Presidentja Gordana Siljanovska Davkova priti sot në takim përfaqësuesit e Qendrës së Menaxhimit të Ndryshimeve – QMN, të udhëhequr nga Drejtoresha Ekzekutive Neda Maleska-Saçmaroska.
Përfaqësuesit e QMN-së fillimisht e informuan Presidenten Siljanovska Davkova me arsyet dhe qëllimet e iniciativës së tyre për të siguruar qasje falas në botimet elektronike të ligjeve dhe rregulloreve të tjera në “Gazetën Zyrtare” për të gjitha palët e interesuara, të bindur se vetëm një qytetar i informuar mund të jetë një subjekt kritik dhe aktiv.
Gjithashtu, drejtoresha Saçmaroska e informoi Presidenten Siljanovska Davkova se Qendra në fjalë, pas një hulumtimi të plotë, ka përgatitur dy dokumente ku janë analizuar aspektet ligjore dhe financiare të qasjes së hapur në botimin elektronik të gazetës.
Dokumentet, vuri në dukje ajo, ndër të tjera, ofrojnë të dhëna krahasuese mbi përvojat e disa vendeve europiane, të cilat tregojnë qartë përfitimet e qasjes në gazetat e tyre zyrtare.
Presidentja Siljanovska Davkova e përshëndeti idenë e qasjes së papenguar në botimet aktuale elektronike si demokratike, logjike dhe të dobishme në krijimin e një qytetarie të barabartë, të informuar dhe aktive. Për të, disponueshmëria e “Gazetës Zyrtare” nuk është vetëm një mënyrë teknike, por një çështje me rëndësi për demokracinë dhe sundimin e ligjit.
Duke pasur parasysh se kushtetuta jonë, si shumë të tjera, garanton qasje të lirë në informacion, d.m.th., në marrjen dhe transmetimin e lirë të informacionit, bashkëbiseduesit kanë rënë dakord që ofrimi i qasjes së lirë në botimet aktuale të “Gazetës Zyrtare” me siguri do të ketë implikime pozitive mbi transparencën e procesit të vendimmarrjes, përgjegjësinë institucionale dhe personale dhe sigurinë ligjore të qytetarëve.
Në këtë drejtim, Presidentja Siljanovska Davkova vlerësoi se iniciativa të tilla paraqesin një hap dhe kontribut i rëndësishëm në avancimin e politikave publike, veçanërisht kur ato mbështeten nga analiza ligjore dhe financiare, si dhe rekomandime specifike.
Ajo beson se, në procesin e mëtejshëm, të gjitha aspektet ligjore, institucionale, financiare dhe teknike të projektit duhet të merren në konsideratë përmes një debati të gjerë, në kërkim të një zgjidhjeje të mirë, të zbatueshme, të qëndrueshme dhe afatgjatë.






