Presidentja Gordana Siljanovska Davkova mbajti fjalim në edicionin e dytë të ngjarjes vjetore “Biseda për Barazi” që këtë vit Komisioni për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi e organizoi me temë “E drejta e romëve për banim”.
Në fjalimin e saj, Presidentja Siiljanovska Davkova potencoi se nuk duhet të flasim vetëm për statistikë ose politikë, por edhe të dëgjohet për pabarazinë, për përvojat jetësore të romëve, si kategoria më e cenueshme e qytetarëve tanë, të cilët përballen me diskriminim sistemik dhe strukturor lidhur me mungesën ligjore të pronësisë së shtëpisë ose banesës së tyre, “dënimin” për të jetuar në një banesë të paqëndrueshme, të pasigurt ose nën standarde në periferi, pa qasje ose qasje të vështirë për ujë të pijshëm, pa kushte për higjienë personale, në mungesë të hapësirës së jetesës, ppërkatësisht një hapsirë për secilin anëtar të familjes zakonisht të madhe.
Si presidente që përfaqëson të gjithë qytetarët, ajo tregoi se ka detyrim politik, ligjor, etik dhe moral që të mos lejojë që asnjë komunitet të ndihet i lënë pas dore, i margjinalizuar, i diskriminuar.
Sipas saj, nevojitet jo vetëm luftë institucionale, por edhe individuale, njerëzore për t’i kapërcyer paragjykimet, stereotipet dhe kujdesin e provuar për më të prekshmit, përkatësisht përpjekje për t’i parë romët përmes syve të romëve, me qëllim që të shemben muret e (pa)dukshme pas të cilave komuniteti rom është i izoluar dhe i margjinalizuar. Nevojiten hapa për t’i përfshirë romët në jetën shoqërore dhe politike.
“Nevojitet politika gjithëpërfshirëse e banimit, në vend të politikës së përjashtimit, gjatë hartimit të së cilës do të marrin pjesë edhe romët”, theksoi presidentja.
Sipas presidentes, në komunat me popullsi dominuese rome, duhet të zbatohen të njëjtat standard urbane, duke përfshirë edhe ato për banim si në komunat e tjera.
Presidentja Siljanovska Davkova potencoi se gjithmonë u thotë bashkëqytetarëve tanë romë se nuk janë të huaj në këtë vend, por se ky është shtëpia e tyre. Ajo tha se ata nuk meritojnë margjinalizim dhe diskriminim, por mbështetje të hapur dhe barazi për të gjitha të drejtat, duke përfshirë të drejtën e hapësirës së mire për banim.
Ngjarja, në të cilën folën edhe Shefi i Delegacionit të Bashkimit Europian, Ambasadori Michalis Rokas, Zëvendësministri i Vetëqeverisjes Lokale, Erxhan Selimi, Presidenti i Komisionit për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi, Limko Bejzaroski, si dhe Udhëheqësja e Komponentit 4 të projektit “Mbështetja e BE-së për Sundimin e Ligjit”, Barbara Liegl, financohet nga BE-ja dhe zbatohet nga Instituti për të Drejtat Themelore dhe të Njeriut – Ludwig Boltzmann Gesellschaft – (LBI-GMR), organ i Qeverisë së Austrisë që funksionon si një institut për kërkim, trajnim dhe konsultime.
Në vijim, fjalimi i plotë i Presidentes Siljanovska Davkova.
Ju faleminderit për ftesën,
Kam nder të jam këtu, ata që ishin në Kabinetin tim kanë vërejtur një fotografi të bukur të Nikola Martinovskit tonë, një grua të bukur rome me një fëmijë në krahë. Ajo fotografi na kujton të bukurën. Kam edhe një fotografi tjetër, dhuratë, me rrotën, e cila nga ana tjetër më kujton jetën e romëve. Mendoj se ky simbol nuk duhet të jetë relevant për bashkëqytetarët e mi romë, sepse ky është atdheu i tyre dhe ata meritojnë të jenë të barabartë. Unë e vazhdova atë që e kam bërë në fakultet vetëm si mentore për shumë studentë romë që u diplomuan me sukses, u punësuan, u bënë njerëz të respektuar. E vazhdova këtë në Kuvend si pjesë e grupit të miqve të romëve dhe sigurisht, pikërisht për këtë jam këtu me ju sot. Nuk do të më fajësoni që në fjalimin tim, për shkak se jam një person emocional, do të ketë emocione nga të cilat nuk mund t’i shpëtoj, e tillë është natyra ime, dramatike.
Të nderuar, para së gjithash, partnerë nga Komisioni për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi, gjithashtu nga Instituti për të Drejtat Themelore dhe të Njeriut,
Të nderuar mysafir dhe miq, harrova, pyeta menjëherë a do të vijë edhe z. Rokas, ata thanë po. Dhe kjo ishte gjithashtu edhe një nga arsyet pse jam këtu dhe e falënderoj veçanërisht për përkushtimin dhe praninë e tij.
Pra, edhe një herë, nuk më paraqet vetëm nder, por edhe detyrim politik dhe që të marr pjesë në ngjarjen e sotme, e cila është pjesë e “Bisedave për Barazi” për të dëgjuar dhe gjithashtu për të folur mbi rëndësinë e të drejtës së banimit, realizimi i së cilës paraqet parakusht për gëzimin e shumë të drejtave të tjera të rëndësishme të njeriut, pa të cilat nuk ka jetë dinjitoze!
Për mua, banimi nuk paraqet vetëm një çati mbi kokë, siç perceptohet dhe paraqitet shpesh, por paraqet themeli, por edhe kushti për një jetë dinjitoze personale, familjare dhe shoqërore. Apo jo? Sepse që nga Aristoteli deri më sot, njeriu është “Zoon politikon”, një qenie politike. Politika nuk ka të bëjë vetëm që të bëhesh mbajtës i një pozite, por të marrni pjesë në procesin e vendimmarrjes.
Për mua, shtëpia është një nga oazet më të rëndësishme, nëse jo më e rëndësishmja njerëzore, është vendi ku krijojmë dhe ushqejmë një familje, mjedisi ku fëmijët rriten, hapësira në të cilën mësojmë të jetojmë me të tjerët, t’i dëshirojmë të tjerët, të punojmë, të respektojmë. Paraqet një hapësirë e njohur ku ndonjëherë dëshirojmë të izolohemi, të ikim nga bota e jashtme, një vend në të cilin marrim mirëkuptim, ndihmë, nëse dëshironi, dhe mbështetje të pakushtëzuar si në kohë të mira ashtu edhe kur bëjmë gabime. Një hapësirë ku mund të ëndërrojmë, të ëndërrojmë me sy të hapur për një jetë më të mirë, të marrim vendime të rëndësishme.
Unë konsideroj se karakteri i çdo personi, karakteri ynë, ambiciet tona, pikëpamja jonë për botën në masë shumë të madhe janë të paracaktuara nga rrethanat shtëpiake, por edhe nga vështirësitë shtëpiake me të cilat përballemi, nga cilësia e jetës shtëpiake dhe kjo nga ana tjetër përcaktohet, ndonjëherë për fat të mirë, ndonjëherë për fat të keq, nga vendndodhja e shtëpisë sonë, nga cilësia e ndërtesës ku jetojmë, nga pamja e brendshme dhe e jashtme, nga infrastruktura përreth neve në mjedisin jetësor, nga qasja në shërbimet publike, nga institucionet arsimore, sportive, kulturore, nëse ato janë afër neve, nëse janë larg neve, nëse janë të arritshme dhe të paarritshme, nga siguria e hapësirës, siguria në shtëpinë tonë varet nga fakti nëse jetojmë në qendër të qytetit apo në periferi, cilët janë fqinjët tanë, si është mjedisi jetësor.
Në moshë të caktuar, një person e kupton se mjedisi jetësor në të cilin kemi kaluar fëmijërinë dhe rininë tonë na ka formuar kryesisht si individë dhe si njerëz. Sepse nga kjo varet me kë do t’i krijojmë miqësitë tona të para, me kë do të shoqërohemi, ku do të studiojmë, çfarë lloj arsimi do të marrim, çfarë qasje në vendin e punës do të kemi, ndaj çfarë lloj presioni dhe presioni njerëzor dhe gjeneratash do të ekspozohemi. Nëse dëshironi, nëse do të stimulohemi për të ecur përpara apo për të qëndruar në vend apo ndonjëherë, për fat të keq, për t’u kthyer mbrapa.
Përvojat personale për mua, por edhe sociale, domethënë, kërkimet psikologjike dhe sociale tregojnë se kur e drejta e banimit është e paarritshme ose e vështirë për t’u arritur, atëherë liria dhe barazia, barazia dhe drejtësia, siguria dhe mbrojtja, bëhen qëllim i ndërlikuar, i paarritshëm dhe për fat të keq i largët.
Sot këtu, jemi mbledhur dhe unë erdha, jo për të folur për statistika dhe vetëm për politika, por për të dëgjuar për pabarazinë, përvojat jetësore të romëve, si kategoria më e cenueshme e qytetarëve tanë, që përballen me diskriminim sistemik dhe strukturor që lidhet me, nëse do ta quani kështu, mosposedimin ligjor në rast shumë të zakonshëm, të shtëpisë ose banesës së vet, nën maskën e “dënimit” për të jetuar në një banesë të paqëndrueshme, të pasigurt ose nën standarde në periferi, pa qasje ose qasje të vështirë te uji i pijshëm, pa kushte për higjienë personale, në mungesë të hapësirës së jetesës, përkatësisht të hapësirës së tyre për secilin anëtar të familjes shpesh të madhe, madje edhe mungesën e rrjetit elektrik standard.
Këto probleme, për fat të keq, ende nuk janë të rralla, nuk janë të rastësishme, por janë të pranishme rregullisht në pothuajse të gjitha qytetet, komunat dhe vendbanimet tona me një popullsi dominuese rome, të dallueshme nga shkalla e ulët e punësimit, përfshirja e pamjaftueshme e fëmijëve dhe të rinjve në procesin arsimor, nivel i lartë ose më i lartë i krimit, infrastruktura e dobët rrugore, shëndetësore, arsimore dhe sportive, prania e fenomenit të fëmijëve të rrugës. Kjo është arsyeja pse ne në Fakultetin e Drejtësisë kishim një program, një projekt me të rinjtë, Street law, nëse ka fëmijë të rrugës duhet të ketë edhe e drejta e rrugës dhe drejtësi me një të drejtë të pezulluar ose të kufizuar për arsim në shekullin e 21-të, pavarësisht arsimit fillor dhe të mesëm të garantuar me ligj, të detyrueshëm në vendin tonë, për çdo fëmijë.
Pra, pabarazia sa I përket banimit nuk paraqet një fenomen i rastësishëm. Është një fenomen historik, për fat të keq, nuk është rastësi që rrota paraqet një simbol, një problem kronik, i pandashëm nga paragjykimet dhe fryt i diskriminimit të gjatë. Të gjithë ne, duke përfshirë edhe mua, kemi përgjegjësi kolektive, por edhe detyrim ligjor dhe moral për të vepruar, për të bërë diçka në vend që thjesht të flasim ose të flasim dhe të veprojmë!
Unë si Presidente, kam detyrim kushtetues për të përfaqësuar të gjithë qytetarët, brenda dhe jashtë vendit, që do të thotë t’i njoh, respektoj dhe mbroj të drejtat e çdo qytetari. Kjo është një përgjegjësi në bazë të ligjit. Kam edhe detyrë si etike ashtu edhe morale për të mos lejuar që asnjë komunitet të ndihet i lënë pas dore, i margjinalizuar dhe i diskriminuar dhe për këtë arsye po ndërmarr disa hapa në Kabinetin tim dhe më gjerë sepse teza ime themelore është se duhet të fillojmë me më të prekshmit, ata kanë nevojën më të madhe për mirëkuptim dhe ndihmë.
Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë një luftë institucionale, por edhe personale për të kapërcyer paragjykimet, stereotipet dhe për t’u kujdesur për më të prekshmit, përkatësisht të paktën të përpiqemi që t’i shohim romët dhe jetën e tyre përmes syve të romëve, sepse vetëm në këtë mënyrë do të jemi në gjendje të shembim muret e dukshme dhe të padukshme që ende izolojnë dhe margjinalizojnë komunitetin rom dhe të ndërmarrim hapa drejt përfshirjes së tij në jetën shoqërore dhe politike, në procesin e vendimmarrjes. Në këtë mënyrë, do të krijojmë një politikë gjithëpërfshirëse, në vend që ta përjashtojmë politikën e banimit. Në komunat me një popullsi dominuese rome, duhet të praktikohen të njëjtat standarde urbane, duke përfshirë ato të banimit, si në komunat e tjera.
Pra, banimi nuk paraqet çështje retorike, por një problem më i vështirë jetese për romët. Pra, nuk është vetëm një sfidë personale familjare, por një sfidë sociale për komunat, që shteti të kujdeset për kategoritë më të varfra të njerëzve.
Shtëpia duhet të garantojë dhe të mundësojë një jetë të mirë, është parakusht për zhvillim dhe përparim të qëndrueshëm individual, por edhe kolektiv dhe shoqëror. Askush nuk duhet të harrohet, themi ne, e përsëritëm këtë së fundmi në Sevilje, por sidomos nuk duhet të harrohet në një shtet deklaron veten si shtet social. Fëmijët, qofshin ata maqedonas, shqiptarë, turq, vllehë, serbë, boshnjakë apo romë, duhet të kenë mundësi
të barabarta për përparim. Pra, kemi energji të pashfrytëzuar, njohuri, mendje, krijim. Nuk mund të flasim për siguri sociale nëse disa nga bashkëqytetarët tanë jetojnë në pasiguri, të vetëdijshëm se shtëpitë e tyre mund të shemben, zërat e tyre të mos dëgjohen, të drejtat e tyre të injorohen.
Megjithatë, që të mos ju duket shumë pesimiste, nuk po fillojmë nga zero, ose mua më pëlqeu shumë dhe më turpëroi ai paralajmërim i ambasadores suedeze në largim, kur tha se jo gjithçka është katastrofë në këtë vend, siç thoni vazhdimisht për gjithçka, unë jam katastrofë, gjithçka është katastrofë. Nuk është katastrofë. Kam takuar politikanë që nuk janë katastrofë, kam takuar njerëz që nuk janë katastrofë, kam takuar anëtarë të OJQ-ve që janë larg një katastrofe. Por, duket se kjo fjalë thotë shumë. Të them se ka pasur shumë dhe ka iniciativa në nivel lokal dhe kombëtar për regjistrimin përfundimtar ligjor të shtëpive, ne jemi një vend i rrallë, të pyesim veten pse, mendoj, unë si juriste e di, pse nuk kemi regjistër i pronës shtetërore dhe komunale, ky është fenomen shumë interesant, ndërsa kemi Prokurori Shtetërore që duhet ta bëjë këtë. Pse mendoj se kjo është e rëndësishme? Për shkak se në Parlament kemi bërë diçka për herë të parë në Europë, nëse e mbani mend. Ne kemi regjistruar dhe eivdentuar ligjërisht, së bashku me UNICEF-in, qytetarët e padukshëm, kjo është hera e parë në një vend europian, kështu që jemi larg një katastrofe në këtë drejtim dhe kështu u kemi mundësuar atyre të gëzojnë të drejtat e tyre themelore të njeriut. Duhet të kujdeseni që kryetarët e komunave, këshilltarët dhe Qeveria ta përmirësojnë infrastrukturën. Nevojiten masa të veçanta të kujdesit dhe mbrojtjes së familjeve rome, të përshtatshme për problemet me të cilat përballen. Po mendoj për sigurimin social, sepse si juriste jam i deformuar profesionalisht dhe po flas për nenin 35 të Kushtetutës, kujdes i veçantë për familjen në frymën e nenit 40 të Kushtetutës. Pra, ne kemi nevojë, mbrojtja e veçantë e fëmijëve pa shtëpi dhe pa kujdes prindëror është veçanërisht e rëndësishme.
Gjithashtu, pohoj edhe se shoqëria civile ka pasur dhe vazhdon të ketë një rol të rëndësishëm në adresimin e këtyre problemeve dhe unë edhe një herë u falënderoj partnerëve ndërkombëtarë që po marrin pjesë, si të them, në trajtimin e këtyre problemeve.
Pra, megjithatë, progresi është i ngadaltë dhe i fragmentuar, luftën kundër diskriminimit nuk mund tÇia lëmë vetëm në dorë të institucioneve shtetërore, të gjithë duhet të përfshihemi në të.
Është e nevojshme një gjë për të cilën unë i inkurajoj vazhdimisht studentët e mi dhe ata përreth meje, disa shumë të zgjuar, duhet ta them, romë. Njëri prej tyre e kam takuar falë Komisionit për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi, kur në konkurs deputetët nuk votuan për më të zgjuarin dhe atë me CV-në më të mirë dhe ai ishte rom, por për ata që ishin më në linjë me partitë politike. Të mos harroni se shkrova një postim atëherë. Çfarë duhet të bëjë dikush kur nuk është vetëm më i arsimuari dhe më i zgjuari, kur është rom, për t’u pranuar aty ku i takon. Sapo u bëra presidente, menjëherë kontaktova atë djalë, sigurisht, edhe ai është në Këshillin Rinor dhe siç e dini, çmimi që mori në Parlamentin Europian është diçka e mrekullueshme. Ne duhet t’i frymëzojmë ata, dhe ata do të frymëzojnë të tjerët. Pra, na duhet një përfaqësim politik autentik, i ndershëm, i kualifikuar dhe i përkushtuar i komunitetit rom. Duhet ta them, në politikën, për fat të keq apo për fat të mirë, nuk e di, rolet më të rëndësishme miratohen. Nëse, siç e shoh këtu, disa prej tyre, romë të zgjuar, të virtytshëm, të arsimuar dhe të kualifikuar, përfshihen në politikën, atëherë përpjekjet do të jenë më të lehta për t’u arritur sepse ata e dinë më mirë se si ta bëjnë këtë. Pra, politikanët romë duhet t’i zëvendësojnë interesat personale dhe të ngushta partiake me ato të komunitetit, duke luftuar për barazi me qytetarët e tjerë. Unë pohoj se vetëm së bashku do të jenë në gjendje ta kurorëzojnë luftën me sukses.
Forumet, si ky këtu, bisedat rreth barazisë janë shumë të rëndësishme në krijimin e ndërgjegjësimit rreth paqëndrueshmërisë së situatës së romëve në shoqërinë maqedonase, duke përfshirëdhe sferën e banimti, siç kam thënl, një nga më të rëndësishmet.
Por ndryshimi kërkon më shumë sesa qëllime të mira. Kërkon angazhim, qëndrueshmëri, kërkon bashkëpunim institucional, kërkon bashkëpunim ndërsektorial, kërkon komunikim të vazhdueshëm dhe aktivitet të përbashkët të autoriteteve qendrore dhe lokale, dialog midis qeverisë dhe sektorëve joqeveritarë, si dhe bashkëpunim ndërkombëtar.
Duhet të zhvillojmë empati për më të varfrit dhe më të prekshmit. Pra, mendoj se duhet guxim politik për të prioritizuar drejtësinë për ata që e kanë më pak.
Bashkëqytetarëve tanë romë, bashkëqytetarëve të mi romë, u them gjithmonë se nuk jeni të huaj, nuk jeni mysafirë në këtë vend. Është shtëpia juaj. Ju nuk meritoni margjinalizim apo diskriminim, por mbështetje të hapur. Ne duhet ta lëmë diskriminimin dhe margjinalizimin në histori. Ne duhet të bëjmë më shumë për barazinë, sepse të drejtat e romëve, duke përfshirë të drejtën për të drejtën civile, të drejtën njerëzore, për një shtëpi dhe banim të mirë, meritojnë respekt.
Në historinë e vështirë, romët kanë kaluar një jetë të vështirë, dhe ende ju si romë tregoni guxim dhe qëndrueshmëri të madhe ndaj vështirësive, aftësi të jashtëzakonshme për t’u përshtatur, një dëshirë për bashkëjetesë. Çfarë do të thotë kjo? Kjo na çon në përfundimin se kur bëhet fjalë për luftën për banim dinjitoz, nuk është vetëm një detyrim rom, por një detyrim shtetëror, njerëzor, politik, qytetar. Sepse çdo shtëpi individuale është pjesë e një mozaiku të quajtur shtëpi sociale!
Pra, duhet ta kuptojmë se banimi ligjor, i sigurt, i denjë nuk është privilegj, është një e drejtë e përgjithshme, një standard i domosdoshëm, është një kusht për jetën personale dhe familjare.
Le të mos qëndrojmë në fund, them unë, vetëm në biseda. Ato janë të rëndësishme, por le të punojmë së bashku në eliminimin e praktikave diskriminuese, si në zonimin. Unë jam një kundërshtar i madh i jetesës në favela. Mendoj se duhet të kemi qasje të ndryshme ndaj ndërtimit, të mbështesim regjistrimin dhe dokumentacionin ligjor, të investojmë në infrastrukturë, ta trajtojmë komunitetin rom si një partner të barabartë në procesin e vendimmarrjes dhe jo si pranues i ndihmës. Kjo është fyese.
Barazia, pra, nuk arrihet vetëm përmes fjalimeve, por përmes veprimeve të matshme, të dukshme dhe të qëndrueshme. Prandaj, në fund, do të doja të falënderoja edhe një herë Komisionin për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi, Institutin Ludwig Boltzmann, për krijimin e kësaj platforme.
Faleminderit të gjithëve, atyre që luftojnë çdo ditë për përfshirje, qasje, drejtësi, për realizim të të drejtës së banimit.
Do të konfirmoj përkushtimin tim ndaj punës, besoj se ajo duhet të rezultojë me një mjedis ku asnjë fëmijë, prind apo familje nuk do të ndihen të përjashtuar për shkak të etnisë së tyre dhe të gjithë do të jenë në gjendje të jetojnë të sigurt dhe me dinjitet në një vend që e quajnë “shtëpia ime”!
Ju faleminderit.