Presidentja Gordana Siljanovska Davkova u drejtua në Forumin e Biznesit Maqedonaso-Indian, të organizuar në kuadër të vizitës zyrtare të Presidentes së Republikës së Indisë, Drupadi Murmu.
Sipas Presidentes Siljanovska Davkova, vizita paraqet nxitje e fortë për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik, duke lidhur komunitetet e biznesit të Maqedonisë dhe Indisë.
“Rritja ekonomike e Indisë dhe vizioni “Viksit Bharat 2047” plotësojnë natyrshëm “Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit 2024-2044″ të Maqedonisë, si bazë e fortë për partneritet afatgjatë”, tha Presidentja Siljanovska Davkova.
Sipas saj, Marrëveshja e Tregtisë së Lirë e nënshkruar në kohën e fundit midis Bashkimit Europian dhe Indisë është me rëndësi të jashtëzakonshme për thellimin e shkëmbimit tregtar, veçanërisht në industrinë e automobilave, farmaceutikës, metalurgjisë, industrisë ushqimore dhe teknologjive digjitale.
Presidentja indiane Murmu shprehu bindjen e saj se nga forumi i sotëm i biznesit do të dalin ide të reja dhe se ai do të hapë mundësi të reja për bashkëpunim. Ajo theksoi se është në interes të ndërsjellë që të dy vendet të punojnë drejt përmirësimit të bashkëpunimit ekonomik. Ajo theksoi disa fusha si mundësi për investime, përkatësisht inovacionet digjitale, inteligjenca artificiale, kujdesi shëndetësor, përpunimi i ushqimit.
Presidentja Siljanovska Davkova theksoi se vëllimi aktual i tregtisë nuk pasqyron plotësisht marrëdhëniet e shkëlqyera politike dhe potencialin real për bashkëpunim ekonomik midis dy vendeve. Ajo theksoi treguesit e qëndrueshëm makroekonomikë, rritjen e prodhimit industrial dhe qëndrueshmërinë e ekonomisë maqedonase si përparësi të rëndësishme për tërheqjen e investimeve të reja.
Për të, India, si një nga nxitësit globalë të zhvillimit industrial, teknologjik dhe digjital, dhe shteti maqedonas, si portë hyrëse në tregun europian, janë partnerë ekonomikë plotësues.
Ajo i inkurajoi kompanitë maqedonase të shfrytëzojnë më mënyrë më aktive nga përfitimet e tregut indian dhe bëri thirrje që tregtia midis dy vendeve të arrijë të paktën 500 milionë dollarë amerikanë në pesë vitet e ardhshme.
Përveç presidenteve të Maqedonisë dhe Indisë, në këtë Forum të Biznesit Maqedonaso-Indian u drejtuan edhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Muçunski, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Borçe Serafimovski, si dhe Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.
Në kuadër të këtij forumi u zhvilluan takime dypalëshe midis përfaqësuesve të institucioneve dhe odave të tregtisë, si dhe takime B2B dhe B2G.





