Presidentja Gordana Siljanovska Davkova, në margjinat e takimit të vendeve pjesëmarrëse në “Procesin Brdo-Brioni”, u takua me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ku e përshëndeti progresin e vendit në procesin e integrimit në BE dhe hapjen e të pestit nga gjashtë klasterët.
Bashkëbiseduesit kanë diskutuar për rrjedhën aktuale të negociatave midis Shqipërisë dhe Unionit dhe mënyrën e menaxhimit të tyre.
Presidenti Begaj theksoi se disa nga vendet anëtare të Unionit dëshirojnë ta shohin rajonin brenda BE-së shumë shpejt. Ai shprehu gatishmërinë për ndihmë dhe mbështetje në procesin e integrimit europian të Maqedonisë, duke shtuar se anëtarësimi në BE garanton sundimin e ligjit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe forcimin e kapaciteteve demokratike.
Në këtë takim, të dy përsëritën nevojën për të nxitur partneritetin e ndërsjellë në një nivel shumëpalësh. Në të njëjtën kohë, ata ranë dakord që bashkëpunimi duhet të zgjerohet dhe thellohet në të gjitha fushat.