Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova pati fjalim në Konferencën e tretë të Kombeve të Bashkuara për Oqeanin (UNOC3) në mbështetje të zbatimit të Objektivit 14 të Zhvillimit të Qëndrueshëm, “Ruajtja dhe përdorimi i qëndrueshëm të oqeaneve, deteve dhe burimeve detare për zhvillim të qëndrueshëm”, që mbahet në Nicë të Francës.
Në fjalimin e saj, ajo theksoi rëndësinë jetike të oqeanit si zemra e sistemit global klimatik, që absorbon një të katërtën e emetimeve të CO2 dhe siguron gjysmën e oksigjenit të nevojshëm në Tokë. Presidentja Siljanovska-Davkova theksoi se me modelet tona të paqëndrueshme të prodhimit dhe konsumit, ne e prishim sistemin oqeanik.
Ajo theksoi se për t’u përballur me krizën, nevojitet një multilateralizëm efektiv, me Organizatë të Kombeve të Bashkuara të fortë që ekziston për të krijuar paqe jo vetëm midis kombeve, por edhe me natyrën.
Sipas Presidentes Siljanovska-Davkova, asnjë vend, asnjë kontinent i vetëm nuk mund të krijojë dhe ta ruajë paqen me natyrën. Ajo tha se është një rastësi simbolike që përfundimi i “Kontratës për Ruajtjen dhe Përdorimin e Qëndrueshëm të Diversitetit Biologjik Detar” po zhvillohet në atdheun e Michel Serra-s, autorit të “Kontratës së Natyrës” në të cilën njerëzit e trajtojnë Tokën dhe natyrën si partnerë të barabartë.
Duke theksuar angazhimin e MaqedoNicë për dialog dhe qeverisje të fortë ndërkombëtare të oqeaneve, ajo potencoi se ne e mirëpresim Deklaratën “Oqeani ynë, e ardhmja jonë: të bashkuar për veprim urgjent” dhe shprehim mbështetjen tonë për zbatimin e Qëllimit të 14-të të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Planit të Veprimit nga Nica.
Si vend, pjesë e Mesdheut, një nga rajonet më të prekshme nga ndryshimet klimatike në botë, ne i japim përparësi menaxhimit të integruar të ujërave. Ajo vlerësoi se ky proces do të ishte shumë më efikas nëse anëtarësimi ynë në BE do të zhbllokohej.
Në vazhdim teksti i plotë i fjalimit të Presidentes Siljanovska-Davkova.
Shkëlqesitë Tuaja,
Zonja dhe Zotërinj,
Shpreh mirënjohjen time të sinqertë për bashkëkryetarët, Presidentët e Francës dhe Kosta Rikës, për organizimin e kësaj Konference të Tretë të Kombeve të Bashkuara për Oqeanin.
Si anëtar i një shoqërie, secili prej nesh është pjesë e asaj që Ruso e quajti kontratë shoqërore. Megjithatë, ne jemi mbledhur këtu në Nicë si palë në një kontratë tjetër, kontraten natyrore të Mishel Sera, që i detyron njerëzit ta trajtojnë planetin si një partner të barabartë. Dhe, guxohem të them, ne qëndrojmë këtu sikur të jemi në gjyq, si fajtorë për shkeljen e asaj kontrate natyrore.
Oqeani është zemra e kaltër e planetit tonë të kaltër. Me miliarda vjet, kjo zemër e kaltër ka rrahur në ritëm që mbështet jetën e specieve të panumërta, duke përfshirë edhe tonën. Si zemra e sistemit global të klimës, oqeani thith një të katërtën e emetimeve të CO2 dhe siguron gjysmën e oksigjenit të nevojshëm nga Toka. Ai e ftoh planetin duke thithur 90% të nxehtësisë së tij dhe rregullon klimën. Është thelbësor për sigurinë ushqimore. Jeta mbi nivelin e detit varet nga jeta nën nivelin e detit.
Megjithatë, me sistemet tona të paqëndrueshme të prodhimit dhe zakonet tona të shpërdorimit të konsumit, ne po e prishim sistemin oqeanik. Provat kundër nesh janë kudo përreth nesh.
Oqeani është bërë më i ngrohtë dhe më i thartë (me acid). Rrymat e tij të lashta po ndryshojnë, duke e bërë detin më të paparashikueshëm. Koralet e tij të gjalla po zbardhen dhe ekosistemet e tij të pasura detare po shkatërrohen. Kemi shtuar pesticide dhe plastikë në zinxhirin ushqimor, duke prishur proceset komplekse biokimike të organizmave të gjallë.
Të verbuar nga përfitimet afatshkurtra, po e vëmë në rrezik ekzistencën e gjeneratave të ardhshme. Mendoni për temperaturat në rritje, ngjarjet ekstreme të motit gjithnjë e më të shpeshta dhe mikroplastikat që përfundojnë në pjatat tona.
Për t’iu përgjigjur kësaj krize, na duhet një multilateralizëm efektiv me një Organizatë të Kombeve të Bashkuara të fortë në thelb. OKB-ja ekziston për të krijuar paqe jo vetëm midis kombeve, por edhe me natyrën. Asnjë vend, asnjë kontinent nuk mund ta arrijë këtë i vetëm. Është një përpjekje e përbashkët e të gjithë njerëzimit, e të gjitha kombeve, të mëdha dhe të vogla, me dalje në det dhe pa dalje në det. Sidomos atyre pa dalje në det, jo vetëm sepse kemi të drejtë ligjore për të hyrë në det (sipas Konventës së OKB-së për të drejtën e Detit), por sepse jemi pjesë e të njëjtit sistem oqeanik.
Shkëlqesi,
Vendi im është i përkushtuar ndaj qeverisjes dhe dialogut të fortë ndërkombëtar të oqeaneve. Ne mirëpresim deklaratën “Oqeani ynë, e ardhmja jonë: Të bashkuar për veprim urgjent” dhe mbështesim zbatimin e Qëllimit të 14-të të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Planit të Veprimit nga Nica. Sot unë do të nënshkruaj Marrëveshjen për Ruajtjen dhe Përdorimin e Qëndrueshëm të Diversitetit Biologjik Detar të Zonave përtej Juridiksionit Kombëtar. Ne gjithashtu mbështesim zbatimin e plotë të Kornizës Globale të Biodiversitetit Kunming-Montreal për ndalimin e humbjes së biodiversitetit. Mirëpresim veprimet ambicioze për të mbrojtur, ruajtur, përdorur në mënyrë të qëndrueshme dhe rinovuar oqeanin dhe ekosistemet e tij në përputhje me Paktin për të ardhmen.
Sidoqoftë, kontributi ynë më i madh lidhet me përballjen me ndryshimet klimatike. Si nënshkrues i Marrëveshjes së Parisit, ne jemi të detyruar që të zvogëlojmë ndjeshëm emetimet e gazrave serrë, duke përshpejtuar kalimin në një ekonomi me karbon të ulët në energji, transport, industri dhe bujqësi. Duke qenë në Mesdhe, një nga rajonet më të prekshme nga klima në botë, ne i japim përparësi përshtatjes së sektorëve tanë më të prekshëm, veçanërisht burimeve ujore. Megjithatë, ky proces do të jetë shumë më efektiv nëse procesi ynë i anëtarësimit në BE zhbllokohet. Duke luftuar ndryshimet klimatike, ne po luftojmë për oqeanin.
Na duhet ajo që Edgar Morin e quajti vetëdije për tokën, vetëdije e thellë për ndërlidhjen tonë si një komunitet i vetëm planetar. Ne shohim shenja për këtë, ndërsa gjeneratat e reja kudo bëhen gjithnjë e më të vetëdijshme për krizën e oqeanit, duke përfshirë edhe në vendin tim pa dalje në det. Kohët e fundit takova një grup studentësh të rinj dhe të zgjuar maqedonas, të cilët do të marrin pjesë në Sfidën e parë “Liga Lego”, të mbështetur nga UNESCO, me një zgjidhje inovative se si të përdoret robotika për të pastruar oqeanet dhe për të ushqyer balenat. Imagjinoni, studentë nga një vend pa dalje në det të pasionuar pas shpëtimit të oqeanit.
Kam thënë se jemi në gjyq. Fundi i oqeanit është i mbushur me prova që vërtetojnë fajin tonë. Kapiteni i ardhshëm Nemo mund t’i mbledhë ato dhe të na akuzojë për shkelje të kontratës natyrore. Por, që të fitojmë një vendim më të favorshëm nga gjeneratat e ardhshme, duhet ta zëvendësojmë pasqyrën narcisiste të Dorian Grej me pasqyrën e natyrës. Siç tha një herë legjenda për oqeanografi Zhak Kusto, “deti, bashkuesi i madh, është shpresa e vetme e njeriut. Tani, më shumë se kurrë më parë, fraza e vjetër ka një kuptim të mirëfilltë: jemi të gjithë në të njëjtën varkë”. Zgjidhni: Titaniku apo Arka e Noes? Unë zgjodha të dytën. Ajo niset nga Nica.
Ju faleminderit.