Presidentja Gordana Siljanovska Davkova priti sot në takim eurodeputetin dhe raportuesin e Parlamentit Europian për vendin, Thomas Weitz, i shoqëruar nga kreu i delegacionit të BE-së, ambasadori Michalis Rokas.
Në këtë takim u diskutua integrimi europian i Maqedonisë, mundësitë dhe kushtet për zhbllokimin e procesit tonë të pranimit, si dhe politika e zgjerimit të Bashkimit Europian, përmes prizmit të kërcënimeve gjeopolitike dhe përdorimit të vetos.
Presidentja Siljanovska Davkova përshëndeti përpjekjet e Weitz për qasje objektive në procesin e raportimti, si dhe qëndrimin e tij të qartë se çështjet dypalëshe duhet të ndahen nga procesi formal i pranimit në Bashkimin Europian.
Në pritje të raportit të KE-së, bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime mbi reformat e nevojshme dhe të mundshme të procesit të zgjerimit, bazuar në problemet e identifikuara.
Për Presidenten Siljanovska Davkova, është e rëndësishme të përshpejtohet dhe mbrohet dinamika e integrimit europian nga pengesat irracionale dhe të mundësohet një mbrojtje më e fortë institucionale e parimit të meritës në procesin e pranimit.
Ajo vuri në dukje në veçanti nenet 4(2) dhe 4(3) të Traktatit të Bashkimit Europian, të cilat parashikojnë respektimin e identitetit kombëtar, strukturave kushtetuese dhe politike, si dhe detyrimin e shteteve anëtare për të bashkëpunuar sinqerisht dhe për të mos minuar objektivat e BE-së, duke arritur në përfundimin se abuzimi i vetos dhe kushtëzimi dypalësh në lidhje me identitetin, historinë dhe gjuhën janë në kundërshtim me këto dispozita.
Presidentja Siljanovska Davkova kujtoi kompromiset tona të vështira dhe të panjohura më parë në dekadat e fundit në interes të integrimit europian, duke kujtuar se jo vetëm që anëtarësimi nuk është arritur, por negociatat as nuk kanë filluar.
Weitz shpjegoi qëllimet e tij të mira, neutralitetin dhe angazhimin ndaj procesit, duke vënë në dukje dominimin e vërtetë të politikës, e njohu plotësisht Presidenten me të gjitha aktivitetet e ndërmarra në lidhje me marrëdhëniet maqedonaso-bullgare, vuri në dukje nevojën për hapa miqësorë që duhen ndërmarrë nga të dyja palët, duke theksuar vendosmërinë e fortë të BE-së për zgjerim.






