Sot, në Zyrën Popullore në Shkup, Presidentja Gordana Siljanovska Davkova u takua me përfaqësues të Shoqatës së Veteranëve të Luftës dhe Invalidëve të Luftës “Bratstvo 2001”.
Në këtë takim, morën pjesë Vlado Tomeski, president i shoqatës, Petar Jançevski, Miki Ristovski dhe Sashko Golubovski.
Sipas tyre, Ligji i të Drejtave të Veçanta të Pjesëtarëve të Forcave të Sigurisë së Republikës së Maqedonisë dhe Anëtarëve të Familjeve të tyre, që nga viti 2002, është zbatuar në mënyrë selektive nga institucionet në nivel qendror dhe lokal.
Prandaj, ata përballen me diskriminim në ushtrimin e të drejtave të përcaktuara me ligj që lidhen me punësimin, avancimin, shërbimet shëndetësore falas dhe arsimin universitar falas për fëmijët e tyre.
Ata e informuan Presidenten Siljanovska Davkova se as vendimet e formës së prerë të gjykatës, të lëshuara në favor të tyre, nuk po zbatohen.
Përfaqësuesit e Shoqatës së Veteranëve dhe Invalidëve të Luftës “Bratstvo 2001” theksuan nevojën për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit të të drejtave të tyre të veçanta, me qëllim që të specifikohen zgjidhjet dhe të përmirësohen përfitimet e tyre.
Sipas Presidentes Siljanovska Davkova, sugjerimet dhe vërejtjet e veteranëve meritojnë vëmendjen e duhur nga institucionet kompetente, si dhe respektimin e zbatimit të barabartë të ligjit për të gjithë.
Ajo premtoi se Kabineti i saj do t’i informojë autoritetet kompetente për problemet e paraqitura, duke theksuar domosdoshmërinë e respektimit dhe zbatimit të Ligjit të të Drejtave të Veçanta të Pjesëtarëve të Forcave të Sigurisë të Republikës së Maqedonisë dhe Anëtarëve të Familjeve të tyre, si dhe vendimet.
Për Presidenten Siljanovska Davkova, kontributi i veteranëve nuk duhet të harrohet ose neglizhohet, por duhet të respektohet dhe të vlerësohet.






