhjen e Parë të KAÇKM-së. Si një nga triumfet më të mëdha demokratike të njerëzimit, antifashizmi na mundësoi në skenën historike të jemi të barabartë dhe me vetëdije të pastër të marrim pjesë në rindërtimin e botës së shkatërruar.  Jo rastësisht, shteti maqedonas për të cilin kanë ëndërruar ilindenasit dhe për të cilin kanë luftuar antifashistët, reziston tashmë 80 vjet. E tashmja e tij dhe e ardhmja e tij janë të gërshetuar me të kaluarën e tij.

Neve nuk na çliroi askush.  U çliruam vetëm me ndihmën e Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Maqedonisë me mbi 110 mijë pjesëmarrësve në të.  Neve askush nuk na i dhuroi shtetin.  Ne luftuam vetë për të. Për ne, lufta antifashiste ishte njëkohësisht edhe nacionalçlirimtare ku dhamë 24.000 viktima.

Prandaj, ne nuk duhet të lejojmë revizionizëm hitorik dhe relativizim të luftës nacionalçlirimtare dhe antifashiste, sepse kështu do t’i rrënojmë themelet ilindenase dhe antifashiste mbi të cilat është ndërtuar shteti maqedonas.  Kështu do ta zhvlerësohej edhe sakrifica e mijërave luftëtarëve të rinj, të cilët kanë dhënë jetën për liri dhe drejtësi.  Ne nuk duhet ta lejojmë këtë gjë.

Të nderuar të pranishëm,

Si bijë partizani e di shumë mirë se babai im dhe bashkëluftëtarët e tij, në një luftë të pabarabartë me pushtuesin fashist kishin dy armë. E para ishte pushka.  E dyta ishte kënga. Disa nga betejat më të rëndësishme në luftën nacionalçlirimtare janë fituar me këngë revolucionare të cilat u kanë dhënë guxim luftëtarëve që ta zmadhojnë territorin e çliruar, ta përfundojnë Fushatën e shkurtit dhe ta krijojnë Maqedoninë e KAÇKM-së.  Një nga më të njohurat ishte kënga që është interpretuar në fillim të kremtimit të sotëm.

E shkruar nga Vllado Maleski dhe e kënduar për herë të parë në Strugë në kalimin nga vitit 1941 në vitin 1942, “Sot mbi Maqedoni lind” e simbolizon luftën e pandalshme për drejtësi, i këndon vazhdimësisë me Ilindenin dhe e paralajmëron lirinë në Maqedoni.

Por, në himnin maqedonas është shkruar edhe një paralajmërim. A e keni pyetur ndonjëherë veten pse teksti i himnit është kënduar në kohën e tashme, në vend të kohës së shkuar? Sepse, pas KAÇKM-së ne nuk këndojmë se mbi Maqedoni ka lindur tashmë dielli i lirisë, se maqedonasit tashmë i kanë marrë të drejtat e veta? Pse, edhe pas 8 shtatorit 1991 himni maqedonas është ende në kohën e tashme dhe jo në të shkuarën?

Besoj se kjo pjesërisht ka të bëjë me vetë natyrën e lirisë dhe drejtësisë.  Çdo brez i ri ballafaqohet me sfida të reja dhe duhet të luftojë përsëri për këto vlera të larta, që t’i përvetësojë.  Çdo brez i ri, duke përfshirë edhe tonin, duhet të bëjë sakrificën e vet për lirinë dhe drejtësinë, sepse vetëm sakrifica na bën të vetëdijshëm për vlerën e tyre. Kurse sakrificën më të madhe duhet ta bëjnë ata që kanë përgjegjësinë më të madhe – populli, liderët politikë, të zgjedhur nga qytetarët maqedonas që t’i përfaqësojnë, t’i prezantojnë dhe me shembullin e tyre personal të luftojnë për interesat e shtetit.

Të nderuar bashkëqytetarë,

Të nderuar të pranishëm,

Qëllimi i ekzistencës së çdo shteti, duke përfshirë edhe atë të shtetit maqedonas është mbrojtja e lirisë dhe zbatimi i drejtësisë. Populli që do të neglizhojë lirinë dhe do të neglizhojë drejtësinë, në mënyrë të pashmangshme do të pushojë të kujdeset për shtetin.

Për më tepër, kur flasim për lirinë, nuk nënkuptojmë vetëm lirinë politike nga pushtuesit, kjo i përket së shkuarës, por edhe lirinë nga nevojat dhe varfëria, lirinë që të planifikojë jetën dhe të përparojë pa lidhje familjare, pa ryshfet, pa kartela partiake, por vetëm me dijen, aftësinë dhe kompetencën personale.

Kur flasim për drejtësi, nuk nënkuptojmë vetëm drejtësinë, por edhe drejtësinë sociale, mjedisore dhe të brezave. Kurse parakusht për drejtësinë është sundimi i të drejtës, në vend të sundimit të njerëzve.

Nga aspekti i sotshëm mund të thuhet se në himnin, në fjalët “Maqedonasit luftojnë për të drejtat e veta” është përmbledhur edhe pavarësia.  Në 33 vitet e kaluara ne kemi luftuar për njohjen e pavarësisë, për anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, për ruajtjen e paqes, rendit dhe bashkëjetesës në atdheun tonë.  Edhe sot, ajo luftë për të drejtat tona vazhdon.

Ashtu si partizanët kanë luftuar kundër pushtimit fashist, ashtu edhe ne duhet të luftojmë përditë kundër padrejtësive të kohës sonë, kundër padrejtësive sociale dhe varfërisë, kundër korrupsionit dhe nepotizmit.
Duhet të luftojmë kundër pengesave dhe bllokimeve të padrejta të integrimit tonë evropian, por edhe kundër përpjekjeve për të falsifikuar historinë tonë dhe për të fshirë kujtesën tonë kolektive. Duhet të luftojmë vazhdimisht, çdo ditë për liri dhe drejtësi, sepse njerëzit që nuk luftojnë kanë humbur paraprakisht.

Por që të jemi të qëndrueshëm në atë luftë, na nevojitet t’u rikthehemi burimeve përsëri dhe përsëri. Kjo na çon në pyetjen, a qëndrojmë në mënyrë pasive kur këndohet sot himni i Maqedonisë apo, si partizanët, marrim pjesë aktivisht në atë akt? A e dëgjojmë vetëm himnin apo, përsëri, si edhe partizanët, e këndojmë me zemër himnin maqedonas? Sepse himni nuk është dekorim ceremonial, por simbol i shtetit maqedonas në të cilin është koduar historia maqedonase e luftës së vazhdueshme për drejtësi dhe liri.

Sa herë që e këndojmë himnin maqedonas, ne bëjmë një hap të vogël drejt shtyrjes së egoistes tek ne UNË dhe IMI, për t’i bërë më shumë vend altruizmit NE dhe TONA , për shtetin maqedonas si të mirën tonë të përbashkët, për interesin publik që i tejkalon interesat e ngushte personale, partiake dhe të tjera.

Në të njëjtën kohë, NE dhe JONA nuk është dhe as nuk duhet të reduktohet në ndonjë kategori etnike, fetare apo ideologjike. Lexojini manifestet dhe shpalljet e Shtabit të Përgjithshëm të UNÇ-së dhe NjPM-së dhe do të shihni se ato u drejtohen maqedonasve, shqiptarëve, turqve, vllehve, serbëve, romëve dhe të tjerëve.  Shikojini edhe përmendoret ku janë gdhendur emrat e luftëtarëve dhe do të shikoni bashkëjetesën në aksionin luftarak.  Shikojini pjesëmarrësit e KAÇKM-së dhe do ta shihni Maqedoninë në mëhallë, me të gjithë shumëllojshmërinë e vet etnike, fetare, sociale dhe ideologjike. Maqedonasit të cilët luftojnë për të drejtat e veta nuk janë vetëm maqedonasit etnikë por edhe të gjithë qytetarët maqedonas të cilët e përjetojnë dhe e duan këtë vend si atdheun e vet.  Të gjithë ata që duan që fëmijët e tyre, të rinjtë e tyre të mos shpërngulen jashtë vendit, por të qëndrojnë këtu, në atdheun e vet, që të punojnë, të themelojnë familje dhe të ndërtojnë të ardhmen.

Të dashur bashkëqytetarë,

Të nderuar të pranishëm,

Ashtu si edhe më shumë se 80 vjet më parë, ashtu edhe sot po jetojmë në një periudhë trazirash të mëdha që mund të kapërcehet vetëm me vendime të guximshme. Në botë ka përsëri luftëra dhe vuajtje, dhe kjo në rajonet që janë afër rajonit tonë. Paraardhësit tanë u bashkuan për të arritur së bashku atë që nuk mund ta arrinin veçmas – një shtet të lirë maqedonas, të bazuar në ideale të drejta. Dhe ne duhet të lëmë ndarjet tona të ndërsjella dhe të bashkohemi rreth luftës sonë, e cila nuk është më luftë për liri politike, por për prosperitet të shtetit dhe qytetarëve të tij maqedonas. Kështu do të ndërtojmë të ardhmen për të rinjtë në një shoqëri të drejtë dhe progresive maqedonase.

Vetëm nëse e ndërtojmë Maqedoninë si një vend të denjë për të jetuar të gjithë qytetarët e saj, me të drejtë do të mund të themi, të këndojmë se, me të vërtetë, është e lirë dhe se jeton e lirë.

Për shumë vjet gëzuar 11 Tetorin – Ditën e Kryengritjes Popullore!

Qoftë i përjetshëm shteti maqedonas!

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit