Fjalimi i Siljanovska Davkovës në Sesionin e 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së

25 Shtator 2025 | Kumtesat

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova mbajti fjalim në debatin e përgjithshëm të Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara sot në Nju Jork.

Në vazhdim është fjalimi i saj i plotë:

E nderuara Presidente e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, znj. Analena Berbock,
I nderuar Sekretar i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, z. Guterres,
Të nderuara Shkëlqesi,
Zonja dhe Zotërinj,

Si themel i së drejtës ndërkombëtare dhe multilateralizmit, Kombet e Bashkuara kanë shmangur një luftë të re botërore, kanë parandaluar konflikte të shumta dhe kanë zbutur pasojat nga shumë kriza humanitare. Kanë ndihmuar shumë kombe ta nisin rrugën drejt barazisë sovrane, kanë nxjerrë miliona njerëz nga varfëria ekstreme dhe kanë edukuar breza të tërë. Kanë nxitur një lëvizje globale për të drejtat dhe liritë, për drejtësit sociale dhe barazitë. Kanë zgjuar ndërgjegjen e mbrojtjes së mjedisit dhe kanë mobilizuar njerëzimin në luftën kundër ndryshimeve klimatike. Për këto dhe shumë arritje të tjera, Kombet e Bashkuara, agjencitë dhe udhëheqësit e saj kanë marrë deri në 12 Çmime Nobel për Paqen.

Por, Kombet e Bashkuara sot përballen me një tërmet gjeopolitik dhe gjeoekonomik që po trondit themelet e rendit të krijuar pas Luftës së Dytë Botërore. Krizat e sotme janë si rezultat i ndryshimeve të thella tektonike që po dëmtojnë parimet që kanë formësuar botën në 80 vitet e fundit.

Një epokë e re gjeopolitike po fillon para syve tanë. Në vend që t’u përgjigjemi së bashku sfidave urgjente si paqja dhe siguria, ndryshimet klimatike dhe shkatërrimi i mjedisit, inteligjenca artificiale dhe pabarazitë në rritje, duket se po shkojmë drejt një gjendjeje lufte post-Hobsiane të të gjithëve kundër vetvetes. Në vend të një rendi të vetëm ndërkombëtar, duket se po shfaqen rende paralele, secili me rregullat, vlerat dhe interesat e veta, të cilat shpesh drejtohen kundër njëri-tjetrit.

Të paralizuar dhe të izoluar pikërisht në momentin kur është më e nevojshme, pyes veten nëse Kombet e Bashkuara po shndërrohen në Lidhjen e Kombeve?

Shenjat janë kudo përreth nesh. Në vend që të krijojnë ndërgjegjësim për një të ardhme të përbashkët, njerëzimi po përballet me luftëra dhe humbje të njerëzimit. Me të drejtën ndërkombëtare humanitare që injorohet gjithnjë e më shumë, uria po bëhet një armë dhe punonjësit e ndihmës një shënjestër. Në një mjedis dhune të përditshme, bota luhatet midis pesimizmit nihilist dhe ikjes nga realiteti, midis vajtimit të pashpresë dhe indiferencës së pamëshirshme, si në dekadat e para të shekullit të 20-të.

Trazirat në rendin ndërkombëtar kanë shkkatuar çarje të thella gjeopolitike. Një nga më aktivet është në Ukrainë, ku lufta ka vazhduar për tre vjet e gjysmë. Agresioni i Rusisë është një shkelje flagrante e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe një kërcënim i drejtpërdrejtë për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

Ne gjithashtu shprehim shqetësimin tonë të thellë për shkeljet e fundit të hapësirës ajrore të Polonisë, Rumanisë dhe Estonisë, shtete anëtare të NATO-s. Ne mbështetëm Deklaratën e Përbashkët të 12 shtatorit dhe bëjmë thirrje për deeskalim të menjëhershëm, respekt të plotë të ligjit ndërkombëtar dhe përdorimin e diplomacisë parandaluese për të ulur tensionet dhe për të ruajtur paqen.

Të nderuara Shkëlqesi,

Vija gjeopolitike e përçarjes kalon edhe nëpër rajonin e Ballkanit Perëndimor. Procesi i pranimit të Maqedonisë në Bashkimin Europian është penguar vazhdimisht për 20 vjet, por jo në bazë të kritereve objektive të Kopenhagenit, por për arsye subjektive, nacionaliste. Kushti i fundit i BE-së për fillimin e negociatave tona është një ndryshim i ri, i imponuar i Kushtetutës.

Kushtetuta si një lex superior dhe një kontratë shoqërore midis qytetarëve, në kuptimin e fjalës sipas Rusoit, është çështja më e brendshme e çdo shteti. Kushtetuta jonë parashikon katër propozues të amendamenteve: Presidentin e Republikës, Qeverinë, të paktën 30 anëtarë të parlamentit dhe 150,000 qytetarë. Është e qartë se një propozues i autorizuar i amendamenteve nuk mund të jetë fqinji ynë, as Bashkimi Europian.

Unë theksoj se kushtëzimi i fillimit të negociatave me ndryshime të reja kushtetuese rihap çështjet e historisë, kulturës dhe gjuhës, pët të cilat ishim të bindur se u mbyllën me Marrëveshjen e Prespës me Greqinë.

Na paralajmërojnë vazhdimisht se marrëveshjet duhet të respektohen: Pacta sunt servanda. Po pajtohem, por vërej se Traktati i Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit me Bullgarinë nuk përmban dispozita për ndryshime kushtetuese.

Së fundmi, me aktet kushtetuese, BE-ja e përcakton veten si një “unitet diversiteti” dhe merr përsipër t’i respektojë “diversitetin kulturor dhe gjuhësor”, “identitetin kombëtar dhe kulturor”, “dinjitetin dhe integritetin”. Si është e mundur atëherë që ne të kërkojmë të diskutojmë dhe të negociojmë me një fqinj për historinë, kulturën dhe gjuhën tonë?

Ne theksojmë vazhdimisht se e perceptojmë veten si europianë dhe se besojmë thellësisht në projektin europian, i cili solli paqe dhe prosperitet ekonomik pas Luftës së Dytë Botërore. Ideali europian mbetet frymëzimi dhe aspirata jonë më e madhe strategjike. Si një shtet i përkushtuar ndaj fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal, ne nuk dëshirojmë mosmarrëveshje me fqinjët tanë. Ajo që dëshirojmë është të integrohemi në Bashkim Europian, por pa kushte shtesë dhe të veçanta dhe me dinjitet kombëtar të ruajtur.

Ne paralajmërojmë se pas luftës në Ukrainë, integrimi i bllokuar europian i Ballkanit Perëndimor nuk është vetëm një çështje politike, por edhe një çështje sigurie. Me derën politike të mbyllur për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe derën e hapur për ndikimin e qendrave të treta gjeopolitike të pushtetit, është ironike që BE-ja të bëjë thirrje për rezistencë ndaj tyre.

A duhet të jemi në agjendën e Këshillit të Sigurimit, në mënyrë që BE-ja të mund ta zhbllokojë zgjerimin tonë? Nëse Bashkimi Europian dëshiron të jetë një bashkim gjeopolitik, nuk duhet ta lërë Ballkanin Perëndimor në një boshllëk gjeopolitik.

Siç e ka theksuar Presidenten e Komisionit Europian, Bashkimi Europian duhet ta thyejë armaturën e konsensusit sa më shpejt të jetë e mundur nëse dëshiron ta përfundojë ribashkimin e Evropës dhe të bëhet përsëri një faktor i fortë gjeopolitik.

E nderuar Presidente,
Të nderuara Shkëlqesi,

Së fundmi, nuk mund të mos i drejtohem njërit prej rajoneve më të paqëndrueshme gjeopolitikisht: Lindjes së Mesme dhe Gazës.

Lindja e Mesme ka një traditë të lashtë dhe të pasur të bashkëjetesës ndërfetare dhe ndëretnike. Historia ka treguar se diversiteti, kur respektohet, mund të paraqet burim pasurimi kulturor dhe paqeje afatgjatë. Por historia mëson gjithashtu se dhuna, pavarësisht nga origjina e saj, thellon përçarjet, zgjat vuajtjet njerëzore dhe i distancon palët nga një zgjidhje e drejtë dhe gjithëpërfshirëse. Ne jemi të bindur se paqja e qëndrueshme në Lindjen e Mesme duhet të arrihet vetëm përmes dialogut dhe diplomacisë, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Paprekshmëria e jetës dhe dinjiteti njerëzor duhet të respektohen, edhe në kohë lufte, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare. Në këtë frymë, ne riafirmojmë mbështetjen tonë për përpjekjet ndërkombëtare që synojnë deeskalimin, dialogun gjithëpërfshirës dhe negociatat e drejtpërdrejta.

Të nderuara Shkëlqësi,

Këto ndarje dhe tensione gjeopolitike tregojnë pa mëdyshje sa vijon: pa institucione dhe procedura shumëpalëshe, pa të drejtën dhe parimet ndërkombëtare që do të zbutnin të fortët dhe do të mbronin të dobëtit, ne do të jemi përsëri të angazhuar në dialogun Melian të Tukididit, në të cilin, për fat të keq, të fortët bëjnë atë që munden dhe të dobëtit bëjnë atë që duhet.

Mendoni për tolerancën e shkeljeve të shumta të Kartës së Kombeve të Bashkuara që kanë hapur rrugën për shkelje të reja. Mendoni për rezolutat e pazbatuara të Asamblesë së Përgjithshme, vendimet e pazbatuara dhe opinionet e injoruara të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, përpjekjet për paqe të bllokuara në Këshillin e Sigurimit.

Duke përballuar me mosfunksionimin e rendit aktual ndërkombëtar, disa realistë na këshillojnë të harrojmë marrëveshjet dhe konventat ndërkombëtare si një barrë të panevojshme dhe të gjejmë strehë në blloqe dhe aleanca rajonale. Për ta, krizat zgjidhen më së miri dhe më shpejt jashtë Kombeve të Bashkuara, pa një mandat nga Këshilli i Sigurimit. Por, largimi nga parimet dhe mekanizmat universalë në favor të oportunizmit pragmatik dhe përdorimi i masave ad hoc na shtyn drejt një të ardhmeje të pasigurt të konkurrencës gjeopolitike dhe gjeoekonomike në rritje dhe madje edhe përballjes në garën për burime.

A do t’u lëmë një botë kaq mizore pasardhësve tanë?

Alternativa është të përpiqemi ta rigjallërojmë multilateralizmin dhe t’i bëjmë institucionet e tij më rezistente ndaj goditjeve sistemike.

Të nderuar,
Të nderuar të pranishëm,

Brezat e rinj kanë të drejtën për një Kartë të rinovuar, për një Kombe të Bashkuar të reformuar dhe të fortë që do t’u mundësojë atyre të jetojnë në paqe midis kombeve, por edhe në paqe me natyrën.

Këto reforma nuk duhet të jenë kozmetike, por të thella, duke mundësuar përfshirjen më të madhe, harmonizimin midis vlerave dhe mekanizmave, optimizimin e interesave kombëtare dhe globale, si dhe institucionet e forta dhe funksionale.

Reformat e Kombeve të Bashkuara varen nga fakti nëse ato shihen si një mundësi për të rivendosur një rend ndërkombëtar të bazuar në ligj dhe rregulla, apo si një sfidë ndaj privilegjeve të disa shteteve anëtare. Por cili është qëllimi i të qenit një shtet anëtar i privilegjuar i një organizate ndërkombëtare jofunksionale, të parëndësishme dhe të margjinalizuar?

Për një Kombe të Bashkuar efektive, Këshilli i Sigurimit duhet të reformohet për të qenë më gjithëpërfshirës, ​​i përgjegjshëm dhe përgjegjës për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Asambleja e Përgjithshme duhet të evoluojë në një organ përfaqësues të hartimit të politikave, në vend të një klubi debatesh. Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë duhet të bëhet i detyrueshëm për të gjitha shtetet anëtare, duke siguruar sundimin e ligjit.

Reforma është e nevojshme jo vetëm për shkak të sfidave të vjetra, por edhe për shkak të atyre të reja. Inteligjenca artificiale sjell mundësi të mëdha, por edhe rreziqe të pallogaritshme për qytetërimin tonë. Ajo nuk është vetëm një hap teknologjik. Ndikimi i saj mund të jetë më i madh se revolucionet industriale dhe digjitale. Të vetëdijshëm për këtë, unë dhe vendi im mbështesim propozimin për ta bërë inteligjencën artificiale një nga prioritetet e sesionit të 80-të.

Në vitin e ardhshëm do të zgjedhim Sekretar të Përgjithshëm të ri të Kombeve të Bashkuara. Na duhet një person me aftësi udhëheqëse, me përvojë të pasur diplomatike, me aftësinë për të kapërcyer dallimet dhe për të ndërtuar konsensus, por edhe që të jetë thellësisht human dhe i përkushtuar ndaj të prekshmëve. Diplomati i parë i ardhshëm i botës duhet të ketë shumë njohuri, durim dhe takt. Pas 80 vjetësh nga themelimi i saj, është koha e duhur që një grua të jetë Sekretare e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Në një botë të dominuar nga burra të fortë, shpesh me armë, na duhen gra të forta me mençuri dhe empati. Unë besoj se gratë, të cilat, së bashku me fëmijët, janë viktimat më të mëdha dhe më të shumta të luftërave, kanë një të drejtë dhe detyrim të patjetërsueshëm për të synuar parandalimin e tyre.

Rendi ndërkombëtar anarkik është një kërcënim për të gjithë, dhe veçanërisht për shtetet e vogla. Është e natyrshme që shtetet e vogla dhe të mesme të jenë mbështetëset më të mëdha të reformave të Kombeve të Bashkuara.

Të nderuara Shkëlqesi,

Më lejoni të ndaj se çfarë po bëjmë në këtë drejtim. Ne mbështetëm miratimin e Paktit për të Ardhmen si një kontratë të re globale sociale. Duke jetuar në një nga rajonet më të prekshme nga ndryshimet klimatike në botë, Mesdheun, qytetarët maqedonas tashmë po i ndiejnë pasojat e krizës klimatike, siç janë kushtet ekstreme të motit. Kjo është arsyeja pse, në COP29 në Baku, ne mbështetëm zbatimin e Marrëveshjes së Parisit.

Ne mbështetëm “Detyrimin e Seviljes” për financimin e zhvillimit dhe integruam Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm në Strategjinë tonë Kombëtare të Zhvillimit 2024-2044.

Në Konferencën e Tretë të Oqeanit të OKB-së në Nicë, ne avokuam për një qeverisje të fortë ndërkombëtare të oqeaneve, duke mbështetur Planin e Veprimit.

Po bëjmë përpjekje të mëdha për të promovuar lidershipin e grave dhe zbatimin e agjendave për gratë, paqen dhe sigurinë.

Kemi nënshkruar Kornizën e re për Bashkëpunim me Kombet e Bashkuara 2026-2030, për të siguruar zhvillim gjithëpërfshirës shoqëror dhe njerëzor, ekonomi të qëndrueshme dhe punë të denjë, shoqëri dhe ekosisteme rezistente dhe të gjelbra, sundim të ligjit dhe qeverisje të mirë.

Të nderuar,

Ne përballemi me një provë të madhe: ose do ta garantojmë rendin ndërkombëtar në bazë të parimeve vizionare, ose do të nxitojmë drejt një katastrofe me përmasa të paimagjinueshme për njerëzimin.

Ish-Sekretari i Përgjithshëm Dag Hammarskjöld na kujtoi se “Kombet e Bashkuara nuk u formuan për të na çuar në parajsë, por për të na shpëtuar nga ferri. […] Ne duhet ta njohim Kombet e Bashkuara për atë që janë – një instrument vërtet i papërsosur, por i domosdoshëm i kombeve në punën për një evolucion paqësor drejt një rendi botëror më të drejtë dhe më të sigurt.” Le t’ia japim këtë shans.

Ju faleminderit.

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Deklaratë për media pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, dhe drekës së punës të organizuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas

Deklaratë për media pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, dhe drekës së punës të organizuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas

Pyetje gazetareje: Zonja Presidente, sot patët një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, z. Antonio Guterres. Ne kemi informacion nga Kombet e Bashkuara se kemi marrë mbështetje të fortë nga z. Guterres. Ju lutem si e komentoni takimin dhe...