Presidentja Gordana Siljanovska Davkova priti sot në takim përfaqësuesit e Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve për Europën (ALDE) nga Parlamenti Europian, pjesëmarrës në konferencën ndërkombëtare “Quo vadis Europa 2025?”, që u mbajt në Shkup.
Të ftuarit konfirmuan angazhimin e qartë të grupit ALDE për zhbllokimin e rrugës së integrimit europian të Maqedonisë, si dhe integrimin e shpejtë dhe të plotë të Ballkanit Perëndimor në BE, duke kërkuar zgjidhje krijuese në këtë moment jashtëzakonisht të vështirë gjeopolitik.
Presidentja Siljanovska Davkova, përmes prizmit të parimeve dhe vlerave të garantuara nga aktet kushtetuese europiane, prezantoi pikëpamjet dhe propozimet e saj për një rrugëdalje nga bllokada.
Të ftuarit shprehën jo vetëm interes, por edhe gatishmëri për të ndihmuar në kapërcimin e status quo-së së paqëndrueshme në të cilën ndodhemi, duke iniciuar zgjidhje të mundshme brenda Parlamentit Europian.
Presidentja Siljanovska Davkova përshëndeti qasjen konstruktive të grupit ALDE, në frymën e parimeve dhe vlerave demokratike europiane.
Në këtë takim morën pjesë Svenja Hahn, Presidente e grupit ALDE dhe eurodeputete gjermane, Rick Dams, Zëvendëspresident i grupit ALDE dhe ish-President i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Vesna Pusiq, Presidente e parë e Rrjetit të Liberalëve nga Europa Juglindore (LIBSEN) dhe ish-Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Jashtme e Kroacisë, Monika Zajkova, Presidente e Partisë Liberale Demokratike, dhe Emil Kirjas, Zëvendëspresident i Internacionales Liberale.






