Presidentja Gordana Siljanovska Davkova dhe Presidentja e Republikës së Indisë, Drupadi Murmu, morën pjesë në ceremoninë e zbulimit të bustit të Mahatma Gandhit në Muzeun e Qytetit të Shkupit, dhuratë nga India mike, si dhe vizituan Shtëpinë Përkujtimore të Nënë Terezës.
Presidentja Siljanovska Davkova vlerësoi se busti i Mahatma Gandhit është shprehje e respektit të ndërsjellë dhe miqësisë së gjatë midis dy vendeve.
Sipas saj, Mahatma Gandhi, si apostull i mosdhunës, la një trashëgimi universale që tejkalon kufijtë kombëtarë, duke frymëzuar gjenerata të luftëtarëve për liri, drejtësi dhe dinjitet njerëzor.
Ajo kujtoi se filozofia gandiane e mosdhunës dhe e drejta e popujve për të përcaktuar lirisht të ardhmen e tyre u pasqyrua edhe në përvojën historike maqedonase, përmes pavarësisë paqësore në vitin 1991.
Presidentja Siljanovska Davkova theksoi lidhjen e thellë shpirtërore midis Mahatma Gandhit dhe Shën Nëna Terezës, duke theksuar se pikërisht në Shkupin multikulturor, qytetin në të cilin lindi dhe u rrit Nënë Tereza, u formuan vlerat që më vonë do ta çonin atë në misionin e saj humanitar në Indi.
Ajo theksoi se të dy, përmes modestisë personale dhe përkushtimit ndaj më të prekshmëve, lanë një gjurmë të qëndrueshme në historinë bashkëkohore, duke promovuar mosdhunën, pluralizmin fetar dhe drejtësinë sociale.
“Nuk ka vend më të përshtatshëm për bustin e babait të Indisë moderne sesa vendlindja e Nëna Terezës, si simbol i qëndrueshëm i vlerave të përbashkëta humaniste që lidhin popullin maqedonas dhe indian”, theksoi Presidenteja Siljanovska Davkova.
Presidentja e Indisë, Drupadi Murmu beson se në një periudhë kohore, siç është koha e sotme, në të cilën po ballafaqohemi me konflike, jotolerancë dhe përçarje, besimi i Gandit në dialog, dhembshuri dhe bashkëjetesë paqësore mbetet i rëndësishëm.
“Mahatma Gandhi i përkiste Indisë, por mesazhi i tij i përket gjithë njerëzimit. Jeta e tij tregon se e vërteta, jo-dhuna, nuk janë shenja dobësie, por instrumente të fuqishme për të siguruar drejtësi, liri dhe dinjitet”, theksoi Presidentja e Republikës së Indisë, Drupadi Murmu.
Sipas Kryetarit të Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgievski, me vendosjen e bustit të Mahatma Gandit, Shkupi merr kujtesë të përhershme se ndryshimet më të mëdha në botë fillojnë me respektin për njeriun, me fuqinë e së vërtetës dhe me besimin se dialogu është gjithmonë më i fortë se përçarjet.
Më parë, presidentet vizituan Shtëpinë Përkujtimore të Nëna Terezës, ku i bënë homazh jetës, veprës dhe trashëgimisë shpirtërore të shenjtores, mesazhet universale të së cilës për mëshirë, solidaritet dhe kujdes për njerëzimin ende jehojnë në të gjithë botën edhe sot.





