Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova i ka pritur sot ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës, Rafael Soriano Ortiz, koordinatoren rezidente të KB-së, Rita Kolumbia dhe përfaqësuesin e UNDP-së në Shkup, Armen Gregorian, në prag të Konferencës së 4-të ndërkombëtare për financimin e zhvillimit (FfD4), që në organizim të KB-së do të mbahet në Sevilje, Spanjë, ku do të marrë pjesë edhe presidentja Siljanovska-Davkova.
Në këtë takim presidentja Siljanovska-Davkova u informua për qëllimet, pritjet dhe rëndësinë e kësaj konference. Takimin e liderëve në Sevilje bashkëbiseduesit e vlerësuan si mundësi të mirë për të gjetur zgjidhje për t’i përballur sfidat financiare në përmbushjen e Objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm. Nga kjo konferencë, në të cilën pritet të marrin pjesë më shumë se 50 krerë të shteteve dhe qeverive, pritet që të hartohet Platforma e veprimit, me iniciativa dhe fonde konrekte.
Presidentja Siljanovska-Davkova konsideron se pa burime përkatëse financiare, nuk ka mundësi për zbatimin e Agjendës 2030. Ajo theksoi nevojën për reforma të arkitekturës financiare ndërkombëtare, për mbështetje të vendeve në zhvillim dhe për qasje më të madhe në financa. Presidentja Siljanovska-Davkova nxitjen investuese të sektorit privat dhe në partneritetin publik privat e konsideron si zgjidhje për sigurimin e mjeteve të nevojshme. Duke theksuar qëllimet në mënyrë të qartë presidentja Siljanovska-Davkova potencoi rëndësinë thelbësore të bashkëpunimit multilateral dhe atij rajonal.
Përfaqësuesit e KB-së përshëndetën përkushtimin e madh të vendit tonë ndaj Agjendës 2030, si dhe integrimin e objektivave për zhvillim të qëndrueshëm në strategjitë kombëtare dhe planet për zhvillim lokal. Ata kanë shprehur kënaqësinë e tyre nga zbatimi me sukses të linjës kreditore për financimin e energjisë së gjelbër (Green Financing Facilities), që mundëson investimet e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në efikasitetin energjetik dhe burimet e energjisë së ripërtëritshme.
Presidentja Siljanovska-Davkova ka shprehur gatishmërinë për zgjerim të mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale me Spanjën dhe për vazhdim të bashkëpunimit të shkëlqyer me institucionet e KB-së. Ajo e ka përshëndetur, gjithashtu, angazhimin e të gjithë ekipit të KB-së në zhvillimin e Kornizës së Bashkëpunimit për Zhvillim të Qëndrueshëm 2026-2030, si dokument strategjik i harmonizuar me prioritete zhvillimore nacionale dhe detyrimet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.