Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, së bashku me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të Gjykatës së Përhershme të Arbitrazhit në Hagë, Marcin Cepelak, në të cilin presidentja shprehu shqetësim për situatën aktuale të sigurisë në botë dhe theksoi nevojën për paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.
Sipas presidentes, zgjidhjet për sfidat e sotme duhet të kërkohen brenda kornizës së sistemit shumëpalësh, ndërsa ajo mbështeti forcimin e rolit të Asamblesë së Përgjithshme dhe rishikimin e mekanizmave të vendimmarrjes së Këshillit të Sigurimit.
Në një kohë tensionesh të rritura globale, vlerësoi Gordana Siljanovska-Davkova, institucione të tilla si Gjykata e Përhershme e Arbitrazhit janë të nevojshme për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar. Ajo theksoi se për të gjitha shtetet, e veçanërisht për ato të vogla dhe të mesme, respektimi i së drejtës ndërkombëtare nuk është vetëm detyrim ligjor, por edhe imperativ moral.
Presidentja theksoi gatishmërinë tonë për të forcuar bashkëpunimin me Gjykatën e Përhershme të Arbitrazhit duke nënshkruar memorandume mirëkuptimi, duke zhvilluar partneritete me universitete dhe duke ofruar mundësi për profesionistët e rinj për të ushtruar profesionin në fushën e së drejtës ndërkombëtare, më çka u pajtua edhe Sekretari i Përgjithshëm i Gjykatës, Marcin Cepelak.
Ai e njohu presidenten Gordana Siljanovska-Davkova me historinë e Pallatit të Paqes, ku ndodhet Gjykata e Përhershme e Arbitrazhit, me punën e gjykatës dhe me procedurat e vendimmarrjes.