Presidentja Gordana Siljanovska avkova, me ndjenjë të thellë dhe të sinqertë kujdesi, fillimisht e zitoi spitalin “Pirogov” në Sofje, ku janë të strehuar dhe po marrin trajtim qytetarët maqedonas të lënduar në zjarrin tragjik në Koçan.
Gjatë vizitës, Presidentja realizoi takim me ministrin e Shëndetësisë, prof. dr. Silvi Kirillov, zëvendësdrejtorin e spitalit, prof. dr. Nikollaj Gabrovski dhe drejtuesen e Njësinë djegie dhe kirurgji plastike, doc. dr. Maja Argirova.
Nga biseda me ta, ajo u informua se gjendja shëndetësore e tetë pacientëve maqedonas është stabile, se ndodhen nën kujdes të vazhdueshëm nga mjekë të nivelit të lartë dhe me përvojë dhe se procesi i rikuperimit po shënon përparim.
Në prani të një mjeku maqedonas, Presidentes iu mundësua një bisedë më e gjatë me të afërmit më të ngushtë të pacientëve maqedonas. Ata shprehen me mirënjohjen më të madhe për stafin mjekësor dhe manifestuan gëzim për përmirësimin e dukshëm të gjendjes së më të dashurve të tyre.
Presidentja shprehu falënderime të ngrohta për ndihmën e shpejtë, profesionale dhe të pakursyer të Bullgarisë. Ajo theksoi se pikërisht në momentet e dhimbjes së madhe dhe hidhërimit kombëtar njihet miqësia e vërtetë, duke theksuar se humanizmi dhe solidariteti bullgar do të mbeten të gdhendur në memorien kolektive të popullit maqedonas.
Gjatë vizitës, ajo pati mundësinë të takohet me disa nga ekipet mjekësore bullgare që morën pjesë drejtpërdrejt në dhënien e ndihmës mjekësore urgjente, duke u shprehur mirënjohje të veçantë për përkushtimin, humanizmin dhe profesionalizmin e tyre.
Duke shprehur falënderime edhe për Ministrinë e Shëndetësisë të Republikës së Bullgarisë për ndërhyrjen e koordinuar dhe udhëheqjen profesionale, Presidentja theksoi se misioni i tyre fisnik është një shembull i vërtetë i etikës mjekësore, solidaritetit dhe humanizmit. Këto vlera, sipas saj, do të mbeten themeli i respektimit të ndërsjellë dhe miqësisë së sinqertë midis dy popujve të afërt, bullgar dhe maqedonas.