Në margjinat e Samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore (SPBEJL) në Sofje, Presidentja Gordana Siljanovska Davkova u takua me Presidenten në Detyrë të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiun.
Në këtë takim, të dyja shprehën gatishmërinë e tyre për të avancuar marrëdhëniet Maqedoni-Kosovë në interes të stabilitetit dhe të ardhmes europiane të rajonit.
Presidentja Siljanovska Davkova përgëzoi zhvillimin e suksesshëm të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë.
Ajo shprehu mbështetje për aspiratat euroatlantike të Kosovës, si dhe gatishmëri për të ndarë përvojat dhe ekspertizën e Maqedonisë.
Presidentja Siljanovska Davkova theksoi se ne do të vazhdojmë të mbështesim politikën e dyerve të hapura të NATO-s, si dhe aspiratat e Kosovës për anëtarësim në organizata dhe nisma rajonale dhe ndërkombëtare.
Presidentja Siljanovska Davkova shprehu kënaqësi për zbatimin me sukses të sistemit “Sporteli me një ndalesë” në pikat kufitare të Bllacës dhe Jazhincës.
Sipas saj, nevojitet përdorim më i madh i fondeve europiane për modernizimin e infrastrukturës kufitare dhe hapjen e pikave të reja kufitare.
Sa i përket çështjeve të sigurisë, Presidentja Siljanovska Davkova riafirmoi mbështetjen e saj për dialogun Prishtina-Beograd, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.
Sipas saj, qasja e tillë dhe pajtimi paraqesin të vetmen rrugë të qëndrueshme drejt stabilitetit, sigurisë dhe bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor.
Të dyja kanë rënë dakord se bashkëpunimi ekonomik Maqedoni-Kosovë po shënon përparim të vazhdueshëm dhe se Kosova mbetet një nga partnerët tanë më të rëndësishëm tregtarë.





