Presidentja Gordana Siljanovska Davkova u takua me Veljko Kajtazi, përfaqësues i 12 pakicave kombëtare në Parlamentin Kroat dhe delegacionit të Shoqatës së Romëve Kroatë “Kali Sara”, të udhëhequr nga Presidentja Suzana Krçmar.
Fokusi i takimit ishte pozicioni i romëve, nevoja për promovimin e të drejtave të tyre dhe mundësive për ndarjen e praktikave të mira.
Presidentja Siljanovska Davkova theksoi se romët janë pjesë e rëndësishme e shoqërisë maqedonase dhe faktor i rëndësishëm në zhvillimin e saj kulturor dhe demokratik.
Bashkëbiseduesit diskutuan sfidat me të cilat përballen romët, veçanërisht në fushën e arsimit, punësimit dhe luftës kundër diskriminimit. Presidentja Siljanovska Davkova theksoi se këto çështje kërkojnë angazhim të vazhdueshëm dhe veprim të përbashkët nga institucionet, sektori civil dhe përfaqësuesit e komunitetit rom.
Ajo përshëndeti punën e Veljko Kajtazit dhe shoqatës “Kali Sara” në afirmimin e gjuhës, kulturës dhe historisë rome, si dhe kontributin e tyre në njohjen ndërkombëtare të 5 nëntorit si Dita Botërore e Gjuhës Rome.
Sipas saj, gjuha rome paraqet pjesë e rëndësishme e identitetit kulturor të popullit rom, si dhe ruajtja dhe transmetimi i saj te gjeneratat e reja është me rëndësi të veçantë.
Të ftuarit theksua meritat e jashtëzakonshme të z. Veljko Kajtazit në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të romëve. Ata veçuan arsimin në gjuhën rome si një nga prioritetet, nevojën për dukshmëri më të madhe të romëve, si dhe angazhimin e tyre politik në të gjitha nivelet.
“Nëse romët nuk angazhohen në politikë, atëherë politika pa ata do të merret me ta edhe në mënyrë të papërshtatshme”, theksoi Presidentja Siljanovska Davkova, duke i inkurajuar romët e rinj të përfshihen në politikë.
Në fund, Presidentja Siljanovska Davkova theksoi se shkëmbimi i praktikave të mira mund të kontribuojë në politika rajonale më të suksesshme për romët.





