Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova e mirëpriti guvernatoren e Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezhoska, e cila e informoi mbi gjendjen ekonomike dhe pritjet, në përputhje me projeksionet makroekonomike të Bankës Popullore.
Në këtë takim u konkludua se stabiliteti i çmimeve dhe ai financiar janë themelet e një ekonomie të shëndetshme, në të cilën investimet dhe bizneset mund të përparojnë dhe se pa to ekonomia është e ndjeshme ndaj goditjeve që prishin rritjen dhe ulin besimin e publikut në sistemet financiare. Në këtë drejtim, u theksua se politikat dhe masat e Bankës Popullore për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe ato financiare sigurojnë rritje të qëndrueshme ekonomike.
Duke e pasur parasysh rolin kyç të Bankës Popullore në mbrojtjen e këtyre bazave, si thelbësore për krijimin e një mjedisi të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm për bizneset, investitorët dhe ekonomitë familjare, Presidentja Siljanovska Davkova shprehu mbështetjen për përkushtimin e saj për ruajtjen e politikave të shëndetshme monetare dhe financiare, një ekonomi elastike dhe dhe një të ardhme të begatë.
Në këtë takim, guvernatorja tha se inflacioni mesatar në vitin 2024 ishte 3.5%, që është në përputhje me parashikimet e Bankës Popullore, kurse në vitin 2025 pritet një rënie prej rreth 2.5% dhe kthim në mesataren historike prej 2% në afat të mesëm. Në lidhje me rritjen ekonomike, pritet përshpejtim, përkatësisht rikuperim i moderuar i aktivitetit ekonomik. Ekonomia do të mbështetet nga aktiviteti kreditues, zgjerimi i mëtejshëm i bazës së depozitave dhe sistemi i qëndrueshëm bankar . Megjithatë, për shkak të rreziqeve ekzistuese, është e me rëndësi të veçantë ndjekja e politikave makroekonomike të kujdesshme. Në këtë drejtim, guvernatorja Angelovska Bezhoska theksoi se Banka Popullore do të vazhdojë të zbatojë politika të dizajnuara mirë që do të sigurojnë stabilitet afatgjatë makroekonomik dhe do të garantojnë rritje të qëndrueshme ekonomike.
Bashkëbisedueset shkëmbyen mendime edhe mbi ndikimet e mundshme të zhvillimeve ekonomike globale dhe gjeopolitikës në ekonominë maqedonase, arsyet e ndjeshmërisë ndaj goditjeve të jashtme, faktorët që ndikojnë në rritjen e investimeve të huaja direkte, si dhe masat e nevojshme për konsolidim fiskal.
Në këtë bisedë u shpreh pritshmëria që Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor të ketë ndikim pozitiv mbi ekonominë dhe në zbatimin e Agjendës së Reformave të shtetit.
Në fund, guvernatorja e informoi Presidenten Siljanovska Davkova për përpjekjet dhe angazhimet e tyre për përfshirje sa më të shpejtë të vendit në Zonën Evropiane të Pagesave në Euro (SEPA) me qëllim të rritjes së efikasitetit të pagesave në euro dhe zhvillimit dhe integrimit të mëtejshëm në Tregun e përbashkët evropian.