Presidentja Siljanovska Davkova në 80-vjetorin e e çlirimit të Aushvic-Birkenaut: Asnjë krim nuk duhet të harrohet

27 Janar 2025 | Kumtesat

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova mori pjesë në festimin e 80-vjetorit të çlirimit të kampit nazist gjerman të përqendrimit dhe shfarosjes Aushvic-Birkenau, në periferi të qytetit polak Osviencim, afër Krakovës.

Në deklaratën për mediat, Presidentja Siljanovsa Davkova vlerësoi se prania në festimin e Aushvicit është mundësi për epifani dhe vetëdijesim kolektiv për peshën e krimit të kryer. Rikujtimi i holokaustit është i rëndësishëm që të mos përsëritet kurrë më.

“Nuk duhet të ketë fëmijë, të ri, të moshuar që nuk e di çfarë është holokausti. Nuk duhet të ketë, sepse memoria ndonjëherë, nëse nuk kujdesesh ose nëse nuk ushqehet mund të fshihet, ose mund të shndërrohet në diçka tjetër.  Gjithçka fillon me problematizimin, së pari me numrat, pastaj me proceset dhe ngjarjet dhe në fund dikush mund të mendojë se mund ta fshijë krimin.  Jo, asnjë krim nuk duhet të fshihet, asnjë krim nuk duhet të harrohet”, deklaroi Presidentja.

Presidentja e rikujtoi edhe fatin tragjik të hebrenjve maqedonas që përfunduan në kampin Treblinka dhe bëri thirrje për vendosjen e traditës së vizitave të organizuara në këtë kamp.

“Ata janë pjesë e identitetit tonë dhe ne duhet të krijojmë një traditë të vizitës së Treblinkës për t’i bërë nderimet tona, në mënyrë që respekti të bëhet pjesë e diçkaje që ne praktikojmë dhe të rikujtojmë duke thënë se jo vetëm që nuk besojmë se një gjë e tillë do të ndodhë, por do të tregojmë se sa të jemi gjallë dhe ata pas nesh kurrë, askush nuk duhet të lejojë një gjë të tillë.

Ngjarja përkujtimore në Memorialin dhe Muzeun “Aushvic-Birkenau” filloi me fjalime përshëndetëse dhe dëshmi nga të mbijetuarit, kurse në suazat e ngjarjes përkujtimore mbajti fjalim përshëndetës Presidenti i Kongresit Botëror Hebraik, Ronald Lauder dhe Drejtori i Memorialit dhe Muzeut “Aushvic-Birkenau”, Pjoter Civinski.

Duke lexuar lutjet dhe duke ndezur qirinj, të pranishmit bënë homazhe për viktimat e holokaustit përpara një vagoni treni mallrash, të vendosur para portës kryesore të kampit Aushvic II-Birkenau, si simbol i përkujtimit të përvjetorit.

Si pjesë e përkujtimit, u organizua program i veçantë muzikor, me interpretime nga muzikantë, kompozitorë, pianistë dhe dirigjentë të shquar nga Gjermania, Polonia dhe Republika Çeke, të gjithë me origjinë hebraike

Në ngjarjen përkujtimore, e cila u zhvillua në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, morën pjesë rreth pesëdhjetë krerë shtetesh dhe qeverish nga e gjithë bota, zyrtarë të lartë qeveritarë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, si dhe të mbijetuar të Aushvicit.

Aushvici është sot sinonim i Holokaustit, terrorit, gjenocidit dhe krimeve të Luftës së Dytë Botërore. Nazistët gjermanë vranë rreth 1.1 milion njerëz në këtë kamp, ​​kryesisht hebrenj, por edhe polakë, romë, robër lufte sovjetikë dhe njerëz të kombësive të tjera. Në vitin 1945, ushtarët e Ushtrisë së Kuqe Sovjetike çliruan rreth shtatë mijë e gjysmë të mbijetuar nga Aushvici.

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit