Pas vizitës së sotme në zonën e zjarreve në Rajonin e Negotinës dhe takimit me përfaqësuesit e Armatës në afërsi të poligonit ushtarak Pepelishte, pasdite Shtabi i Përgjithshëm i Armatës e informoi Presidenten Gordana Siljanovska Davkova se vazhdon lufta me stuhinë e zjarrit ku përfaqësuesit e Armatës në koordinim me të gjitha subjektet e përfshira shtetërore janë angazhuar në disa lokacione, para së gjithash në malin Serta, kurse një ekip këtë pasdite u nis drejt Radovishit, si dhe një ekip në rajonin e fsh. Dragoevo dhe fsh. Shtërkalevo në drejtim të Krivollakut.
Armata deri më tani po vepron me 100 pjesëtarë të batalionit të dytë të këmbësorisë dhe me dy helikopterë të ushtrisë MI-8/17 të cilët janë të angazhuar në lokacione sipas udhëzimeve të Qendrës për menaxhimin e krizave.
Si rrjedhim, në ditën e parë të aktivitetit të armatës janë hedhur 44 tonë ujë, dje 17 fluturime me 34 tonë ujë dhe sot deri në këtë moment 28 fluturime dhe janë hedhur 52 tonë ujë. Forcat maqedonase veprojnë në këtë zonë me ndihmën e avionëve të Turqisë, Serbisë dhe Malit të Zi.
Përfaqësuesit e ARM-së mbeten në terren ku në bashkëpunim me institucionet qeveritare do të vazhdojnë të luftojnë kundër kërcënimit të jetës së qytetarëve dhe të mirës publike.
Gjatë angazhimit, të cilin përfaqësuesit e Armatës e kryejnë në mënyrë jashtëzakonisht profesionale, të guximshme dhe vetëmohuese, respektohen të gjitha procedurat dhe masat për sigurinë dhe mbrojtjen personale që janë përcaktuar në përputhje me trajnimin kundër zjarrit që i nënshtrohen të gjithë pjesëtarët në kuadër të trajnimeve të rregullta.