Presidentja Gordana Siljanovska Davkova u takua me Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen si pjesë e turneut të saj rajonal.
Presidentja Siljanovska Davkova e vlerësoi vizitën e saj si inkurajuese dhe stimuluese për riintegrimin europian të rajonit.
Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, nga ana tjetër, e filloi bisedën duke shprehur interesin e hapur të BE-së në Ballkanin Perëndimor, për shkak të përkatësisë së tij natyrore europiane në kuptimin gjeografik, historik dhe kulturor, por edhe për shkak të ndryshimeve tektonike në rendin ndërkombëtar dhe kërcënimeve në rritje të sigurisë globale dhe europiane.
Presidentja e Maqedonisë riafirmoi angazhimin e saj për përmbushjen e qëllimit strategjik – anëtarësimin e plotë në BE.
Ajo krahasoi vendet baltike dhe ato ballkanike, duke theksuar ndryshimin e dukshëm: në të parën, vendet anëtare të BE-së mbështetën fqinjët e tyre, dhe në të dytën, disa anëtarë të BE-së përdorin statusin e tyre të privilegjuar për të kushtëzuar dhe madje bllokuar rrugën politike të fqinjit drejt Brukselit.
Edhe një herë, ajo theksoi rëndësinë e madhe për rajonin e: SEPA-s, roaming-ut të Ballkanit Perëndimor, “Vezilka – Qendrës Kombëtare për Inteligjencë Artificiale”, “Horizont”, si dhe pritjet e mëdha nga projektet e infrastrukturës: “Korridori 8” dhe “Korridori 10”.
Presidentja Gordana Siljanovska Davkova paralajmëroi për rrezikun e përsëritjes së precedentit të bilateralizimit të procesit të integrimit të Maqedonisë, jashtë kritereve të Kopenhagës, jo vetëm brenda kornizës rajonale, por edhe më gjerë.
Njëkohësisht, ajo kujtoi mosrespektimin, përkatësisht shkeljen e disa parimeve dhe vlerave themelore të akteve themelore kushtetuese të BE-së që garantojnë identitetin kombëtar dhe kulturor të shteteve dhe kombeve, si dhe dinjitetin dhe integritetin e qytetarëve. Ajo shprehu gjithashtu gatishmëri për bisedimet maqedonaso-bullgare pas zgjedhjeve lokale.
Presidentja Siljanovska Davkova pret ndihmë nga Unioni në gjetjen e një zgjidhjeje krijuese për zhbllokimin e integrimit të Maqedonisë, sepse siç theksoi ajo, pranimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE nuk është vetëm çështje zgjerimi, por ndikon edhe mbi sigurinë dhe stabilitetin e Europës. Nisma për reformimin e procesit të vendimmarrjes në BE, e cila do të përfshinte edhe çështje që lidhen me zgjerimin e Unionit, përkatësisht futjen e votimit me shumicë të kualifikuar, do të ishte një vendim i guximshëm për Siljanovska Davkovën, i cili do të çonte në një hap përpara në integrimin europian.
Sipas saj, ne duhet ta drejtojmë energjinë tonë drejt reformave gjyqësore dhe luftës pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit.
Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen theksoi vullnetin e qartë të të 27 shteteve anëtare të BE-së për riintegrim të përshpejtuar të Ballkanit dhe përshëndeti progresin e rëndësishëm të arritur në kuadër të Planit të Rritjes, duke theksuar se vendi meriton të ecë përpara.