Të nderuar qytetarë,
I nderuar Kryetar i Kuvendit, z. Gashi,
I nderuar Kryeministër, z. Mickovski,
Të nderuar deputetë në Kuvend,
Të nderuar ministra,
Të nderuar përfaqësues të organeve gjyqësore,
Të nderuar përfaqësues të bashkësive fetare,
I nderuar shef i Shtabit të Përgjithshëm,
Të nderuar përfaqësues të trupit diplomatik,
Përfaqësues të mediave, zonja dhe zotërinj,
Së pari diçka rreth filozofisë për funksionin e Presidentit.
Iu drejtova së pari qytetarëve, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, që ta adresoj sovranin tim dhe tuajin në kuptimin e Rusoit në fjalën: Qytetari dhe populli si demos, përkatësish si tërësi individësh. Pse? Sepse, pa demos nuk ka demokraci! Në këtë kuptim Kushtetuta thotë se “sovraniteti del nga qytetarët dhe u përket qytetarëve!
Kam nderin që të mbaj fjalim para Jush pas shtatë muaj e gjysmë nga zgjedhja ime. Por, është përgjegjësi e madhe të justifikohet legjitimiteti burim i të cilit janë 561.000 mijë qytetarë. Gjëja thelbësore që e bëj është përfaqësimi i Republikës, në vend dhe jashtë vendit, në shpirtin e Kushtetutës: si shtet sovran, i pavarur, demokratik dhe social.
Do të përpiqem të paraqes gjërat më të rëndësishmet nga ajo që i kam bërë, por edhe të tregoj atë që ka filluar, d.m.th atë që do të vijë, do të vërej problemet dhe dilemat e rëndësishme, do të ofroj zgjidhje të mundshme për to, në frymën e vizionit dhe misionit tim të programit.
E para, ndërtimi i një shteti standard evropian me një sistem politik demokratik është qëllimi im kryesor. Liria, ligji dhe drejtësia janë ideologjia ime. Thirrja dhe respektimi i ligjit kombëtar, evropian dhe ndërkombëtar është arma ime politike. Mbrojtja e interesit shtetëror dhe kombëtar është motivi im themelor politik.
Instrumenti im bazë politik në politikën e brendshme ishte dhe mbetet dialogu i zhvilluar me mirëbesim dhe i bazuar në argumente. Për mua, i vetmi mekanizëm efektiv dhe frytdhënës në marrëdhëniet ndërkombëtare është konsensusi themelor për çështjet shtetërore dhe kombëtare, kurse ai i tejkalon gjithmonë interesat partiake, ideologjike dhe personale.
Në politikën e jashtme, e vetëdijshme për rolin e nënrenditur të shteteve të vogla në marrëdhëniet politike ndërkombëtare, u referohem gjithmonë pasojave të dukshme të realpolitikës: luftën dhe armatimin, si dhe nevojën eminente për kthimin dhe riafirmimin e koncepteve të paqes dhe të drejtës ndërkombëtare, aktivizimin e organizatave, institucioneve dhe gjykatave ndërkombëtare, nëse nuk duam të përfundojmë në neotribalizëm dhe vetëshkatërrim.
Askush nuk është i pafajshëm në këtë realitet të tmerrshëm, duke bërë ose duke mos bërë, përkatësisht duke parë në heshtje. OKB-ja nuk duhet të pësojë fatin e Lidhjes së Kombeve, duke lejuar homocidin dhe ekocidin, si dhe duke toleruar shkelje të rënda të dokumenteve të saj themelore: Karta, Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut dhe konventat e shumta të Asamblesë së Përgjithshme si dhe vendimet e Gjykatës në Hagë. Liderët e BE-së, nga ana tjetër, nuk duhet të harrojnë kurrë se Bashkësia Evropiane ishte një projekt paqeje që duhej të garantonte një paqe të përjetshme kantiane evropiane, kurse sot shtetet evropiane janë në luftë.
E di që realistët do të komentojnë se është e çuditshme kur e kritikoj BE-në për shkak të qëndrimit të saj ndaj nesh, Ballkanit Perëndimor të shpikur gjeopolitikisht, sepse ne synojmë Be-në, kurse jo Be-ja ne, por unë, siç do të thoshte profesori Xhozef Vajler kam të drejtë të mendoj në mënyrë kritike për të, për Evropën, për BE-në, si ballkanase që e percepton veten si evropiane që pret sjellje evropiane nga BE-ja ndaj nesh dhe të a.q. “Ballkan Perëndimor”.
Prej disa muajsh, në çdo takim multilateral apo bilateral, e kam theksuar domosdoshmërinë e zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor. Theksoj logjikën e doktrinës së BE-së “uniteti në diversitet”, si modus vivendi i saj, i cili nuk vlen vetëm për anëtarët e saj, por duhet të zbatohet edhe për kandidatët, por edhe për kandidatët për kandidatë. Në të kundërtën, as ka negociata, as ka bisedime. Ka evrokratia e shprehur me formulën: “Dëgjo, hesht dhe zbato!” sepse kam të drejtë të pakufizuar të vetos!
Por, e pranoj, për mua, BE-ja është sistemi më i dëshiruar demokratik politik dhe shtëpia jonë. Jo rastësisht, sot, qytetarët e anëtarëve të BE-së kanë mendim të mirë për kapacitetin e saj demokratik, nga ai i pushteteve të veta nacionale, me përjashtim të vetëm të Luksemburgut. Kjo vlen edhe për Francën edhe për Gjermaninë.
Në takimet e shumta me përfaqësuesit e BE-së flas për këto paradokse: së pari, Bashkësia Evropiane me dekada bën thirrje për përmbysjen e sistemeve autoritare, më pas, ka detyrim moral të solidarizohet me ta, me ne pas rënies së komunizmit; së dyti, logjika e fitimit të ekonomive perëndimore kërkon treg dhe fuqi punëtore më të madhe, kurse ne jemi këtu; së treti, stabiliteti i kontinentit evropian varet edhe nga Lindja, duke e përfshirë Ballkanin Perëndimor, si entitet gjeopolitik; së katërti, i vendosur midis Evropës dhe Lindjes së Mesme si një konglomerat kulturash dhe fesh, Ballkani është perceptuar gjithmonë si një zonë e mundshme konflikti; së pesti, ne ballkanasit dhe ata para nesh, gjithmonë e kemi perceptuar veten si evropianë, kështu që integrimi evropian është vërtet i paplotë pa pjesën e tij evropiane juglindore.
Është koha për një hap të guximshëm, themelor përpara të BE-së, sipas shembullit të atij të vitit 2004, që do të shënojë ribashkimin, pra riintegrimin e rajonit tonë. Ja pse. Ballkani është pjesë natyrore e Evropës: gjeografikisht, historikisht dhe në aspektin kulturor. Ideja evropiane është filozofi politike unike e mbështetur nga të gjithë aktorët politikë, partitë dhe qytetarët në rajon. Anëtarësimi në BE do të jetë motiv i fuqishëm për ndryshime demokratike në rajon, i cili do të mundësojë përfundimisht përfundimin e kërcënimit dhe destabilizimit, përkatësisht, nga nacionalistët e frustruar dhe do të garantojë paqe të qëndrueshme. Integrimi i plotë i Ballkanit në BE do t’i japë fund rivizatimit të pafund të kufijve, kurse kështu do t’i japë fund edhe ballkanizimit si fenomen, duke i fshirë kufijtë midis shteteve ballkanike. Dhe, në fund, Ballkani Perëndimor nuk është problem për kapacitetet absorbuese të Bashkimit!
Disa politologë perëndimorë shkruajnë në mënyrë metaforike për Ballkanin Perëndimor se është thembra e Akilit e BE-së. Nëse është kështu, as Parisi nuk duhet ta synojë atë, kurse Berlini dhe Brukseli nuk duhet të lejojnë që ai të jetë në shënjestër.
Sinqerisht, pas një mungese prej disa dekadash të një strategjie për rajonin, në Planin e Rritjes dhe në agjendat reformuese, kurse veçanërisht në Agjendën tonë reformuese, dalloj një qasje strategjike, por edhe reforma konkrete me afate dhe financa, me të cilat garantohet dhe stimulohet procesin nga të dyja palët miqësore. Pikërisht për këtë arsye, nuk duhet të lejojmë as ata dhe as ne që në vend të realizimit të synimeve strategjike dhe sfidave dhe reformave, energjinë dhe kohën ta drejtojmë kah historisë, në përputhje me Përfundimet e Këshillit dhe protokollet, përkatësisht përfytyrojini procesverbalet.
Nëse flasim për Pacta sun servanda, atëherë më lejoni të theksoj se nuk ka asnjë fjalë të vetme për ndryshime kushtetuese në Marrëveshjen për Fqinjësi të Mirë dhe për Miqësi!
Më lejoni të them diçka për mbrojtjen dhe sigurinë.
Jo rastësisht statusi i Presidentit si “komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura” garantohet në një nen të veçantë, neni 79, paragrafi (2) i Kushtetutës dhe jo në listën e kompetencave të nenit 84 dhe amendamentit XXII. Arsyeja qëndron në lidhjen logjike midis Presidentit, Presidentes që personifikon shtetin dhe forcave të armatosura që e mbrojnë integritetin territorial dhe pavarësinë e tij.
Përvoja e shkurtër e si Komandante e përgjithshme të forcave të armatosura mjafton që të kuptoj pse ushtria jonë vazhdon të gëzojë reputacionin më të lartë midis qytetarëve. Dhe nga kjo foltore, më lejoni të shpreh respektin e duhur për armatën tonë, pra për pjesëtarët e saj ushtarakë dhe civilë. Raportet e rregullta të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të mëparshëm dhe atij aktual për rezultatet e spikatura dhe besueshmërinë e pjesëmarrësve tanë në shumë shkolla ushtarake, misione dhe aktivitete ushtarake, më bëjnë të jem krenare për ta. Mora pjesë në disa stërvitje dhe ngjarje ushtarake dhe më lanë përshtypje gatishmëria dhe aftësitë ushtarake të demonstruara. I vizitova zonat e djegura dhe i pashë ushtarët dhe oficerët përballë rrezikut me zjarrin. Dëgjova një mendim të jashtëzakonshëm për ekspertizën dhe kompetencën e njerëzve të parë të armatës sonë nga partnerët tanë strategjikë dhe përfaqësues të lartë të NATO-s, të treguar dhe të dëshmuar në procesin e edukimit, por edhe në terren, përkatësisht në veprim. Kam parë mirënjohje dhe çmime të larta për rezultatet e arritura. Më ka bërë përshtypje tërësia e dokumentit të raportit, si dhe argumentimi për gatishmërinë luftarake të Armatës për vitin 2024 nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm, z. Llafçinski. Pres së shpejti propozime prej tij për avancime me gradën e gjeneralit. Dëshiroj që midis tyre të ketë edhe femra.
Me ministrin e Mbrojtjes kam bashkëpunim të përkryer. Të dy jemi të vendosur të luftojmë për kushte më të mira jetese dhe pune për Armatën, e cila, edhe pse e vogël, konsiderohet si një armatë profesionale dhe funksionale, e respektuar e NATO-s, e aftë që të mbrojë integritetin territorial dhe pavarësinë e Republikës, në kushtet dhe mjedisin e ri dhe kompleks të sigurisë, si dhe që të marrë pjesë në mënyrë të barabartë në misione të rëndësishme paqeruajtëse.
Por unë nuk u gëzohem luftërave dhe armëve. Edhe pse dëshiroj t’u them lamtumirë atyre si Heminguej, megjithatë, jam e vetëdijshme se ndryshimi në doktrinat e luftës imponon nevojën për të përshtatur Strategjinë tonë të mbrojtjes me sfidat globale.
Kjo gjë kërkon investime në mbrojtje, duke përfshirë teknologjitë dhe armët e avancuara, për përputhjen me standardet e NATO-s dhe politikën e përbashkët të sigurisë dhe mbrojtjes të Bashkimit Evropian, të cilën edhe po ndjekim.
Sinqerisht, unë preferoj investime më të mëdha në mbrojtjen e mjedisit, arsimit, shkencës, shëndetësisë, kulturës, sportit dhe mbrojtjes sociale, d.m.th në përmirësimin e jetës së qytetarëve maqedonas, por realiteti rajonal, evropian, i Lindjes së Mesme dhe botëror, të ngarkuar me rreziqe luftërash dhe terroriste, imponon nevoja dhe aktivitete të tjera të papritura.
Kështu sistemin e mirë të mbrojtjes që mund ta bëjmë edhe më të mirë.
Avancimi në Armatë duhet të bazohet në kritere të përcaktuara qartë dhe të standardizuara saktësisht, me theks mbi ekspertizën, kompetencën dhe standardet etike. Duhet të them se nuk ka asnjë interes, asnjë forcë që mund të më detyrojë, apo të më bindë të sakrifikoj sundimin e së drejtës.
Një hallkë e rëndësishme në mbrojtjen e sigurisë kombëtare të shtetit, interesave të tij ekonomike dhe politike, pavarësisë, sovranitetit, rendit kushtetues dhe lirive dhe të drejtave themelore të njeriut dhe qytetarit është Agjencia e Zbulimit, e cila në përputhje me nenin 2 të Ligjit për Agjencinë e Zbulimit mbledh informacione të zbulimit për kërcënimet dhe për rreziqet nga jashtë.
Pas tridhjetë vitesh dominim mashkullor në nivelin më të lartë, përkatësisht drejtorë meshkuj, e udhëhequr nga ekspertiza dhe kompetenca si kushte parësore, por edhe nga sfidat e reja për zbulimin modern në lidhje me informatikën, vendosa të shkoj drejt ndryshimeve, duke emëruar dy gra në krye të Agjencisë, nga të punësuarit tashmë në pozicione drejtuese. Shumë shpejt u përballova me një përpjekje të pabazuar ligjërisht dhe etikisht që të kundërshtohen vendimet e mia për shkarkimet dhe emërimet e personave udhëheqës në Agjenci si diskriminuese, imagjinoni, në bazë të përkatësisë gjinore dhe politike. Mirëpo, Komisioni Shtetëror për Mbrojtjen nga Diskriminimi shprehu mendimin se nuk ekziston diskriminim. Nga këndvështrimi i femrës, nga këndvështrimi im, është interesant fakti që për 30 vite drejtim mashkullor nuk ka pasur diskriminim gjinor, por kur u emëruan për drejtor dhe zëvendësdrejtor dy gra, “ndodhi” diskriminimi gjinor. Nuk mund ta kuptoj akuzën për diskriminim për shkak të përkatësisë politike, duke pasur parasysh imperativin ligjor për neutralitet politik në punë, si dhe faktin parësor që të dy të emëruarat kanë qenë në poste drejtuese gjatë drejtimit të iniciatorit të mëparshëm.
Emërimet e personave udhëheqës i kam bërë duke u udhëhequr nga parimi i meritokracisë. Për mua më të mirët, jo partiakët, janë më të përshtatshmet dhe duhet të jenë në postet më të përgjegjshme. Po e përsëris, unë veproj si jurist në politikë, kurse jo si politikan në drejtësi.
Dëshiroj t’ju informoj për motivin që më udhëhoqi në emërimin e tre anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të cilin e kryesoj unë. Domethënë, emërova: doktoreshë të shkencave juridike dhe eksperte për integrime evropiane; një doktor në shkencat meteorologjike dhe një ekspert mbi ndryshimet klimatike dhe një doktor në ekonomi dhe njohës i shkëlqyer dhe i respektuar i marrëdhënieve ndëretnike.
Për eksperten për integrime evropiane vendosa për shkak të paralajmërimeve të shpeshta për rrezikun e destabilizimit nëse nuk i hapim negociatat me BE-në, tani dhe menjëherë. Për ekspert për aksion klimatik vendosa për shkak të ndotjes kronike dhe akute si një kërcënim për sigurinë kombëtare. Për njohës të marrëdhënieve ndëretnike vendosa sepse marrëdhëniet e mira ndëretnike ishin dhe janë një supozim i rëndësishëm për realizimin e reformave të planifikuara për përparim dhe bashkëjetesë.
E përsëris, Këshilli i Sigurimit mund të luajë rol të rëndësishëm në një qasje shumëdimensionale për trajtimin e ndotjes. Duhet të përshtatim me domosdoshmëri sistemet tona të sigurisë, mbrojtjes, energjisë, shëndetësisë dhe sistemet e tjera ndaj kësaj sfide shumëdimensionale.
Çështja e ndotjes meriton vëmendje të jashtëzakonshme, bashkëpunim të ngushtë me organizatat joqeveritare, formim të një organi heterogjen dhe punë të vazhdueshme dhe të koordinuar të Qeverisë, Kuvendit, sektorit joqeveritar, pushteteve lokale.
Para se të jetë tepër vonë, duhet t’i përkushtohemi edhe sigurisë digjitale, domethënë të përballohemi me kërcënimet digjitale. Disa nga betejat kryesore sot po zhvillohen në fushën e betejës digjitale, ku nëpërmjet dezinformacioneve po shpërhapen paragjykimet, urrejtja dhe po ndikojnë në vendimet kryesore. Në vend që të presim pasivisht që të na ndodhë sulm kibernetik, duhet të ndërtojmë rezistencë ndaj kërcënimeve digjitale dhe të mbrojmë infrastrukturën tonë kritike digjitale. Duhet të mendohet gjithashtu edhe për formimin e një institucioni/organi/trupi që do të kujdeset për sigurinë digjitale, domethënë mbrojtjen nga keqpërdorimi i inteligjencës artificiale për të gjeneruar dezinformata, vjedhje të të dhënave personale, diskriminim ndaj popullatave të cenueshme dhe të tjera.
Në program e aktualizova nevojën për të krijuar një Qendër Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë për përfshirjen më të madhe të grave në sistemin e mbrojtjes dhe sigurisë. Fakti që zëvendëssekretarja e përgjithshme e NATO-s është maqedonase është një mundësi që në partneritet me NATO-n kjo ide të bëhet realitet me efekte pozitive në rajon dhe më gjerë.
Sidomos rreth politikës së jashtme.
Anëtarësimi në BE ishte dhe mbetet interesi dhe prioriteti kryesor shtetëror maqedonas. Brukseli është destinacioni strategjik maqedonas. Politika jonë e jashtme është plotësisht në përputhje me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, kurse edhe të tjerat mund të jenë.
Besoj se integrimi evropian është një proces mësimor jo vetëm për kandidatët, si ne, por edhe për BE-në, përkatësisht për anëtarët. Shpresoj që pas 20 vitesh të kemi marrë edhe mësimin se interesat shtetërore ndërtohen këtu në mënyrë konsensuale dhe mbrohen në mënyrë konsensuale, siç e theksova edhe në fillim, por edhe se BE-ja e kuptoi, ose kështu më duket mua, se nuk duhet ta përsëriste gabimin gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë, kur nuk kishte strategji të qartë për rajonin, u vonua në shfaqje, nuk këmbënguli me vendosmëri për një shpërbërje paqësore.
Besoj se rruga drejt Brukselit mund të kalohet më lehtë dhe më shpejt nëse ne të gjithë: Presidentja, Kuvendi, Qeveria, gjyqësori, pushteti, opozita, sektori joqeveritar, mediat, funksionojmë si një orkestër e sinkronizuar mirë, e ushtruar dhe me përvojë, në repertorin e së cilës është rregullisht simfonija “sundimi i së drejtës” me të cilën duhet të shfaqemi në koncertin final në Bruksel. Por anëtarët e orkestrës, si edhe publiku, kanë nevojë për një valorizim standard të merituar të punës nga vlerësuesit evropianë, nëpërmjet prizmit të dokumenteve më të rëndësishme përbërëse të BE-së: Marrëveshja e Lisbonës dhe Konventa për të Drejtat Themelore, por edhe dokumentet më të rëndësishme ndërkombëtare në të cilat ka aderuar BE-ja, si Karta e OKB-së dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ose, thënë ndryshe: A e kemi harmonizuar legjislacionin tonë me të drejtën evropiane dhe a funksionojmë në bazë të standardeve evropiane, përkatësisht të Kritereve të Kopenhagës? Performanca e harmonizuar e liderëve maqedonas në marrëdhëniet ndërkombëtare është dëshmi e një qasjeje politike serioze shtetërore dhe burrështetare, kurse e ndryshmja, e një shteti të dobët. E njëjta gjë vlen edhe për konsistencën e qëndrimeve. Ato harmonizohen në shtëpi, këtu, kurse jashtë mbrohen nga të gjithë.
Ne, unë, kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, por edhe të gjithë ministrat e tjerë, i ndërtojmë dhe i harmonizojmë pikëpamjet tona brenda vendit, dhe jashtë performojmë si një treshe dhe kor harmonik. Kemi qëndrim, e paraqesim dhe e mbrojmë me argumente. Pikëpamjet tona, nga njëra anë, korrespondojnë me ato të shumicës së qytetarëve, sepse kemi marrë mandatin prej tyre, kurse nga ana tjetër, ato bazohen në të drejtën evropiane dhe ndërkombëtare, u referohen përvojave krahasuese dhe të mëparshme dhe këmbëngulin për një qasje joselektive.
Është mirë të jemi të harmonizuar dhe të harmonizohemi me opozitën, sepse kështu do ta përforcojmë pozicionin negociator dhe shtetëror, por për këtë duhen profile dhe sakrifica burrështetas nga të dyja palët.
Dikush mund të mos dëshirojë të na shohë apo të na pranojë, por mendoj se qëndrimi ndaj nesh dhe ndaj shtetit tonë nuk është i njëjti si më parë: Mjafton të ndiqni fjalimin e ambasadorëve, si dhe të përfaqësuesve më të lartë të BE-së dhe ta krahasoni me atë para dhe gjatë zgjedhjeve, që të shihni ndryshimin, nëse dëshironi, sigurisht. Një nga fjalët më të përdorura është debilateralizimi i procesit të negociatave, eliminimi i çështjeve bilaterale nga integrimi evropian. Sinqerisht, u desh kohë, njohuri dhe vullnet për të ndryshuar fjalorin dhe qëndrimin e BE-së. Më besoni, nuk ka pasur asnjë takim, debat, konferencë bilaterale apo multipalëshe, në cilindo nivel, ku nuk e kemi vënë në dukje rrezikun e virusit të bilateralizimit, domethënë vetëm një shtet me lëvizjet e tij për të anuluar përpjekjet dhe sukseset në fushën e klasterëve dhe të kapitujve dhe t’ju mbajë në vend, madje edhe t’ju kthejë pas, pa asnjë arsye objektive, vetëm për një motiv subjektiv dhe madje irracional, që hedh hije pasigurie dhe e diskrediton procesin. Nuk jemi vetëm ne viktima të vetos dhe nuk do të jemi të vetmit, por edhe ata që ecën përpara në hapjen dhe mbylljen e kapitujve dhe klasterëve. Mund të thuhet se edhe BE-ja është viktimë reale apo e mundshme e unanimitetit në raste dhe situata të papërshtatshme, për shkak të shkrirjes dhe humbjes së besueshmërisë. Megjithatë, për mua, sakrifica më e madhe janë vlerat dhe parimet e BE-së, pa të cilat ajo nuk është ose nuk perceptohet si një bashkësi (polity) superiore, e bazuar në vlera. Indikacionet dhe paralajmërimet tona me qëllim të mirë, pas përpunimit dhe konsultimit të plotë me ekspertë, gjejnë mirëkuptim tek fqinjët tanë rajonalë, të cilët nuk janë të përjashtuar, as të imunizuar ndaj vetos, por të prekur drejtpërdrejt, por edhe te shumë politikanë, funksionarë objektivë, medimtarë, demokratë të BE-së. Natyrisht, më të zëshmit ishin dhe janë ekspertët e think-tankeve të ndryshme, organizatave joqeveritare të specializuara në BE, intelektualë, njerëz të mendimit të lirë, analistë, gazetarë. Kuptohet që tendencat e tilla i vërej edhe jashtë BE-së, edhe jashtë vendit.
Argumentet tona, të paraqitura në mënyrë të qetë dhe miqësore, me mirëbesim mendoj se jo vetëm që dëgjohen, por edhe ndikojnë në mendime. Duhet të jesh një superevropian i vetëshpallur ose një apologjet aktual për të mos parë ndryshimet në qëndrimin ndaj vetos, mosmarrëveshjet e imagjinuara apo të sajuara, shantazhet, qëllimet e këqija, euromandarizmin…
Por qëndrimi i BE-së ndaj nesh varet më shumë dhe drejtpërdrejt nga qëndrimi ynë ndaj njëri-tjetrit, nga qëndrimi ndaj Kritereve të Kopenhagës, reformave dhe gatishmërisë për evropianizim. Ndryshimet ekonomike, gjyqësore, politike, ligjore e të tjera në drejtim të harmonizimit me standardet e BE-së, e përforcojnë besueshmërinë tonë dhe vetvetiu do të na shtyjnë më pranë BE-së.
Është e rëndësishme të përshpejtohet integrimi evropian, por është koha e fundit për të vepruar utilitarisht, duke peshuar përfitimet dhe humbjet e hapave, duke parashikuar pasojat e përsëritjes së gabimeve me fenomenin: edhe tani, edhe një herë, edhe këtë … përsëri dhe përsëri …
Duhet të theksojmë paqëndrueshmërinë e paradokseve në kundërshtim madje edhe me arsen dhe logjikën e shëndoshë. Nëse 16 herë në 16 raporte Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian kanë thënë “po” për ne, dhe Këshilli Evropian ka thënë “jo”, çështja nuk është paaftësia jonë, por më tepër një deficit demokratik i BE-së. Nëse në 15 raporte nuk është vërejtur asnjë problem i minoritetit dhe papritur, në të gjashtëmbëdhjetën, është shfaqur problemi i minoritetit, problemi është problematik. Nëse ka 14 vendime kundër Bullgarisë në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, kurse BE-ja ka aderuar në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe ka njohur juridiksionin e saj. Si mund të tolerohet që një anëtar që ka nënshkruar dhe ratifikuar Konventën Kuadër për Mbrojtjen e të Drejtave të Minoriteteve, apo ndonjë tjetër, të refuzojë të zbatojë vendimet e Gjykatës në të cilën ai edhe vetë ka gjykatës? Në fund të fundit, pyetja themelore nuk është nëse në Preambulë përmendet një pakicë apo bashkësi, gjysma e kushtetutave në botë nuk kanë preambula, por a i garantohen çdo pakice të drejtat e pakicave në tekstin normativ. Si mundet Be-ja të lejojë që shteti i saj anëtar të mos ketë asnjë fjalë në Kushtetutë për garantim të të drejtave të pakicave, edhe pse ato janë të garantuara në nenin 2 të Traktatit të Lisbonës së bashku me të drejtat e njeriut, dhe të kërkojë nga ne ta ndryshojmë Kushtetutën, edhe pse Kushtetuta jonë, në nenin 48 dhe amendamentin VIII e garanton mbrojtjen e gjerë të të drejtave të të gjitha bashkësive, duke përfshirë edhe bullgarët dhe të tjerët, pa marrë parasysh nëse përmenden ose jo në Preambulë.
Nëse BE-ja dëshiron të jetë filozofi, pra një bashkësi, dhe jo një grup i thjeshtë pjesësh (makineri burokratike), duhet të respektojë vlerat dhe parimet bazë jo vetëm kur bëhet fjalë për anëtarët e saj, por edhe për kandidatët. Jo më kot në Preambulën e Traktatit të Lisbonës thuhet se solidariteti do të thellohet dhe do të respektohet historia, kultura dhe traditat e kombeve (paragrafi 6), nga preambula. Ky është thelbi i motos “unitet në diversitet”. Pse atëherë na kërkohet të kërkojmë ngjashmëri, duke rishikuar historinë tonë?
Unë, bashkëbiseduesve grekë, miqtë e mi, duke përfshirë ambasadorin e BE-së, u them me qëllimin më të mirë se Republika e Greqisë ka një detyrim ligjor dhe moral kur insiston në pacta sunt servanda, t’i referojë Bullgarisë dhe Këshillit Evropian në nenin 7, paragrafi (3) ) në të cilin përcaktohet kuptimi i fjalës “Maqedoni” për “palën e dytë”, atë pa emër, ne, si:
territor dhe popull me historinë, kulturën dhe gjuhën e vet. Pra, të mëparshmet janë vënë ad acta, përkatësisht janë zgjidhur. Pacta sunt servanda. Për se negociojmë ne me Bullgarinë? Për historinë, kulturën dhe gjuhën. Po çfarë u bë me pacta sunt servanda?
Edhe Konventa Evropiane për të Drejtat Themelore si e barabartë nga rëndësia edhe nga fuqia me Marrëveshjen e Lisbonës, dokument me karakter kushtetues, në Preambulë thotë se BE-ja do t’i respektojë kulturat dhe traditat e ndryshme të popujve evropianë dhe të identiteteve nacionale.
Neni 4, paragrafi (2) i Marrëveshjes së Lisbonës, përsëri, e promovon barazinë e vendeve anëtare, të identiteteve të tyre nacionale, të vendosura në STRUKTURAT KUSHTETUESE dhe politike! Kështu thotë neni 4. Si kërkojnë atëherë prej nesh funksionarët evropianë ta ndryshojmë Kushtetutën që të fillojmë negociatat?
Relevant për gjendjen tonë është edhe neni 8 i Marrëveshjes së Lisbonës i cili flet për lidhjen e marrëveshjeve me fqinjët në bazë reciproke.
Të rikujtoj. Atë që e tha z. Makron. Rëndësia e vlerave dhe parimeve themelore për BE-në është aq e madhe për filozofinë e BE-së, sa që neni 7 parashikon një procedurë për suspendim të të drejtave vendimmarrëse të atij shteti i cili do t’i shkelë ato. Pse asnjë anëtar i BE-së nuk ia vë në dukje Bullgarisë këtë mundësi në mbrojtje, jo tonën, por të dokumenteve kushtetuese mbi të cilat bazohet BE-ja?
E di, mund të thoni se jam zhytur në të drejtën kushtetuese evropiane, por imagjinoni tronditjen e studentëve tanë kur një gjë mësojnë dhe shohin një tjetër, kur i besojnë Kantit, por u ndodh Tukididi në mes të BE-së, madje edhe këtu!
Më lejoni të përfundoj. Për disa muaj, politika jonë e jashtme e koordinuar, proaktive, konstruktive dhe proevropiane ka manifestuar potencë dhe relevancë.
Ndoshta në fillim u dukeshim të çuditshëm, ndryshe nga paraardhësit tanë, por më pas na dëgjuan me vëmendje dhe tani i përmendim të njëjtat probleme që kërkojnë zgjidhje të reja.
Më duhet t’ju lexoj nenin 49 të Marrëveshjes së Lisbonës. Ai thotë:
- Çdo vend evropian që respekton vlerat e nenit 2 mund të aplikojë për anëtarësim.
- Kushtet për pranimin e anëtarëve të rinj janë subjekt i marrëveshjes ndërmjet BE-së dhe aplikuesit. Kjo marrëveshje është ratifikuar nga të gjitha vendet.
Me qëllim i drejtohem përfundimit. Duhet të them se pyetja: A do ta ndryshoni Kushtetutën, që ndonjëherë ma parashtrojnë, me ofendon edhe si profesoreshë edhe si Presidente. E dini përgjigjen time: Pyetja është jashtë normave kushtetuese të BE-së dhe unë nuk mund dhe nuk duhet të garantoj ndryshime kushtetuese, sepse nuk jam një monark absolut i cili nuk e respekton ndarjen e pushteteve dhe demokracinë parlamentare. Kushtetutën e miratoni dhe e ndryshoni vetëm ju që përfaqësoni qytetarët dhe votoni sipas bindjes tuaj, kurse jo sipas bindjes sime.
Por propozuam një rrugëdalje, madje edhe për një kërkesë irracionale. Me interpretim kreativ të kornizës së negociatave, siç dëgjova nga partitë dhe deputetët e kësaj përbërjeje, përkatësisht nga konkluzionet, besojmë se e vetmja zgjidhje e mundshme do të ishte ajo e amendamenteve kushtetuese me efekt të vonuar, e vendosur në Ligjin e Kushtetutës për Zbatimin e Amendamenteve, të cilin e kemi zbatuar disa herë, madje edhe në rastin e fundit. Në këtë rast, vacatio legis do të obligonte, përkatësisht amendamenti do të hynte në fuqi pas përfundimit të negociatave tona dhe ratifikimit të Marrëveshjes për anëtarësimin tonë në BE. Kjo do të ishte një zgjidhje win-win për Bullgarinë, sepse do të përmbushte kërkesën e saj, por më vonë dhe ndërkohë do të na ndihmonte në integrimin evropian, në frymën e Preambulës së Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë dhe Miqësisë, e vetëdijshëm, se sa më shpejt të përfundojnë negociatat tona, aq më shpejt do të arrihet qëllimi. Për ne, win do të ishte mundësia për t’u marrë me reformat evropiane, në vend që të merremi me pengesat ballkanike dhe do të nxitonim për të përfunduar negociatat. Për të dyja shtetet win-win do të ishte miqësia e përforcuar dhe fqinjësia e mirë e dëshmuar. Komisionet do të punonin sipas modelit francezo-gjerman, përkatësisht modelit gjermano-polak, duke u përpjekur ta kuptojnë tjetrin. Në të kundërtën, rrezikojmë të ballafaqohemi me valë dhe kushte të reja nën kërcënimin e vetos.
Kuptohet BE-ja mund propozojë dhe zgjidhje kreative në interpretim, si në kornizë ashtu edhe në përfundimet.
Bilateralizimi i evrointegrimeve nuk është i rrezikshëm vetëm për rastin maqedonas, por edhe për procesin e përgjithshëm të zgjerimit. Ballkani është vendlindja e precedencave. Kurse çdo precedencë e dëmshme bëhet rregull. Bilateralizimi nuk do të përfundojë me ne, përkundrazi, kam frikë se do të jetë inspirues edhe për shumë raste të tjera. Kështu dhe atëherë do të bëhet rreziku më i madh për zgjerimin si investimi më i rëndësishëm gjeostrategjik i BE-së në paqe, siguri, stabilitet dhe prosperitet. Kutia e Pandorës ballkanike nuk duhet të bëhet Kutia evropiane e Pandorës. Bashkimi Evropian ka/kishte mundësinë pikërisht me rastin maqedonas të parandalojë që ky precedent i dëmshëm të bëhet rregull. E mirëpres nismën gjermano-sllovene për të shmangur veton për çështjet bilaterale, por edhe kritikat e të gjithë të tjerëve.
Ndërkohë, është mirë të jesh në kërkim të një zgjidhjeje të re.
Nuk po e them këtë kot, por në bazë të përvojës, përkatësisht pjesëmarrjes aktive në dhjetëra e dhjetëra evenimente bilaterale e multilaterale, takime me shumë presidentë, kryeministra, kryetarë parlamentesh, përfaqësues të lartë të organizatave ndërkombëtare.
E kam shfrytëzuar dhe do ta shfrytëzoj çdo mundësi, duke përfshirë edhe kontaktet dhe miqësitë profesionale në mbrojtje të pozitave dhe interesave maqedonase, si dhe zgjerimin e rrethit të partneriteteve.
Në kuadër të bashkëpunimit rajonal, bëj thirrje dhe mbështes mirëkuptimin dhe mbështetjen e ndërsjellë si kusht për mirëkuptim dhe mbështetje nga të tjerët. Në vend që të bllokojmë njëri-tjetrin, duhet të mbështesim njëri-tjetrin sepse nëse nuk e mbështesim njëri-tjetrin, si mund të presim që të tjerët të na mbështesin? Përndryshe, ne do të vazhdojmë të konfirmojmë stereotipat e imponuar dhe narrativët negativë për ne, si p.sh. fuçi baruti, shteti periferik, periferia e periferisë.
Besoj se Homo Ballkanikus, unë, ti, mund të bëhemi edhe Homo Politicus.
Mund ta ndihmojmë njëri-tjetrin shumë me diplomacinë kulturore. Në Mbrëmjet e operës së majit të këtij viti në Shkup, isha dëshmitar i shfaqjes madhështore bullgare të operës së Vagnerit “Valkyrie”, pas së cilës mora ftesë nga drejtori i Operës, akademiku dhe profesori Pllamen Kartallov për një vizitë kthyese me Operën dhe Baletin Nacional Maqedonas në Sofje me “Nabucco”. E pranova dhe shkova në Sofje, ku dëshmova respektin e madh që gëzonte arti dhe kultura maqedonase në shoqërinë bullgare, në sallën e mbushur me njerëz dhe ovacionet e gjata për artistët maqedonas. Epilogu më i rëndësishëm i kësaj është botimi i mrekullueshëm i akademikut Pllamen Kartallov, me titull “Roli i Operës Bullgare në Diplomacinë Kulturore”, në të cilin na kushtohet një rubrikë e tërë, e pasuruar me foto, fotografi, deklarata, fjalimin tim dhe të tij, artikuj në gazetat bullgare dhe maqedonase.
E informova Presidentin bullgar për vizitën time dhe organizuam jo vetëm një takim, por edhe e pamë bashkë shfaqjen e operës sonë. Fatkeqësisht, tragjedia e avionit që vrau bashkëpunëtorin dhe mikun e tij të ngushtë, e pengoi ardhjen në këtë shfaqje, kurse incidenti me flamurin i la në hije bisedat e këndshme për projekte.
Unë ende besoj se diplomacia kulturore ndërton ura të dyanshme që janë rezistente ndaj spinave politike ditore, populizmit, demagogjisë dhe manipulimit. Nuk ka sukses më të madh për një shtet dhe kulturë sesa të fitojë admirues, madje edhe adhurues, midis anëtarëve të tjerë të kombeve të tjera.
Përveç vizitave bilaterale në Itali dhe Mal të Zi, kam marrë pjesë edhe në pesë ngjarje të rëndësishme multilaterale. Kam përfaqësuar pozitat e Maqedonisë në skenën globale, në Debatin e përgjithshëm të 79-të në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, mbajta fjalim në Këshillin e Sigurimit, u takova me Sekretarin e Përgjithshëm Antonio Guterresh, me Presidentin Bajden, me përfaqësues të lartë të organizatave ndërkombëtare. Për mua më e rëndësishmja është se fjalimi im në Nju Jork shkaktoi shumë interes dhe shumë pjesëmarrës i referohen atij fjalimi. Është e këndshme gjatë pritjes dhe takimeve me ambasadorë që nuk janë rezidentë në shtetin tonë të dëgjoni se ju njohin nga fjalimi në OKB.
Në Berlin mora pjesë në Konferencën për Rindërtimin e Ukrainës dhe në Lucern mora pjesë në Samitin për Paqe në Ukrainë. Mora pjesë në Samitin e Ndryshimeve Klimatike-COP29 në Baku, ku e argumentova vizionin tonë për zgjidhjen e disa prej problemeve më urgjente të sotme. Dakordova dhe konfirmova shumë takime. Takimi i fundit është konfirmuar nga kryetari i Kuvendit turk për vizitë në Turqi.
Në fund të them disa fjalë për politikën e brendshme. Edhe pse kam ingjerenca të kufizuara në politikën e brendshme, si Presidente e të gjithë qytetarëve, nuk mund të isha mbikëqyrëse pasive problemeve në shoqëri. Premtova se do të jem jo vetëm pranë qytetarëve, por edhe midis qytetarëve dhe me qytetarët. Qytetarët e dinë se unë jam bashkëfolës për sfidat e tyre dhe bashkudhëtar në luftën për realizimin e të drejtave të tyre. Prandaj, më kanë mbërritur 132 ankesa, prej të cilave 62 i dërguam në organet kompetente. Ankesat nuk janë vetëm statistika, por edhe fate njerëzore. Me çdo ankesë të përgjigjur lëviz mekanizmi administrativ në realizimin e të drejtave të qytetarëve, të garantuara me Kushtetutë dhe me ligje.
Në fazë finale është rregullimi i hapësirës në qendër të qytetit ku do të vendoset përsëri Zyra Popullore, përveç saj do të organizojmë edhe zyra mobile nëpër komuna.
Besoja dhe besoj se falja është e drejtë njerëzore, kurse jo sanksion dhe duhet të vlerësohet shkalla e risocializimit të të dënuarit. Mendoja dhe mendoj se nuk është mirë që gjykatësit, prokurorët dhe avokatët të jenë anëtarë të Komisionit të Faljes për shkak të rrezikut të konfliktit të interesave. Falja ka për qëllim korrigjimin e ligjit me drejtësi dhe etikë. Nevojitet një ligj i ri për falje, një mënyrë e re komunikimi ndërmjet Gjykatës dhe Ministrisë së Drejtësisë, një mënyrë e re e trajtimit të kërkesave për falje nga gjykatësit, përkatësisht grumbullimit dhe dokumentimit të çështjes dhe profilit të kërkuesit të dënuar për falje. Është e nevojshme të mundësohet të vizitohen të burgosurit që kërkojnë falje nga anëtarët e Komisionit. Por mendoj se duhet rishqyrtuar politika penale, si dhe kohëzgjatja e faljes.
Këtë na e vënë në dukje edhe nga Këshilli i Evropës.
Komisioni i Faljes do të organizojë takim me të gjithë ish-anëtarët e Komisioneve të Faljes me qëllim shkëmbimin e përvojave, zbulimin e problemeve dhe propozimin e zgjidhjeve.
Komisioni bazohet në mënyrë meritokratike në respektimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat përveç ekspertizës dhe kompetencës dhe përfaqësimit barazi gjinor.
Në formimin e Komisionit për dekorata dhe mirënjohje, që ndoshta e keni parë, jam udhëhequr nga kriteri që të shpërblyerit të shpërblejnë. Në të marrin pjesë shkencëtarë, profesorë, këngëtarë operistikë, piktorë, skulptorë, aktorë të njohur. Kriteri themelor është profesionalizmi dhe kompetenca, kurse mandej përfaqësimi i drejtë dhe adekuat. Për herë të parë në këtë Komision ka më shumë femra sesa meshkuj.
Kam bashkëpunim të vazhdueshëm me një numër të madh organizatash në fushën e kulturës, barazisë gjinore, grupeve të margjinalizuara, fermere, nxënës me dëmtim të dëgjimit, fitues të çmimeve prestigjioze në matematikë, fizikë, kimi, sport…
Unë jam patrone e shumë ngjarjeve të rëndësishme, që nga ato për fëmijë, si “Zllatno Sllavejçe” “Bilbili i Artë” deri tek festimet e jubilarë të rëndësishëm në universitete, biblioteka, institute, oda tregtare.
Nëpërmjet fjalimeve në festat më të rëndësishme publike, si Ilindeni, KAÇKM-ja apo 11 Tetori, përpiqem ta riafirmoj rëndësinë e pamatshme dhe ta nxit vetëbesimin tonë, të bëj thirrje për unitet dhe kohezion, për vetërespekt dhe respekt për të tjerët dhe të ndryshmit.
E përsëris, duhet një konsensus midis pushtetit dhe opozitës për interesat më të rëndësishme shtetërore. Në këtë drejtim iu bashkëngjita debatit për Planin e Rritjes dhe Agjendën e Reformës, kam bërë thirrje për bashkëpunim në Këshillin Nacional për Integrim Evropian. Personalisht kam pasur takim konstruktiv me liderin e opozitës, sepse besoj, kurse mendoj se beson edhe ai, se pa opozitë nuk ka demokraci.
Nuk më vjen keq që e përkraha hapur Radmilla Shekerinskën për zëvendëssekretare të përgjithshme të NATO-s. Ishte irelevante nëse personalisht pajtohesha me disa nga pikëpamjet dhe vendimet e saj të mëparshme politike. Është e rëndësishme të kemi përfaqësuesin tonë, të shfrytëzojmë momentin e rrallë, për rajonin dhe shtetet e vogla, që të manifestojmë unitet rreth mbështetjes së funksionit shumë të rëndësishëm. Pa hezitim, së bashku me Kryeministrin dhe Qeverinë, e mbështetëm atë. Duhet të mësojmë të dallojmë interesin shtetëror nga interesi partiak. Është e palogjikshme të mbështesim kandidatët e vendeve të tjera kur kemi kandidatin tonë, madje edhe nëse ai vjen nga radhët e opozitës. Është e palogjikshme të bësh tifo për skuadrën e dikujt tjetër në një ndeshje ku merr pjesë edhe kombëtarja e Maqedonisë.
Që të mund të përparojmë, duhet t’i japim fund sjelljes vetëshkatërruese se gjithçka fillon nga ne, se asgjë më parë nuk është e mirë, se asgjë nuk vlen, se tjetri është armiku ynë, jo partneri ynë, se duhet të demonizohet në vend që të kritikohet. Në këtë kuptim, vendimi i juaji i Kuvendit për miratimin e Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit 2024-2044, megjithëse është miratuar nga qeveria e mëparshme, është për t’u përshëndetur. Kjo është frymëzuese. Është për t’u përshëndetur edhe mbështetja e opozitës për Agjendën e reformave të kësaj qeverie.
Të nderuar të pranishëm,
Zakonisht në fund të çdo viti kryhen anketa të opinionit publik nëpërmjet të cilave marrësit e vendimeve përpiqen të ndjejnë pulsin e njerëzve. Kuptohet, disave u intereson vlerësimi partiak, të tjerëve vlerësimi personal. Mua, përkundrazi, më interesojnë problemet e qytetarëve të Maqedonisë. Dhe një nga më të rëndësishmet është drejtësia.
Drejtësia është lidhja më e fortë midis shtetit dhe qytetarëve. Por drejtësia kërcënohet nga korrupsioni endemik dhe krimi i organizuar, të cilët së bashku me konfliktet e interesit, nepotizmin dhe klientelizmin, po e minojnë shtetin ligjor, po zhvlerësojnë institucionet, po dëbojnë të rinjtë dhe po e zbrazin shtetin tonë. Pa drejtësi nuk ka siguri për planifikimin e jetës.
E përshëndes luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ajo është më e rëndësishmja. Në këtë luftë, ne nuk jemi vetëm. Kemi besimin e qytetarëve maqedonas dhe mbështetjen e partnerëve tanë strategjikë, duke përfshirë edhe plotësimin e listës së zezë. Na shkruajnë të zezë nëse nuk e shohim të zezën me sy hapur dhe e zbardhim duke e sanksionuar. Tani në lëvizje janë institucionet kompetente maqedonase. Qytetarët prisnin dhe i pritën rezultate konkrete. Çdo vonesë do të nënkuptonte tolerimin e paligjshmërisë dhe padrejtësisë. Askush nuk duhet të jetë i paprekshëm. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin. E gjithë shoqëria nuk mund të vuajë dënimin për shkak të mosndëshkimit të disave.
Por lufta nuk duhet të reduktohet vetëm në raste të profilit të lartë, sepse korrupsioni është i rrënjosur thellë në çdo pore të shoqërisë. Mosbesimi ndaj gjyqësorit nuk është i rastësishëm. Lordi i mençur Ekton thotë me të drejtë se: I gjithë pushteti të korrupton, të kërcënon të të prishë, kurse pushteti absolut të korrupton absolutisht. Nga ana tjetër, Robert Hajslop paralajmëroi se krim ka në çdo shtet, por në Ballkan, kriminelët kanë vendet e tyre.
Prandaj duhen reforma të përshpejtuara dhe të thella në drejtësi. Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorëve Publikë duhet të jenë gardianët e vërtetë të pavarësisë së gjyqësorit dhe filtri nëpër të cilin do të kalojnë vetëm ata cilësorët dhe të pakorruptuarit. Nga kjo varet edhe kthimi i besimit të lëkundur të qytetarëve maqedonas ndaj tij. Lufta për drejtësi, për shtet ligjor, për sundimin e të drejtës, është një luftë për mbajtjen e të rinjve dhe për të ardhmen e shtetit.
Të nderuar deputetë,
Kur flas për drejtësi, nuk kam parasysh vetëm gjyqësorin dhe sundimin e të drejtës. Që të mos bëhemi shtet i rasteve sociale na nevojitet drejtësi sociale. Dhe në Kushtetutë, Maqedonia është përcaktuar si shtet social që duhet t’i ndihmojë vulnerabilët, që çdo person, çdo familje të ketë një jetë të denjë, dinjitoze.
Buxheti i miratuar nga ju, deputetë, është zhvillim dhe investim, por me një komponent social të përfshirë. Kjo është për t’u përshëndetur, veçanërisht në këtë kohë të goditjeve të çmimeve. Secili prej nesh duhet të bëjë gjithçka që mundet për të ndihmuar kategoritë vulnerabël.
E kam thënë tashmë, ingjerencat time në këtë fushë janë të kufizuara, por unë bëj atë që mundem. U bëra zëri i atyre që përballohen me diskriminim sistemik, si punëtorët e tekstilit apo gratë nga zonat rurale që luftojnë për kushte më dinjitoze pune. Për shkak të pabarazisë gjinore, shumë gra mbajnë padrejtësisht një barrë të rëndë, të dyfishtë – jo vetëm për shtëpinë dhe familjen, por edhe për të ardhurat.
Ne duhet të integrojmë perspektivat gjinore në çdo gjë që bëjmë. Barazia gjinore nuk është një ideal abstrakt, por një supozim themelor për një siguri të qëndrueshme. Sipas meje, duhet ndjekur ritmi i natyrës, krijuesi perfekt i raportit 50:50. Në kohën e shkurtër të presidencës e zbatoj këtë parim. Për herë të parë në histori, ka më shumë gra në Komisionin e Faljes, kurse ka përfaqësim të barabartë në Këshillin Rinor. Për herë të parë, anëtar i Këshillit të Sigurisë i emëruar nga Presidenti është grua. Gjithashtu, për herë të parë pas 30 vitesh, njeriu i parë dhe i dytë i Agjencisë së Zbulimit janë gra. Kam grua adjutante, në Komisionin e Dekorimeve ka më tepër femra sesa meshkuj.
Si aleate e grave, të rinjve, studentëve, grupeve të lëndueshme, për herë të parë përfshiva person me nevoja të veçantë në Këshillin e të Rinjve. Në Komisionin e Faljes dhe në Këshillin e të Rinjve, për herë të parë ka përfaqësues të bashkësisë rome, i cili nuk është aty si rom, por si jurist i përkryer, doktorand i drejtësisë penale.
Pse është e rëndësishme e gjithë kjo? Sepse kujdesi për të varfrit, vulnerabilët dhe të margjinalizuarve është maja e matjeve të vlerës së vërtetë të shoqërisë. Ne duhet ta zgjojmë solidaritetin dhe humanizmin tek ne dhe midis nesh.
Disa fjalë për drejtësinë ekologjike. Tashmë fola për efektet vdekjeprurëse të ndotjes së ajrit që e frymojmë. Ndotësi kryesor te ne është sektori energjetik. Ky problem i trashëguar nuk mund të zgjidhet për një natë. Para pak kohësh në Samitin e klimës, në Baku, në prezantimin e obligimeve që i kemi ndërmarrë si shtet, u fol edhe për tranzitën energjetike. E di që na është ofruar ndihmë dhe mendoj se duhet ta pranojmë atë ndihmë. Me padurim e pres ditën kur të nënshkruaj dekretin për shpalljen e Ligjit për aksion klimatik. Ai mund të çojë në një kthesë.
Në ditën e sotshme, më 25 dhjetor 1903, saktësisht para 121 vjetësh, doli nga shtypi libri më i rëndësishëm për ne “Për punët maqedonase” nga Kërste Petkov Misirkov. Në të Misirkovi na paralajmëron se shkaku për çdo mossukses, ndarje na shtyn drejt hiçit. Dhe e kundërta, se uniteti është parakusht për çdo sukses dhe bazë për një të ardhme të ndritshme.
Misirkov e skicon edhe marrëveshjen shoqërore, duke na rikujtuar se “kombi nuk është gjë tjetër veçse një miqësi e madhe, e bazuar në lidhje gjaku, në origjinën e përbashkët, interesat e përbashkëta. Mbajtja mend e kësaj lidhjeje farefisnore, kësaj origjine dhe këtyre interesave bëjnë që çdo pjesëtar i ndonjë populli të heqë dorë nga disa nga të drejtat dhe interesat e tij për t’i kushtuar një pjesë të forcave të tij të mirës së përbashkët. Ky është borxhi ndaj interesave të popullit, për të cilin anëtari i popullit merr mbrojtjen e interesave të tij personale atje, ku nuk mjaftojnë vetëm forcat e tij”.
Ajo marrëveshje shoqërore, e skicuar nga Misirkovi, u lidh më 2 gusht 1944 me formimin e Maqedonisë së KAÇKM-së dhe u konfirmua dhe u rinovua më 8 shtator 1991 – Në thelbin e asaj marrëveshjeje shoqërore qëndron besimi se republika jonë ekziston që të sigurojë paqen dhe bashkëjetesën, të drejtat e njeriut dhe drejtësinë sociale, mirëqenien ekonomike dhe përparimin e jetës personale dhe të përbashkët.
Gjatë tri dekadave të fundit, ajo marrëveshje sociale është harruar kryesisht. U përvetësua e mira e përbashkët, kurse u shpërfill interesi publik. Si pasojë, gjithnjë e më shumë të rinj filluan ta perceptojnë atdheun si një vendqëndrim të përkohshëm, si një hotel, në vend të një shtëpie të përhershme ku do të krijonin familje.
Ky proces i marrëveshjes shoqërore nuk është i lehtë. Por ne nuk duhet të dorëzohemi dhe duhet të krijojmë me patjetër kushte që të rinjtë maqedonas, shqiptarë, turq, serbë, romë, vllehë, boshnjakë e të tjerë të përparojnë dhe të kenë sukses këtu, në atdheun tonë të përbashkët unik.
Vetëm nëse i lëmë mënjanë përçarjet dhe grindjet, interesat e ngushta partiake e personale dhe bashkohemi rreth të mirës së përbashkët dhe interesit publik, do të arrijmë të rinovojmë këtë marrëveshje shoqërore dhe ta bëjmë atdheun tonë një vend të denjë për të jetuar për të gjithë qytetarët e tij, të tanishëm dhe të ardhshëm.
Ju faleminderit.