Presidentja Siljanovska Davkova në festimin e 135-vjetorit të lindjes së dr. Anastas Kocarev

26 Mars 2025 | Fjalimet

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova mori pjesë dhe mbajti  fjalim sot në ngjarjen kushtuar 135-vjetorit të lindjes së dr. Anastas Kocarev, onkolog i njohur në botë, i lindur në Maqedoni.

Përvjetori i lindjes së tij po shënohet njëkohësisht në Shkup dhe në Paris, ku para disa vitesh u zbulua varri i tij.

Ngjarja filloi me një minutë heshtje në nder të të rënëve në zjarrin katastrofal në Koçan.

Në vijim është teksti i fjalimit të Presidentes Siljanovska Davkova.

Këto ditë mungojnë fjalët dhe një gjë e di – derisa të jem gjallë, do ta mbaj këtë barrë dhe këtë dhimbje. Nuk do t’i harroj asnjëherë.

Anastas Kocarev është dëshmi se shkencëtarët e mëdhenj e fshijnë dallimin midis shteteve të vogla dhe të mëdha dhe të voglin e bëjnë të madh.

Nga njëra anë, unë ndihem e madhe, i madh dhe madhështore kur flas për një maqedonas me famë botërore, ndërsa nga ana tjetër e kuptoj ambivalencën e përkatësisë kombëtare kur flas për një shkencëtar emigrant, me profil ndërkombëtar, gjeniu i të cilit është një shenjë e qytetërimit dhe i përket botës, sepse zotëron një mendje, siç thotë Tihon, më të shpejtë se drita, dijen dhe mendimin që kanë udhëtuar nëpër shekuj dhe që sot janë me ne. Unë besoj se edhe sot ai udhëton nëpër univers, duke formuar yjësinë maqedonase-franceze-zvicerane të Kocarevit.

Gjithmonë kam besuar se ka diçka të veçantë në Ohër, jo se kam lindur në Ohër. Anastasi është një ohridas i veçantë, i rritur në një familje të vjetër dhe me emër. Rrugëtimin e tij arsimor e nisi në qytetin e lindjes, e vazhdoi në Selanik, ndërsa diplomën e mjekësisë dhe dy doktoraturat i ka marrë njërën në Gjenevë, tjetrën në Paris, ku u bë asistent dhe docent në klinikën universitare. Karriera e çoi në Paris, ku – e nëse jo atje – te profesoresha dhe drejtoresha e Laboratorit të Radiumit në Universitetin “Sorbonë”, nobelistja Maria Skllodovska-Kiri. Për fat të keq, ai ndërroi jetë i ri në vitin 1931, ndoshta si pasojë e një vdekjeje të lidhur me punën e tij.

Kjo fushë në të cilën ai ka qenë i jashtëzakonshëm nuk është e afërt për mua, dhe pikërisht për këtë jam e mahnitur. E di se preokupimi i tij shkencor ka qenë diagnostikimi dhe trajtimi i kancerit nëpërmjet përdorimit të radiumit, të cilin unë e fajësoj për vdekjen e tij të hershme.

E di që ai është shkencëtari i parë që ka realizuar një rëntgenografi në pllaka fotografike të një pacienti me kancer. Por nuk e kam shumë të qartë çfarë do të thotë kjo. Por një gjë është e qartë.  Për ne, maqedonasit, dr. Koçarev është i njohur si një zoon politikon i vërtetë dhe frymëzues, një aktivist politik maqedonas i guximshëm dhe i mprehtë në Zvicër dhe Francë. Ai është iniciatori dhe udhëheqësi i bashkimit të shoqatave maqedonase në Cyrih dhe Lozanë, në Shoqatën e Përbashkët të Maqedonasve për një Maqedoni të pavarur, ku më vonë u bë edhe kryetar. Konferenca e Versajës që u përmend tashmë – po, ai është njeriu që paraqiti kërkesën për krijimin e një komisioni me tre anëtarë që do t’i përfaqësonte interesat e popullit maqedonas, por dhe ai që dorëzoi një numër të madh peticionesh për zgjidhjen e drejtë të çështjes maqedonase.

Shumë herë më keni dëgjuar teksa i referohem parimit të Uilsonit dhe të drejtës për vetëvendosje dhe jo vetëm historianët, por edhe ne politologët dhe juristët e dimë mirë çfarë nënkupton e drejta për vetëvendosje. Përndryshe, pikërisht mbi bazën e së drejtës për vetëvendosje, populli maqedonas hyri në Federatën Jugosllave dhe duke iu referuar së njëjtës e drejtë, doli prej saj. Diçka për të reflektuar. Të gjithë e dimë se vetëvendosja nënkupton të drejtën për Kushtetutë të vetën, për emër, për flamur, për himn, për sistem politik. Dhe kjo është diçka të cilës i drejtohemi dhe vazhdojmë do t’i drejtohemi, edhe në rastin e popullit dhe të shtetit të Ukrainës.

Mendja e tij brilante e kishte Nobelin për Mjekësi në prag midis dy luftërave botërore.

Anastas Kocarev është ende pionier i cituar në radiografi dhe onkologji – kjo për mua e bën atë një shkencëtar të përjetshëm, një figurë ndaj së cilës njerëzimi i ka shumë borxh për të mirat që i ka dhënë.

Për mua ai është mishërimi i fuqisë së shkencës, e cila nuk njeh kufij, dhe i udhëhequr nga maksima “ubi bene, ibi patria”, por kurrë nuk e harroi patria-n e tij, Anastasi lidhi Maqedoninë, Francën dhe Zvicrën.

Jam shumë e lumtur që sot këtu janë të pranishëm ambasadori francez dhe ambasadorja zvicerane.

Ajo që dua të them është se kjo festë e përbashkët maqedonase-franceze-zvicerane për nder të shkencëtarit të madh, në praninë e tyre, pikërisht e manifeston dhe e dëshmon fuqinë e jashtëzakonshme bashkuese të shkencës. Prandaj, unë shpesh them se investimet në shkencë janë investimet më të mira.

Anastasi është burimi i frymëzimit shkencor nga Ohri.

Për zbuluesit parizianë të “Maqedonasve të Harruar” dhe për mikpritësit nga Muzeu i Luftës Maqedonase për Pavarësi në Shkup, u uroj sukses në shkrimin e romanit-lumë, siç thonë francezët, të kësaj odiseje të shumë mendjeve të njohura e të panjohura që herët a vonë ndriçojnë dhe zënë vend në historinë maqedonase.

E përshëndes fuqishëm partneritetin maqedonas-francez ndërmjet Komunës Bondi dhe Ohrit, dhe shpresoj të shoh rrugë e sheshe me emrin e tij, dua të qëndroj dhe të përulem para një memoriali kushtuar Kocarevit, dua të shoh shenja përkujtimore me emrin e këtij gjigandi shkencor.

Kuptohet, kam një mall të thellë që shpirti i bujshëm dhe rebel i Anastas Kocarevit të kthehet në shtëpi, në Ohër!

Në fund, një mësim. Nuk e di nëse është mallkim, por për më të mirët ndër maqedonas mësojmë gjithmonë vonë. Prandaj, falë Institutit të Kimisë, pata mundësinë të dëgjoj një mesazh video nga Svetllana Mojsov nga Universiteti i Nju Jorkut. Dhe të zbuloj, të mësoj se ajo ka qenë pjesë e dy ekipeve që janë nderuar me Çmimin Nobel për Mjekësi, dhe them, a nuk duhet që ne, me kohë, sepse dëgjoj se edhe tani Svetllana, me hulumtimet e saj për lipidet dhe diabetin, ka mundësi reale të shkëlqejë si kandidate për Çmimin Nobel, të dimë t’i mbrojmë, t’i nderojmë dhe t’i festojmë më të mirët tanë, në kohë.”

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit