Fjalimi i Presidentes Siljanovska Davkova në Debatin e përgjithshëm të sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara

26 Shtator 2024 | Kumtesat

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova mbajti fjalim në Debatin e përgjithshëm të sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, që mbahet me temë “Duke mos lënë askënd pas vete: duke vepruar së bashku për përparimin e paqes, zhvillimit të qëndrueshëm dhe dinjitetit njerëzor për brezat sotshëm dhe për brezat e ardhshëm”.

I nderuar kryetar i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara,

Të nderuar shkëlqesi

Zonja dhe zotërinj,

Ata që e njohin rastin maqedonas dinë për sprovat dhe vuajtjet që ka kaluar dhe po kalon ende atdheu im, shteti i vogël ballkanik, i cili edhe pse në mënyrë indirekte, si një nga gjashtë republikat përbërëse jugosllave, mori pjesë në krijimin e Kombet e Bashkuara, me pranimin në OKB në vitin 1993,u ballafaqua me një padrejtësi të madhe.

Përkatësisht, ai është pranuar nën referencën e përkohshme, Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, por edhe me kushtin shtesë të negocimit për gjetjen e zgjidhjes përfundimtare të kontestit të emrit.

Në vitin 2018 u nënshkrua dhe u ratifikua Marrëveshja e Prespës, e cila u pasua nga referendumi i pasuksesshëm dhe ndryshimet kushtetuese me të cilat  Republika e Maqedonisë formalisht dhe ligjërisht u bë Republika e Maqedonisë së Veriut.

Si profesoreshë e së drejtës kushtetuese dhe si ish-anëtare i Komisionit të Venecias, e di që ajo që është e ligjshme nuk është gjithmonë e drejtë dhe legjitime, sepse në rastin e shtetit tim nuk është vepruar në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe kombëtare, përkatësisht u “harrua” e drejta për vetëvendosjen e çdo kombi, i garantuar me Kartën e OKB-së dhe Kushtetutën e RSFJ-së të vitir 1974.

Vija që ndan legalen nga e drejta ndonjëherë është thjesht një çarje, por herë të tjera është një humnerë e thellë, madje edhe një greminë. Ai hendek, ajo humnerë prek më shpesh dhe më rëndë kombet dhe shtetet e vogla që janë viktimat e para të përplasjes midis forcës dhe drejtësisë, sepse mund të jetë pengesë e pakapërcyeshme për realizimin e së drejtës për përparim.

Natyrisht, emri i ri është një realitet formal-juridik dhe vendi im, Republika e Maqedonisë së Veriut, si shtet anëtar përgjegjës i Kombeve të Bashkuara dhe NATO-s, i përmbush detyrimet e veta ndërkombëtare. Por anëtarësimi në BE, për të cilin po e bën këtë, jo vetëm që nuk u realizua, por qytetarët maqedonas tani janë para një kushti të ri, sërish “kushti i fundit” për një tjetër ndryshim kushtetues, por jo për anëtarësim, por për fillimin e negociatave dhe kjo është hera e dytë!

Për ne, anëtarësimi në BE, pas 20 vitesh negociata dhe madje 16 raportesh pozitive nga Komisioni Evropian, i ngjan zotit Godot, sepse e presim që nga viti 2005, të inkurajuar nga përfaqësues ndërkombëtarë me refren: “vetëm ky kusht”, “vetëm ky lëshim”, “vetëm ky ndryshim kushtetues”. Kështu u bëmë një shtet “sui generis”, me 36 ndryshime kushtetuese në 30 vjet, të ankoruar në rajonin gjeopolitik të quajtur “Ballkani Perëndimor”!

Si vend paqësor, i përkushtuar ndaj fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal, presim mirëkuptim dhe bashkëpunim me fqinjët tanë, pa kërcënimin e vetos, sepse aty ku ka veto, shpeshherë nuk ka drejtësi. Vetoja është kthyer në instrument për bilateralizimin e integrimit evropian, përkatësisht ngecjen e tij. Në kushtet e konfliktit në tokën evropiane, stagnimi i integrimeve evropiane jo vetëm që demotivon qytetarët maqedonas dhe ngadalëson reformat, por edhe destabilizon rajonin e Evropës Juglindore, duke lënë hapësirë ​​për depërtimin e ndikimeve malinje perandorake dhe të fuqive të mëdha.

Zgjerimi duhet të lidhet me kriteret meritokratike të Kopenhagës dhe të çlirohet nga vetoja e lidhur me përpjekjen për të rishikuar historinë dhe për të mosrespektuar identitetin kombëtar dhe kulturor.

Nga partnerët tanë evropianë dhe strategjikë presim mirëkuptim dhe zhbllokim të drejtë të procesit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, refuzim të standardeve të dyfishta dhe respektim të parimeve dhe vlerave tona, të ngulitura në dokumentet bazë kushtetuese.

Ribashkimi evropian është si simfoni e papërfunduar pa ne. Bashkimi Evropian nuk është vetëm sistem politik, por edhe filozofi politike në të cilën besojnë pjesa më e madhe e aktorëve dhe qytetarëve politikë maqedonas dhe ballkanikë. Integrimi është një motiv i fuqishëm dhe forcë kyçe për zhvillimin demokratik. Integrimi i plotë i Ballkanit në BE do t’i japë fund rivizatimit të pafund të kufijve dhe ballkanizimit si fenomen. Por, kuptohet që, shtetet ballkanike duhet të sillen sipas standardeve evropiane, duke u lidhur dhe bashkëpunuar rajonalisht. Përvoja është e vlefshme dhe pritet ndihma e vendeve të rajonit që janë bërë pjesë e BE-së, si dhe e atyre që janë në rrugën e vendosur evropiane. Duhet të mësojmë të mbështesim njëri-tjetrin, si në rastin e kovidit, përmbytjeve dhe zjarreve, në vend që të bllokojmë njëri-tjetrin në rrugën evropiane. Homo Balkanicus mund të jetë Homo Europicus, kur të dojë!

Të nderuar shkëlqesi

Linja që ndan legalen  nga e drejta nuk shkon vetëm në rastin maqedonas, por edhe në pothuajse të gjitha çështjet që janë në agjendën e Kombeve të Bashkuara, duke përfshirë ato që janë në temën e debatit të përgjithshëm të këtij viti: “Duke mos lënë askënd pas vete: duke vepruar së bashku për përparimin e paqes, zhvillimit të qëndrueshëm dhe dinjitetit njerëzor për brezat  sotshëm dhe për brezat e ardhshëm”.

Ballafaqohemi me çështje të mëdha:

  1. Të filloj nga më e rëndësishmja: Paqja A është e mundshme paqja e drejtë kur ballafaqohemi gjithnjë edhe me më shumë luftëra dhe me shkelje flagrante të Kartës së Kombeve të Bashkuara? A është e mundshme paqja e drejtë me militarizimin gjithnjë dhe më të thellë të politikës dhe me garën e re të armatimit?
  2. A është i mundshëm dinjiteti njerëzor në ambient me standarde të dyfishta, kur jeta njerëzore nuk vlerësohet barabar dhe kur vuajtjet e viktimave të pafajshme në konflikte nuk trajtohen njëjtë?
  3. Si do të arrijmë zhvillim të drejtë, të futur në garën për fitim në llogari të popujve të planetit, kur sakrifikohen resurset globale, të margjinalizuar, të hedhur në periferi, të harruar në politikat dhe aksionet nacionale dhe korporative?
  4. Si të arrihet drejtësia sociale në kushte të pabarazisë ekonomike, arsimore, gjinore dhe digjitale, gjithnjë në rritje, midis shteteve dhe në vetë shtetet, me një numër gjithnjë dhe më të vogël të fituesve dhe një numër gjithnjë dhe më të madh të humbësve të globalizimit dhe digjitalizimit, të parët të zhytur në dekadencë, kurse të dytët në pauperizim?
  5. Si do të sigurojmë drejtësi të brezave nëse vazhdojmë me eksploatimin e papërgjegjshëm dhe të pakontrolluar të resurseve të kufizuara? Si do të krijohet e ardhshme e sigurt dhe e qëndrueshme për trashëgimtarët tanë, nëse vazhdohet me praktikat prodhuese ekocide dhe me shprehitë konsumuese që e lënë botën të mbytur nga ndotja e ajrit, të helmuar me pesticide dhe të ndotur me plastikë?
  6. Me nivelin alarmant të emetimeve të gazrave serrë që çojnë me shpejtësi në ndryshime katastrofike klimatike, a mund të flasim edhe për qëndrueshmëri apo duhet të fillojmë të mendojmë për mbijetesën/aftësinë për të jetuar? (sustainability vs. habitability).

Problemi kryesor është se të gjitha këto padrejtësi janë sistematike, që do të thotë se nëse nuk legalizohen, atëherë tolerohen në heshtje. Ajo që është e ligjshme, për fat të keq, nuk është gjithmonë e drejtë dhe morale, ta përsërit edhe një herë.

Pse është kështu? Në dialogun më të famshëm për pushtetin dhe drejtësinë, Tukiditi kujton se “drejtësia është fjalë që ka vlerë në mosmarrëveshjet midis njerëzve vetëm kur të dyja palët kanë forcë të barabartë; në raste të tjera, të fortët bëjnë atë që munden, dhe të dobëtit bëjnë atë që duhet”.

Por Kombet e Bashkuara ekzistojnë që të fisnikërojnë botën mizore tukidease, duke siguruar barazi ligjore midis kombeve, duke zbutur fuqinë e të mëdhenjve dhe duke mbrojtur kombet e vogla. Kjo barazi ligjore është një parakusht për arritjen e qëllimeve më të larta të Kombeve të Bashkuara – paqen dhe sigurinë, të drejtat e njeriut dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Kombet e Bashkuara ekzistojnë për të tejkaluar, ose të paktën për të ngushtuar hendekun midis të ligjshmes dhe të drejtës.

Jemi përpara një sfide të madhe: si mundet e ligjshmja të bëhet e drejtë, përkatësisht e drejta e ligjshme? Dhe si të implementohet, ajo që është e ligjshme dhe e drejtë?

Të nderuar të pranishëm,

Nuk ka zgjidhje të thjeshta, të lira dhe pa dhimbje për këtë sfidë të dyfishtë.  Këtu, në këtë sallë solemne të Asamblesë së Përgjithshme, prej vitesh liderët botërorë kanë ndarë pritshmëritë dhe zhgënjimet e tyre nga Kombet e Bashkuara, që jo rrallë herë lëkundet midis dy vlerave – optimizmit utopik, nga njëra anë, dhe pesimizmit nihilist, nga ana tjetër. Por realiteti është kompleks dhe përmban edhe suksese edhe dështime.

Kombet e Bashkuara kanë parandaluar një luftë të re botërore, por nuk kanë arritur të parandalojnë konfliktet rajonale, duke përfshirë luftën në Ukrainë dhe gjakderdhjen në Lindjen e Mesme, skenat e të cilave i ngjajnë “Guernicës” së Pikasos.

Organizata botërore ka nxjerrë miliona njerëz nga varfëria, por ende nuk po arrin të zhdukë urinë.

Me të drejtën e vetëvendosjes, ajo përshpejtoi procesin e dekolonizimit, por nuk arriti të kapërcejë hendekun midis Veriut të pasur dhe Jugut të varfër.

Kombet e Bashkuara janë nxitësi kryesor për zgjidhjen e krizave globale të sigurisë, migracionit, shëndetit, mjedisit, energjisë dhe klimës, por pothuajse asnjë prej tyre nuk zgjidhet plotësisht dhe me drejtësi.

Rezolutat e kësaj Asambleje të përgjithshme pasqyrojnë vullnetin e shumicës së kombeve, por nuk ndiqen gjithmonë me përpikmëri.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është instanca e fundit e drejtësisë ndërmjet shteteve, megjithatë vendimet e saj nuk zbatohen gjithmonë, madje as trajtohen si këshilla.

Bota po kalon një transformim të trazuar gjeopolitik, ekonomik, shkencor, teknologjik dhe industrial, në të cilin njeriu ka një ndikim të madh mbi planetin. Kam frikë se po e shkatërron Kopshtin e Edenit dhe do të dëbohet përsëri prej tij nëse Kombet e Bashkuara nuk e ndihmojnë.

Por kompetencat, strukturat dhe procedurat e Kombeve të Bashkuara duket sikur kanë ngrirë në kohën e themelimit të saj në 1945. Në vend të rritjes së bashkëpunimit dhe veprimit për çështjet urgjente, po intensifikohen rivaliteti gjeopolitik dhe një garë e re armatimesh që po na shtyjnë me shpejtësi drejt një shteti që i ngjan një lufte të re, të dytë të ftohtë dhe të botës Orveliane!

Rrallëherë kemi pasur nevojë për Kombet e Bashkuara sa sot. E megjithatë, rrallë Kombet e Bashkuara kanë qenë kaq të margjinalizuara politikisht sa sot.

Zonja dhe zotërinj, të nderuar kolegë

Që të tejkalojmë këtë margjinalizim politik, nevojitet një frymë e re multilateralizmi që do të zbusë rivalitetet gjeopolitike dhe do të rrisë besimin dhe bashkëpunimin midis shteteve rreth sfidave të përbashkëta. Ai multilateralizëm mbështetet në tri shtylla.

  1. E para është respektimi i vazhdueshëm i Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe ligjit ndërkombëtar që ekziston për të mbrojtur më të dobëtit nga instinktet grabitqare të më të fortëve.

Në këtë kontekst, shteti maqedonas qëndron fuqishëm në qëndrimin se pretendimet territoriale dhe përpjekjet për të fituar territor me dhunë janë shkelje flagrante e Kartës së Kombeve të Bashkuara. Kur precedentët e rrezikshëm nuk kundërshtohen, ata shndërrohen në praktika të toleruara që kërcënojnë paqen dhe sigurinë botërore. Prandaj, ne i mbështesim përpjekjet për një paqe të qëndrueshme, të drejtë dhe të përhershme në Ukrainë, të bazuar në të drejtën ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Kartën e Kombeve të Bashkuara. Në këtë drejtim, ne kemi respektuar plotësisht Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian.

Kjo është e rëndësishme për ne, sepse luftërat dhe konfliktet ndikojnë gjithashtu mbi paqen dhe stabilitetin e Evropës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor. Multilateralizmi varet edhe nga respektimi i marrëveshjeve ndërkombëtare. Si një vend i përkushtuar ndaj fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal, ne i respektojmë marrëveshjet bilaterale me fqinjët tanë dhe presim që fqinjët tanë të respektojnë marrëveshjet pa keqpërdorur të drejtën e vetos.

  1. Shtylla e dytë e multilateralizmit është zbatimi i qëndrueshëm i Qëllimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Marrëveshjes së Parisit dhe Kornizës të Sendait për Reduktimin e Rrezikut nga Fatkeqësitë.

Në nivel kombëtar, me mbështetjen e Kombeve të Bashkuara dhe agjencive të tyre, ne po e inkorporojmë Agjendën 2030 në strategjitë, politikat dhe ligjet tona afatgjata të zhvillimit. Kryesisht në agjendën tonë janë veprimi mbi klimën dhe një tranzicion i gjelbër dhe i drejtë, barazia gjinore dhe lufta kundër diskriminimit ndaj grave dhe vajzave, si dhe përfshirja e të rinjve në proceset vendimmarrëse. Dy të tretat e Qëllimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm lidhen drejtpërdrejt me legjislacionin evropian, kështu që Kombet e Bashkuara na ndihmojnë të zbatojmë reformat evropiane. Dhe për këtë ne u jemi mirënjohës atyre.

  1. Shtyllën e tretë të multilateralizmit të ri e shoh në një përkushtim më të madh për të reformuar Kombet e Bashkuara, që do të jenë reforma thelbësore, jo kozmetike dhe korrigjuese, që do të zhbllokojnë potencialin e Kombeve të Bashkuara dhe do të mundësojnë zërin e çdo shteti, të madh apo të vogël, që të dëgjohen dhe të vlerësohen njësoj.

Grupi i parë i reformave duhet të ndihmojë në harmonizimin e Kombeve të Bashkuara me sfidat e reja dhe prioritetet e reja të zhvillimit. Ngjarjet ekstreme gjithnjë e më të shpeshta të motit të shkaktuara nga ndryshimet klimatike janë vetëm një prelud i asaj se çfarë e ardhme na pret ne dhe pasardhësit tanë, nëse qëndrimi i njerëzimit ndaj natyrës dhe planetit nuk ndryshon rrënjësisht. Ne kemi nevojë për një kontratë të re shoqërore, siç thotë Zhan Zhak Ruso, por edhe një kontratë të re natyrore (Natural Contract), siç thotë Mishel Sera, me të cilën do ta trajtojmë natyrën si partner!

Grupi i dytë i reformave do të mbulonte strukturat dhe procedurat e Kombeve të Bashkuara, duke filluar nga rregullat e votimit, nëpërmjet financimit, deri te autonomia e Sekretarit të Përgjithshëm. Siç thashë, ku ka veto, nuk ka drejtësi. Është fakt i padiskutueshëm që e drejta e vetos është e ligjshme, por pyetja është se sa e drejtë është ajo, kur përdoret për të paralizuar procese nga të cilat varet përmbushja e qëllimeve të Kartës dhe pritshmëritë e popujve të botës? Është e nevojshme që Asambleja e Përgjithshme të marrë një rol më të madh në vendimmarrje, si organ përfaqësues i kombeve, në frymën e: We, the Peoples, We, the Nations! Legjitimiteti i Këshillit të Sigurimit buron nga Asambleja e Përgjithshme, prandaj duhet të funksionojë si një lloj koalicioni qeveritar i kombeve!

Grupi i tretë i reformave do të përforconte mekanizmat e Kombeve të Bashkuara për mbrojtjen e popullatave dhe grupeve vulnerable, gjë që është veçanërisht e rëndësishme sot, kur numri i viktimave dhe refugjatëve është në nivelin më të lartë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Të nderuar të pranishëm

Vitin e ardhshëm 2025 do të festojmë 80 vjetorin e themelimit të Kombeve të Bashkuara.  Ky vit është thirrja e fundit.  Kombet e bashkuara ose do të bëhen motor i cili do ta lëvizë botën drejt një rendi më human, më të drejtë më të qëndrueshëm, të bazuar në sundimin inkluziv dhe të përgjegjshëm, ose do të shndërrohen në një strukturë pasive burokratike që varet nga aktorët kryesorë në proceset dhe marrëdhëniet gjeopolitike.

Vetëm Kombet e Bashkuara, të reformuara thelbësisht, mund ta tejkalojnë humnerën midis të ligjshmes dhe të drejtës dhe të kontribuojnë për një botë të transformuar në mënyrë të vërtetë ku askush nuk do të lihet vetë dhe harrohet.  Like in the song of John Lennon “Imagine”.

Ju faleminderit.

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Presidentja Siljanovska Davkova mbajti fjalim në konferencën “Bankat qendrore dhe puna e bankës qendrore në një mjedis kompleks: Dëshmimi i përkushtimit dhe mirëmbajtja e kredibilitetit”

Presidentja Siljanovska Davkova mbajti fjalim në konferencën “Bankat qendrore dhe puna e bankës qendrore në një mjedis kompleks: Dëshmimi i përkushtimit dhe mirëmbajtja e kredibilitetit”

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova, sot, mbajti fjalim në konferencën e 10-të ndërkombëtare “Bankat qendrore dhe puna e bankës qendrore në një mjedis kompleks: Dëshmimi i përkushtimit dhe mirëmbajtja e kredibilitetit” që me organizim nga Banka Kombëtare e...