Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova mbajti fjalim në Konferencën e 4-t Ndërkombëtare për Financimin e Zhvillimit, e cila po mbahet nën organizim të OKB-së në Sevilje.
Në fjalimin e saj, ajo theksoi rëndësinë e multilateralizmit dhe përpjekjeve të përbashkëta globale për t’i përballur varfërinë, ndryshimet klimatike, pabarazinë dhe padrejtësinë sociale.
Presidentja Siljanovska-Davkova paralajmëroi se ekzistojnë rreziqe serioze gjeopolitike dhe ekonomike që minojnë arritjet e deritanishme, duke shprehur besimin e saj mbi mundësinë për një bote më të mirë dhe më të qëndrueshme.
Sipas saj, qasja në financim të drejtë është kushti kyç për sukses dhe për partneritete të besueshme. Në Paktin e ri për të Ardhmen, Presidentja Siljanovska-Davkova njeh një kontratë të ripërtërirë globale shoqërore. Ajo thekson nevojën e përgjegjësisë së përbashkët të të gjithë palëve të interesuara.
Duke theksuar se pothuajse dy të tretat e Qëllimeve për Zhvillimin e Qëndrueshëm lidhen me reformat e Bashkimit Europian, Presidentja Siljanovska-Davkova informoi se Strategjia jonë Kombëtare e Zhvillimit 2024-2044 është në përputhje me Kornizën më të fundit të OKB-së për Bashkëpunim për Zhvillim të Qëndrueshëm. Presidentja Siljanovska-Davkova u falënderoi OKB-së, BE-së dhe agjencive të zhvillimit nga disa vende, si dhe institucioneve financiare ndërkombëtare – BERZH-i, Banka Botërore, BEI dhe Fondi i Investimeve për Ballkanin Perëndimor – për mbështetjen e tyre thelbësore përmes projekteve në fushat e tranzicionit të gjelbër, shëndetësisë, arsimit dhe infrastrukturës.
Në vazhdim është fjalimi i plotë i presidentes Siljanovska-Davkova:
Shkëlqesitë tuaja,
Zonja dhe zotërinj,
Dëshiroj ta shpreh mirënjohjen time të sinqertë për mikpritësit tanë spanjollë për organizimin e kësaj Konference të Katërt Ndërkombëtare për Financimin e Zhvillimit në Sevilje.
Para tetëdhjetë viteve, Kombet e Bashkuara u ngritën nga rrënojat e Luftës së Dytë Botërore për të parandaluar luftërat e ardhshme, për t’i dhënë fund kolonializmit, për të respektuar të drejtat e njeriut, për të avancuar drejtësinë dhe të drejtën ndërkombëtare dhe për të bashkuar kombet mbi përpjekjet globale, siç janë Marrëveshja e Parisit dhe Qëllimet për Zhvillimin e Qëndrueshëm (QZhQ). Tetëdhjetë vjet më vonë, shumë nga këto arritje për fat të keq janë minuar nga rivalitetet gjeopolitike, fragmentimi ekonomik dhe rreziqet sistemike. Përpjekjet multilaterale për zbatimin e QZhQ-ve dhe për përballjen me sfidat urgjente globale, siç janë varfëria, pabarazia, ndryshimet klimatike dhe padrejtësia, shpesh konsiderohen si mision i Don Kishotit. Ashtu si Don Kishoti u përball me keqkuptimin dhe rezistencën, lëvizja për zhvillimin e qëndrueshëm përballet me sfida gjeopolitike dhe gjeoekonomike.
Pavarësisht këtyre dështimeve, ne besojmë se një botë më e mirë është e mundur, edhe pse rruga është e vështirë. Për të rigjallëruar OKB-në dhe për të forcuar sistemin e saj multilateral, ne miratuam Paktin për të Ardhmen si kontratë e re globale sociale e Ruso-s. Në thelb të çdo kontrate sociale qëndron e vërteta themelore se të gjitha palët ndajnë një përgjegjësi jo vetëm për të respektuar të drejtat e tyre, por edhe një detyrë për t’u kujdesur për sistemin. Kontrata sociale nuk paraqet marrëveshje pasive, por angazhim të gjallë.
Financimi i zhvillimit duhet të bashkojë strategjinë, kapitalin dhe mbështetjen shumëpalëshe në një ekosistem koherent.
Si një vend i vogël europian, ne jemi të përkushtuar ndaj integrimit të Qëllimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm në dokumentet tona strategjike. Pothuajse dy të tretat e QZhQ-ve janë lidhura me reformat e Bashkimit Europian. Korniza e fundit e OKB-së për Bashkëpunim për Zhvillimin e Qëndrueshëm është në përputhje me Strategjinë tonë Kombëtare të Zhvillimit 2024-2044.
Për ta kapërcyer hendekun midis ambicies dhe realitetit, na nevojiten qasje për financim të drejtë dhe partneritete bashkëpunuese. Në udhëtimin tonë drejt një të ardhmeje më të mirë, partnerë të besuar si agjencitë e OKB-së dhe agjencitë e zhvillimit të vendeve si Austria, Gjermania, Japonia, Sllovakia, Suedia, Zvicra, Turqia, Mbretëria e Bashkuar e të tjerë po ecin me ne. Ata sjellin përvojën, burimet dhe mbështetjen për të forcuar komunitetet tona, duke ndihmuar sigurimin që çdo projekt do të arrijë me të vërtetë te njerëzit.
Njëkohësisht, bankat investuese na ndihmojnë t’i shndërrojmë idetë në përparim të prekshëm. Përmes Instrumentit të Financimit të Gjelbër, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim promovon tranzicionin e drejtë energjetik dhe na mbështet për të përballuar me ndotjen e ajrit dhe ndryshimet klimatike. Banka Botërore fokusohet mbi uljen e varfërisë, kujdesin shëndetësor dhe arsimin. Banka Europiane e Investimeve investon në infrastrukturë të qëndrueshme dhe nisma klimatike, duke kontribuar në inovacionin dhe qëllimet e veprimit klimatik.
Fondi Investues për Ballkanin Perëndimor koordinon investimet e BE-së, institucioneve financiare, donatorëve dhe përfituesve.
Së bashku, këta partnerë ndihmojnë në përafrimin e zhvillimit të Maqedonisë me objektivat globale të qëndrueshmërisë, duke rritur rezistencën, rritjen ekonomike dhe mbrojtjen e mjedisit jetësor. Ekziston edhe një arsye tjetër pse këto partneritete janë kaq të rëndësishme. Kur paratë mbizotërojnë, ne kemi tendencë të kujtojmë çmimin e gjërave dhe ta harrojmë vlerën e tyre, por kjo është e rrezikshme. Bankat investuese, institucionet e zhvillimit dhe donatorët ndërkombëtarë u kujtojnë institucioneve tona kombëtare mbi vlerën e çdo kredie dhe donacioni.
Zonja dhe zotërinj,
Ndoshta duket se po luftojmë kundër mullinjve të erës së kohës sonë, por pavarësisht pengesave, duhet të vazhdojmë në kërkimin tonë për një botë më të mirë dhe më të qëndrueshme. Si palë përgjegjëse e kontratës sociale globale, ne mbështesim “Marrëveshjen e Seviljes” për financimin e zhvillimit. Siç tha dikur sekretari i dytë i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Dag Hammarskeld: “Përpjekja për paqe dhe progres nuk mund të përfundojë brenda pak viteve, as me fitore as me humbje. Përpjekja për paqe dhe progres, me sprovat dhe gabimet e saj, sukseset dhe dështimet e saj, nuk mund të lihet dhe të braktiset kurrë.”
Ju faleminderit.