Presidentja Gordana Siljanovska Davkova u drejtua sot në konferencën e mëposhtme me rastin e 25-vjetorit të miratimit të Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së “Gratë, Paqja dhe Siguria”.
I udhëhequr nga arsyeja dhe dialogu, në krahasim me forcën dhe luftën, Këshilli i Sigurimit krijoi perceptim të ri për gratë me Rezolutën në fjalë: nga dëshmitare të heshtura dhe viktima të dhunës, ato u bënë paqebërëse aktive.
Sipas Presidentes Siljanovska Davkova, problemi nuk është zgjidhur as nga kjo dhe as nga dhjetëra rezoluta të tjera, sepse gratë dhe vajzat janë ende viktimat më të zakonshme dhe më të mëdha të luftërave.
“Lufta i privon qeniet femërore nga subjektiviteti njerëzor, i dehumanizon ato dhe i instrumentalizon për qëllime ushtarake”, theksoi ajo.
Në negociatat e paqes, me vetëm 7% pjesëmarrje në vitin e kaluar, gratë luajnë një rol simbolik.
Ajo paralajmëroi për paqëndrueshmërinë e realitetit, ku gjysma mashkullore e njerëzimit zotëron pushtet absolut për të vendosur për paqen dhe luftën, dhe gjysma femërore – asnjë.
Presidentja Siljanovska Davkova beson se është koha e duhur që të kuptojmë se barazia gjinore nuk është privilegj feminist dhe egocentrizëm femëror, por imperativ humanist, sepse dhuna dhe siguria nuk janë çështje femërore, por çështje kyçe shoqërore.
Përveç presidentes Siljanovsa Davkova, në këtë aktivitet kanë folur: Vlado Misajlovski, Ministër i Mbrojtjes; Mihalis Rokas, Ambasador i Bashkimit Europian; si dhe Vesna Ivanovic-Castard, Kryetare e Zyrës së UN Women.
Lëshimi i një pulle postare në nder të 25-vjetorit të Rezolutës 1325 të OKB-së “Gratë, Paqja dhe Siguria” tregon vetëdije të lartë demokratike për rëndësinë e rolit aktiv të grave në paqen dhe sigurinë.
Në vazhdim është teksti integral i fjalimit të Presidentes Siljanovska Davkova.
I nderuar Ministër i Mbrojtjes, z. Vlado Misajlovski,
I nderuar Ambasador i Bashkimit Europian, z. Michalis Rokas,
I nderuar Shef i Shtabit të Përgjithshëm, Sashko Lafçiski
Të nderuar përfaqësues të Kombeve të Bashkuara,
Të nderuar përfaqësues të trupit diplomatik,
Të nderuar të ftuar,
zonja dhe zotërinj,
Njëzet e pesë vjet më parë, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, siç e kemi dëgjuar tashmë, miratoi Rezolutën 1325, një dokument që ndryshoi vërtet pikëpamjen për paqen dhe sigurinë. Kjo Rezolutë ndryshoi perceptimin e grave, deri atëherë kryesisht dëshmitare të heshtura ose viktima të konflikteve, ndërsa që atëherë – aktore aktive të paqes.
Kjo rezolutë vendosi dy parime themelore:
Së pari, mbrojtja e grave dhe vajzave nga dhuna me bazë gjinore.
Dhe së dyti, pjesëmarrja e tyre e barabartë me burrat në luftën për paqe dhe siguri.
Kështu, Këshilli i Sigurimit qëndroi pas arsyes dhe dialogut, dhe jo pas forcës dhe luftës. Ose, nëse, sipas fjalëve të mia, Venusi është i rreshtuar përballë Marsit.
Por, sipas mendimit tim, rezolutat, megjithëse të nevojshme, nuk janë të mjaftueshme. Gratë, për fat të keq, janë ende viktimat më të shpeshta dhe më të mëdha të konflikteve. Lufta i privon qeniet femërore nga subjektiviteti njerëzor, i çnjerëzon ato, i instrumentalizon në një objekt përvoje.
Megjithatë, në proceset formale të paqes, pjesëmarrja e grave është ende simbolike, siç dëshmohet nga fakti se në vitin e kaluar vetëm 7% e negociatorëve ishin gra. Për mua, ky nuk është thjesht një numër i zakonshëm, por një fakt paralajmërues se gjysma mashkullore e njerëzimit ka një pushtet të jashtëzakonshëm, domethënë absolut, ndërsa gysma femërore – margjinale ose pothuajse aspak. Më lejoni t’ju kujtoj paralajmërimin e Lord Acton se çdo pushtet korrupton, dhe pushteti absolut – korrupton absolutisht!
Megjithatë, ka dritë në qiell. Shembujt e ndritshëm janë të rrallë, por frymëzues: gratë në shumë shoqëri pas konfliktit kanë udhëhequr pajtimin, kanë rivendosur strukturën shoqërore, kanë lidhur të ndarët dhe të kundërshtuarit me ndihmën e mendjes, dijes, kreativitetit dhe empatisë, kryesisht me inteligjencën emocionale, ato vepruan në një mënyrë shëruese dhe kurative, duke rivendosur besimin dhe njerëzimin.
Kush e di sa herë është konfirmuar se barazia gjinore nuk është një privilegj feminist, as egocentrizëm femëror, por një imperativ humanist.
Për t’u përballur dhe për të kapërcyer konfliktet, nuk mjafton të nënshkruhet një marrëveshje paqeje, por është e nevojshme të ndryshohen marrëdhëniet shoqërore, respektin për vlerat dhe parimet themelore, të braktisen reliket e patriarkatit dhe provincializmit dhe të krijohet një kulturë demokratike të jetesës. Do të pajtoheni me mua se gratë kanë aftësinë ta transformojnë deklarativën në realitet, përmes angazhimit të përditshëm, aktiv dhe gjithëpërfshirës në të gjitha dimensionet dhe sferat e jetës shoqërore.
Normat tradicionale të përjashtimit të grave nga procesi i vendimmarrjes nuk janë zakon, ato janë padrejtësi.
Dhuna dhe siguria e grave nuk janë “çështje të grave”, por çështje kyçe shoqërore. Demokracia matet dhe vlerësohet gjithashtu sipas qëndrimit ndaj grave, sepse të drejtat e grave janë të drejta të njeriut, realizimi i të cilave forcon legjitimitetin dhe besueshmërinë demokratike të çdo sistemi politik.
Pabarazia pamundëson drejtësinë, gërryen paqen dhe kërcënon sigurinë e së ardhmes.
Të nderuar të ftuar,
t’ju kujtoj: Kombet e Bashkuara u krijuan si një përgjigje logjike ndaj luftës dhe kolonializmit, domethënë si një projekt paqeje dhe antikolonializmi. Fatkeqësisht, jetojmë në një kohë të rrezikshme, të trazuar, ndonjëherë luftarake, ndonjëherë pas luftës, ndonjëherë, për fat të keq, para luftës.
Ne, gratë, nuk kërkojmë avantazh, por njohje dhe përdorim të aftësisë sonë të barabartë në luftën për res publica, për të mirën e përbashkët.
Agjenda e Grave, Paqes dhe Sigurisë nuk kërkon mëshirë, por arsye dhe nder. Ajo paralajmëron se ato janë të paarritshme në një mjedis shoqëror në të cilin ato perceptohen dhe trajtohen si një privilegj i më të fortit, dhe jo si një e drejtë e të gjitha shteteve (të mëdha, të vogla, të mesme), e të gjitha kombeve (të vogla ose të mëdha, të famshme ose të panjohura), e të gjitha qenieve njerëzore.
Le ta shohim realitetin jo vetëm me sytë tanë, por edhe me mendjet dhe zemrën tonë. Sot, kur e shënojmë 25-vjetorin e Agjendës së Grave, Paqes dhe Sigurisë dhe Rezolutës 1325, rreth shtatëqind milionë gra dhe vajza jetojnë brenda një rrezeje prej pesëdhjetë kilometrash nga zonat e konfliktit, numri më i lartë në tre dekadat e fundit! Për çfarë lloj prosperiteti po flasim atëherë, për çfarë lloj demokracie po vajtojmë? Është sekret i hapur se mbështetja strukturore dhe financiare për gratë, ndërtueset e paqes, është e pamjaftueshme. Ne duhet të riangazhohemi ndaj Agjendës së Grave, Paqes dhe Sigurisë, por jo ad hoc, jo simbolikisht, por strategjikisht dhe taktikisht. Ne duhet të hapim fronte paqeje nga të gjitha anët: në institucione, në arsim, në strukturat e sigurisë, në gjyqësor, në misionet diplomatike.
Të mos lejojmë që “paqja” të mbetet një fjalë e zbrazët dhe e konsumuar që përmendet vetëm në konferenca, sepse fjalimi i militarizuar nuk e pëlqen dhe e refuzon. Ta përfshijmë atë në jetën e përditshme, kudo dhe gjithmonë.
Nuk do të qëndroja këtu, para jush, nëse nuk do të besoja se kjo është e mundur. Nuk do të isha me ju, nëse nuk do të njihja paqebërësit tek ju. Paqja ishte dhe do të jetë superiore ndaj luftës, ne vetëm duhet ta promovojmë kauzën e paqes dhe vizionin e paqes më me zë të lartë, më të guximshëm dhe më me përkushtim, të gjithë së bashku, dhe për të realizuar misionin e paqes!
Ju faleminderit.
Mos harroni, kjo pullë e bukur në nder të kësaj dite të madhe, në të cilën, sigurisht, zogu sjell lajmin e paqes, do të gdhendet, jo vetëm në sytë tanë, por edhe në mendjet tona dhe do të na kujtojë çdo ditë se kemi projekte paqeje të papërfunduara.
Ju faleminderit.






