Presidentja Gordana Siljanovska Davkova mbajti fjalim në sesionin e kushtuar 30-vjetorit të Programit Botëror të të Rinjve, që u mbajt në kuadër të Asamblesë së 80-të të Përgjithshme të OKB-së.
Ajo theksoi nevojën që brezat e rinj ta fitojnë vendin e merituar në formësimin e së ardhmes së Kombeve të Bashkuara dhe potencoi rëndësinë e strategjisë Youth2030 si bazë për përfshirje aktive dhe jo vetëm simbolike të të rinjve në reformat e OKB-së në të gjitha nivelet.
Pjesëmarrësit në këtë sesion kanë folur mbi temat kushtuar ndaj rolit të të rinjve në zhvillimin global.
U diskutua për “Programin botëror të veprimit për të rinjt: përshpejtimi i progresit global përmes bashkëpunimit ndërgjeneracional”, si dhe për “Avancimin e zbatimit të programit botëror të veprimit për të rinjtë për të mos lënë askënd pas”.
Në vazhdim është fjalimi i plotë i Presidentes Siljanovska Davkova:
E nderuar Presidente e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, znj. Analena Berbock,
I nderuar Ndihmës Sekretar i Përgjithshëm për të Rinjtë, z. Felipe Polie,
Të nderuar të rinj,
Kam nder që të jam sot me ju kur e shënojmë 80 vjetorin e Kombeve të Bashkuara dhe 30 vjetorin e Programit Botëror të Veprimit për të Rinjtë.
Në rininë time, më tërhiqnin tekstet filozofike të Pink Floyd, veçanërisht kënga “Another Brick in the Wall”, në të cilën ata hedhin poshtë arsimin e bazuar mbi kontrollin e mendimit dhe u thonë mësuesve t’i lënë fëmijët rehat. Kur u bëra profesor universiteti, shpesh kisha në mendje këtë këngë subversive. Kjo është arsyeja pse jam këtu sot jo për t’ju dhënë leksione, por për t’u frymëzuar nga ju. Gjatë gjithë historisë, bashkëmoshatarët tuaj nuk kanë pasur frikë të flasin hapur, të sfidojnë autoritetin, të hedhin poshtë dogmatizmin dhe të luftojnë për idealet, ndonjëherë me koston e jetës së tyre.
Mendoni për protestat studentore në Paris në vitin 1968, në Pranverën e Pragës kundër tankeve të Paktit të Varshavës në vitin 1969, protestat kundër Luftës së Vietnamit. Mendoni për sfidën studentore në Sheshin Tiananmen dhe rënien e Murit të Berlinit në vitin 1989. Edhe sot, të rinjtë protestojnë kundër luftës në Ukrainë dhe konflikteve në Lindjen e Mesme, por edhe kundër ekocideve dhe femicideve, ndryshimeve klimatike dhe padrejtësive sociale.
Si kritikë të patrembur, rebelë për një kauzë, kërkues të së vërtetës, ambasadorë të së ardhmes, ju, të rinjtë, keni qenë gjithmonë agjentë të ndryshimeve.
E megjithatë, të rinjtë e kanë gjetur veten të lënë jashtë vendimeve që i prekin drejtpërdrejt. Asnjë vend, asnjë rajon nuk mund të përparojë nëse i neglizhon të rinjtë. Prandaj, Kombet e Bashkuara miratuan Programin Botëror të Veprimit për të Rinjtë. Shumë është bërë, siç është krijimi i Zyrës së Kombeve të Bashkuara për të Rinjtë, me një Ndihmës Sekretar të Përgjithshëm për të Rinjtë, u miratua Pakti për të Ardhmen, si dhe Deklarata mbi Gjeneratat e Ardhshme. Por mbetet edhe shumë për t’u bërë.
Unë vij nga një vend i vogël europian. Kemi pritur prej njëzet vitesh për t’u bërë anëtar i Bashkimit Europian. Shumë nga bashkëmoshatarët tuaj maqedonas janë lodhur duke pritur për një të ardhme europiane dhe për këtë arsye po largohen nga vendi. Kjo është e vërtetë për shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Për vendet e vogla si i yni, statistikat nuk janë një abstraksion. Për të ndryshuar gjërat, angazhimi i të rinjve nuk duhet të jetë vetëm simbolik, por një pjesëmarrje substanciale në proceset e vendimmarrjes. Nga ana ime, unë kam krijuar një Këshill Rinor dhe kam emëruar të rinj në komisione dhe organe presidenciale.
Brezat e rinj kanë të drejtë për një Kartë të rinovuar dhe të përditësuar, për një Kombe të Bashkuara të reformuar dhe të fortë që do t’u mundësojë atyre të jetojnë në paqe midis popujve, por edhe në përputhje me natyrën.
Kjo është arsyeja pse Strategjia e Kombeve të Bashkuara për të Rinjtë, Youth2030, është thelbësore. Ajo siguron se në të gjitha shtyllat e punës sonë – paqja dhe siguria, të drejtat e njeriut dhe zhvillimi i qëndrueshëm – të rinjtë të mos jenë vëzhgues, por partnerë. Kjo do të thotë tri gjëra.
Së pari, të rinjtë duhet të bëhen pjesë e reformës së OKB-së në çdo nivel. Kjo do të thotë sigurimi i vendeve të përhershme në delegacionet kombëtare, krijimi i organeve formale këshillimore dhe dhënia e roleve vendimmarrëse në fusha kyçe si reforma e Këshillit të Sigurimit, arkitektura e ndërtimit të paqes dhe qeverisja digjitale.
Së dyti, ata duhet të jenë një busull etike. Përfshirja e të rinjve nuk duhet të jetë simbolike. Ajo duhet të sjellë llogaridhënie, duke siguruar që të shmangen si premtimet boshe ashtu edhe mosveprimi cinik.
Së treti, një partneritet ndërgjeneracional. Reforma duhet t’i bashkojë brezat. Udhëheqësit më të vjetër sjellin përvojë, udhëheqësit më të rinj sjellin vizion. Së bashku ata mund ta drejtojnë multilateralizmin nga paraliza në veprim.
Ju keni privilegjin, por edhe përgjegjësinë, të jeni një urë midis të tashmes dhe të ardhmes. Pa fjalën tuaj të preferuar, “pse?” nuk ka përparim. Pa dyshimin tuaj për autoritetin, nuk ka të vërtetë. Duke lëvizur shoqëritë, ju mund ta lëvizni botën, sepse jeni të talentuar me kuriozitet dhe pasion intelektual, pa të cilat nuk mund të ketë reforma.
Ju faleminderit.