Presidentja Gordana Siljanovska Davkova, në suazat e kremtimit të 153-vjetorit të lindjes së Goce Dellçevit, sot në Shtip e vizitoi Univerzitetin “Goce Dellçev”.
Presidentja vendosi lule pranë përmendores së Goce Dellçevit, që ndodhet para rektoratit të universitetit.
Ajo mori pjesë në programin solemn për nder të lindjes së revolucionarit maqedonas dhe u takua me rektorin e Universitetit “Goce Dellçev”, prof. dr. Dejan Mirakovski, ku morën pjesë kryetari i Komunës së Shtipit, Ivan Jordanov, deputetë, dekanë nga Administrata e Rektoratit dhe përfaqësues nga Kuvendi i studentëve të Universitetit.
Presidentja Siljanovska Davkova, duke theksuar se si profesoreshë sot është në vendin e duhur – në Universitetin me emrin Goce, në deklaratën për mediat theksoi se Goce Dellçevi është i pandashëm nga populli maqedonas, se edhe pas 153 vjetësh është ende gjallë dhe se historia e Goces do të vazhdojë edhe për 153 vitet e ardhshme.
Ajo e theksoi lidhjen e pandashme midis Goces dhe republikës maqedonase.
Duke e quajtur si mësues mbi mësuesit, Presidentja theksoi se roli i madh i Goce Dellçevit nuk është vetëm për shkak të guximit të tij si udhëheqës dhe luftëtar për lirinë e popullit maqedonas, por edhe të mendimit të tij përparimtar, i cili është aktual edhe sot.
Duke përmendur mesazhet dhe citimet e tij të njohura, ajo shtoi se Dellçevi na ka lënë amanet që të konkurrojmë kulturalisht me të tjerët, sepse kjo është forca e kombeve të vogla.
Gjatë vizitës së saj në qytet, Presidentja vizitoi edhe Muzeun e veprimtarëve të VMRO-së nga Shtipi dhe rajoni i Shtipit.