Urimi i Presidentes Dr. Gordana Siljanovska Davkova me rastin e 8 shtatorit – Ditës së Pavarësisë së Maqedonisë

8 Shtator 2026 | Kumtesat

Të nderuar qytetarë,

35 vjet më parë përjetuam Ilindenin tonë të tretë, agimin në të cilin ëndrra shekullore për një shtet të lirë dhe të pavarur maqedonas më në fund u bë realitet. Me referendumin historik të 8 shtatorit 1991, ne, qytetarët e Maqedonisë, përfunduam punën e ilindenasve dhe  pjesëmarrësve në KAÇKM, duke krijuar shtëpinë tonë kombëtare dhe të përbashkët qytetare pavarësisht nga etnia dhe feja.

Sot, me mirënjohje dhe nderim të thellë, kujtojmë të vërtetën historike se arritja më e madhe dhe më e rëndësishme për një popull është të ketë shtetin e vet, sovran dhe demokratik, që do ta mbrojë lirinë, identitetin dhe dinjitetin e tij dhe do të punojë për prosperitetin e tij. Tani, mbijetesa dhe e ardhmja e tij varen vetëm prej neve.

Edhe pse u shpall përgjithmonë, shteti i pavarur nuk është një e kaluar e përsosur, por një e tashme që zgjat. Ai filloi me vendimin e referendumit si një detyrë e rëndësishme e përditshme, e palodhur për çdo gjeneratë për ta ruajtur, ndërtuar dhe zhvilluar atë.

Pavarësia e Maqedonisë mbështetet mbi tri shtylla: e para është besimi i çdo qytetari në shtetin e tij dhe në aftësinë e institucioneve të tij për të mbrojtur të drejtat, për të siguruar drejtësi dhe për të ofruar mundësi të barabarta për të gjithë; e dyta është besimi i ndërsjellë midis neve, qytetarëve, si një fije njerëzore që na mban të bashkuar, pavarësisht nga dallimet etnike, fetare, gjuhësore dhe çdo ndryshim tjetër, dhe e treta është – besimi i pashtershëm, i sinqertë dhe i palëkundur në të ardhmen e Maqedonisë.

Në këtë frymë festive dhe optimiste, më lejoni t’ju kujtoj se faqet e së kaluarës dhe të së tashmes sonë shënojnë suksese të shumta në shumë fusha. Ne kemi krijuar institucione funksionale dhe kemi zhvilluar vetëdijen për të mirën e përbashkët dhe interesin shtetëror dhe kombëtar. Ne kemi krijuar një armatë sipas kritereve të NATO-s që garanton sigurinë tonë. Ne kemi zhvilluar dhe po zhvillojmë një ekonomi që është e qëndrueshme ndaj presioneve dhe e hapur ndaj tregjeve botërore. Ne kemi fituar miq dhe partnerë strategjikë që na mbështesin në rrugën tonë të e gjatë europiane plot me gjemba. Kemi vetëdije të qartë për përkatësinë europiane dhe qëllim strategjik për anëtarësim në BE.

Derisa festojmë ditën e madhe, edhe një herë konkludojmë se gjatë tri dekadave e gjysmë të fundit u përballuam me sprova të vështira, bllokada dhe standarde të dyfishta, të cilat kanë stimuluar procese dhe probleme të brendshme të padëshiruara.

Një nga më të mëdhatë është emigrimi i të rinjve në kërkim të një jete më të mirë. Me çdo largim, një fije në pëlhurën tonë këputet, ndërsa çdo bankë e zbrazët shkollore paraqet kujtesë e heshtur se po humbasim ata që ishin dhe janë ende shpresa jonë më e madhe.

E vërteta e dhimbshme nuk duhet të na paralizojë, por duhet të na mobilizojë. Shteti nuk është vetëm sistem institucionesh. Njerëzit janë shteti. Ne kemi përgjegjësi gjeneratash për të përfunduar detyrat urgjente: t’i çrrënjosim krimin dhe korrupsionin, të vendosim një sundim të pakompromis të ligjit dhe të krijojmë shoqëri paqësore dhe të drejtë me qytetarë të barabartë dhe të drejtë, pavarësisht nëse janë maqedonas, shqiptarë, turq, vllehë, serbë, romë, boshnjakë dhe të tjerë. Betimi i KAÇKM-së na mëson: “ÇFARË MAQEDONI DO TË NDËRTOJMË, TË TILLËN DO TA KEMI”. Askush tjetër nuk do ta rregullojë shtëpinë tonë përveç vetes!

Sot, më shumë se kurrë më parë, na duhet shpresë proaktive, konstruktive, besim se me forcën tonë mund dhe duhet t’i përmirësojmë gjërat. Vizioni ynë është shtet europian, i qëndrueshëm dhe i përparuar, por mbi të gjitha, atdhe në të cilin të rinjtë nuk do të paketojnë valixhet e tyre, por përkundrazi, këtu do të krijojnë familje dhe do të krijojnë të ardhmen.

Është koha për t’i relativizuar gjeografinë dhe kufijtë dhe për lidhje më të thellë me diasporën tonë, për t’i bashkuar të gjithë njerëzit e zgjuar, krijues dhe të guximshëm me origjinë maqedonase në ndërtimin e atdheut si shtëpi e përbashkët e mirë, dinjitoze dhe e begatë.

Me krenari dhe gëzim të veçantë, ju përgëzoj për festën e madhe të 8 shtatorit, ditën kur qytetarët e Maqedonisë përmbushën me guxim dhe përgjegjësi trashëgiminë e ilindenasve dhe pjesëmarrësve në KAÇKM, si dhe në mënyrë demokratike, në referendum, me një shumicë dërrmuese u deklaruan për një SHTET SOVRAN DHE TË PAVARUR TË MAQEDONISË!

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit