Siljanovska Davkova pas takimit me Pirc Musar në Lubjanë: Procesi i zgjerimit të BE-së nuk duhet të pengohet nga bilateralizimi që lidhet me çështjet e identitetit

18 Maj 2026 | Kumtesat

Si pjesë e vizitës zyrtare në Republikën e Sllovenisë, sot në Lubjanë u mbajt konferencë e përbashkët për shtyp të Presidentes së Maqedonisë, Gordana Siljanovska Davkova dhe Presidentes së Sllovenisë, Natasa Pirc Musar.

Të nderuar përfaqësues të mediave,

E nderuar Presidente, e nderuar Natasa Pirc Musar,

Para së gjithash, dëshiroj t’ju falënderoj sinqerisht për ftesën, për pritjen e ngrohtë dhe për bisedën miqësore.

Kjo vizitë zyrtare po zhvillohet në një vit kur të dy vendet festojnë 35 vjet pavarësi, por për mua ka edhe një dimension personal, sepse përvoja ime akademike e doktoraturës është e lidhur me Lubjanën. Kjo është arsyeja pse ndonjëherë them se i referohem Sllovenisë si vendi im i dytë.

Është e pamohueshme që Sllovenia është vendi ynë mik, por Sllovenia është gjithashtu shembull frymëzues i një vendi të vogël europian, i cili, me institucione të qëndrueshme demokratike, sundimin e ligjit dhe kulturë politike pjesëmarrëse, po krijon me sukses shoqëri funksionale dhe të integruar.

Sot konfirmuam se marrëdhëniet dypalëshe janë të shkëlqyera, por ka potencial për thellimin e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, arsimit, shkencës, kulturës dhe turizmit.

Gjithashtu i kushtuam vëmendje të veçantë nevojës dhe mundësisë së rritjes së tregtisë, duke marrë parasysh se Sllovenia është ende një nga investitorët tanë më të rëndësishëm, veçanërisht në fushën e energjisë dhe tranzicionit të gjelbër.

Dëshiroj të theksoj se fluturimi direkt Shkup-Lubjanë, me të cilin udhëtova, do të kontribuojë gjithashtu në relativizimin e distancës, domethënë në rritjen e afërsisë.

E di që një numër i madh studentësh maqedonas vazhdojnë arsimimin e tyre këtu. E di që të rinjtë, përmes arsimit dhe bashkëpunimit shkencor, bëhen pjesë e hapësirës akademike europiane.

Bashkësia maqedonase në Slloveni ka mundësi që të organizohet, t’i kultivojë gjuhën, kulturën dhe traditën e saj, si dhe të përfshihet në Këshillin e Kombësive, që është një tjetër provë e pjekurisë demokratike të Sllovenisë dhe respektit për diversitetin kulturor.

E di që anëtarët e bashkësisë maqedonase në Slloveni kanë një rol gjithnjë e më aktiv shoqëror dhe politik, përmes pjesëmarrjes në këshillat komunale dhe Asamblenë Kombëtare. Kjo është një tjetër provë se në frymën e vlerave europiane, integrimi i suksesshëm nuk do të thotë heqje dorë nga identiteti i vet, por përkundrazi kultivim dhe respektim i tij.

Gjithashtu, diskutuam për bashkëpunimin brenda Ballkanit Perëndimor. Me kënaqësi pranova të ndihmoj në Procesin Brdo Brioni, sepse vetë ekzistenca e këtij procesi tregon angazhimin e Sllovenisë dhe Kroacisë ndaj rajonit. Ju falënderoj edhe një herë për këtë.

Lidhur me integrimin tonë europian, përsërita se mbetemi të përkushtuar. Për ne, BE-ja ishte dhe mbetet jo vetëm shtëpi gjeografike, historike dhe kulturore e përbashkët, por edhe përparësi e rëndësishme. Dhe ne presim, si më parë, mbështetje nga Sllovenia në këtë rrugë.

Atë që dëshiroj ta theksoj është që ta nxjerr në pah rrezikun e bilateralizimit të procesit të zgjerimit, veçanërisht kur ai lidhet me çështje identiteti, të cilat nuk janë të negociueshme. Ne nuk kërkojmë privilegje, por zbatim të vazhdueshëm të ligjit europian dhe respekt të identitetit historik dhe kulturor të popujve, si dhe dinjitetit dhe integritetit të individëve.

Bashkimi Europian personifikon unitetin në diversitet. BE mbetet një filozofi frymëzuese, nëse respekton vlerat dhe parimet e saj.

Integrimi i Ballkanit Perëndimor nuk është vetëm çështje politike, por edhe çështje sigurie. Retorika nuk mjafton për t’i rezistuar ndikimeve të huaja, sepse të gjithë e dimë se nuk ka boshllëk politik që dikush nuk do të përpiqet ta mbushë, ose të ndikojë. Ballkani ka qenë gjithmonë një lloj prove për matjen e forcës së aktorëve të rëndësishëm.

Ne kemi politikë të jashtme dhe të sigurisë 100% të harmonizuar me BE-në, dhe meritojmë të tregojmë pjekuri dhe interes në rrugën europiane përmes prizmit të kritereve të Kopenhagës.

Dëshiroj t’ju falënderoj edhe një herë për mbështetjen, mirëkuptimin dhe qëndrimin tuaj miqësor ndaj neve. E di që ky takim do të paraqet nxitje për bashkëpunim edhe më të ngushtë dhe më gjithëpërfshirës.

Ju faleminderit.

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit