Presidentja Gordana Siljanovska Davkova sot e mirëpriti të dërguarin special të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stjuart Piç.
Takimi u mbajt në frymën e miqësisë shumëvjeçare midis dy vendeve, me fokus në marrëdhëniet bilaterale, bashkëpunimin në suazat e NATO-s dhe procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Duke e theksuar qëllimin strategjik të vendit për aderim në familjen evropiane, Presidentja e theksoi përkushtimin për plotësim të kritereve evropiane. Duke theksuar se integrimi në BE duhet të bazohet në një qasje konstruktive dhe vullnet të mirë të ndërsjellë, ajo vuri në dukje se procesi i anëtarësimit është i ngarkuar me kërkesa dhe sfida të vazhdueshme, të cilat e pengojnë kandidaturën tonë dhe rëndojnë popullin.
Në këtë drejtim, Presidentja theksoi se bilateralizimi i procesit të zgjerimit është precedent i dëmshëm për të gjitha vendet kandidate dhe se çështjet tona të identitetit tashmë janë të përcaktuara dhe negocimi i tyre është në kundërshtim me parimet dhe vlerat themelore evropiane.
Presidentja Siljanovska Davkova theksoi rolin e rëndësishëm të Mbretërisë së Bashkuar në sigurimin e sigurisë dhe stabilitetit të rajonit dhe e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme të aspiratave maqedonase për aderim në Bashkimin Evropian.
I dërguari special Piç e theksoi rolin e vendit tonë si një partner i rëndësishëm në Aleancën e NATO-s. Në kontekstin e situatës në Evropë dhe rajon, ai shprehu shqetësimin për rritjen e retorikës nacionaliste në nivel rajonal dhe e theksoi nevojën për pajtim dhe dialog në kushte të kohëve turbulente dhe luftës në tokën evropiane.
Në këtë takim u shkëmbyen mendime mbi çështjet kryesore të sigurisë në rajon dhe Evropë, si dhe për ndikimin e tendencave gjeopolitike në marrëdhëniet ndërkombëtare në rajonin tonë.