Siljanovska Davkova pranoi letrat kredenciale të ambasadorit të sapoemëruar të Republikës së Koresë, Kim Dongbae

4 Qershor 2025 | Kumtesat

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova pranoi letrat kredenciale të ambasadorit të sapoemëruar të Republikës së Koresë me seli në Sofje, Kim Dongbae.

Duke i uruar mirëseardhje ambasadorit Dongbae, Presidentja Siljanovska Davkova shprehu kënaqësinë për marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimin konstruktiv midis dy vendeve, pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në vitin 2019. Ajo vlerësoi se ekziston vullnet dhe angazhim për shfrytëzimin e potencialit dhe për intensifikimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.

Presidentja Siljanovska Davkova potencoi rëndësinë e zhvillimit të bashkëpunimit, duke theksuar se ekonomia koreane ofron mundësi të mëdha për partneritet në shumë fusha, veçanërisht në teknologjinë e informacionit, digjitalizimin dhe burimet e energjisë së ripërtëritshme, ndërsa nga ana tjetër, vendi ynë, me vendndodhjen e tij strategjike në zemër të Ballkanit, ofron kushte të favorshme për investitorët dhe kompanitë koreane.

Presidentja Siljanovska Davkova shprehu besim dhe gatishmëri për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në nivel multilateral, veçanërisht në kuadër të Kombeve të Bashkuara. Vendet e vogla dhe të mesme, sipas saj, duhet të veprojnë në mënyrë unike, mund të ofrojnë njohuri dhe meritojnë të kenë një rol më të fortë në vendimmarrjen për çështjet globale.

Bashkëbiseduesit theksuan nevojën për të punuar së bashku në hapjen e ambasadave rezidente në Shkup dhe Seul.

Presidentja Siljanovska Davkova, në frymën e parimit të reciprocitetit, kërkoi heqjen e vizave për qytetarët e Maqedonisë, duke pasur parasysh faktin se ato nuk ekzistojnë për qytetarët e Republikës së Koresë.

Ambasadori Dongbae vlerësoi se pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike gjashtë vjet më parë, të dy vendet janë bërë partnerë të suksesshëm dhe shprehu gatishmëri për thellimin dhe zgjerimin e tyre. Ai e përmendi zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik si prioritet në punën e tij.

Presidentja Siljanovska Davkova i shprehu urime zgjedhjes së Li Xhe-Mjung si President i ri i Republikës së Koresë në zgjedhjet e jashtëzakonshme presidenciale të djeshme.

Ajo i uroi ambasadorit Kim Dongbae suksese në kryerjen e misionit të tij të përgjegjshëm diplomatik.

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit