Në kuadër të pjesëmarrjes në Asamblenë e 80-të të Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, Presidentja Gordana Siljanovska Davkova u drejtua në takimin e nivelit të lartë me rastin e 30-vjetorit të Konferencës së Katërt Botërore për Gratë.
Presidentja Siljanovska Davkova theksoi se gratë në botë, së bashku me fëmijët, janë viktimat e para dhe më të mëdha të luftërave, por edhe bartëse të shërimit, dhembshurisë dhe shpresës.
Pjesëmarrësit në prezantimet e tyre u fokusuan mbi nevojën për angazhim, sigurim të burimeve të mjaftueshme dhe përshpejtim të zbatimit të Deklaratës së Pekinit dhe Platformës për Veprim.
Për këtë qëllim, ata theksuan rëndësinë e politikave konkrete dhe të qëndrueshme për të arritur barazinë gjinore dhe fuqizimin e të gjitha grave dhe vajzave, si një parakusht kyç për shoqëri të drejta dhe të begatë.
Në vazhdim është fjalimi integral i Presidentes Siljanovska Davkova:
Shkëlqesi të nderuar,
Të nderuar kolegë,
Zonja dhe zotërinj,
Tridhjetë vjet më parë, në Pekin, kombet e botës morën një premtim solemn: t’i avancojnë të drejtat e grave si të drejta të njeriut, të arrijnë barazinë gjinore dhe të inkurajojnë çdo grua dhe vajzë të jetojë e lirë nga dhuna, diskriminimi dhe shtypja. Deklarata e Pekinit dhe Platforma për Veprim mbeten një gur themeli i së drejtës ndërkombëtare, provë e gjallë se barazia për gratë është si drejtësi ashtu edhe një parakusht për paqen, por edhe prosperitet dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Megjithatë, tri dekada më vonë, duhet të pranojmë: progresi është i pabarabartë, i brishtë dhe shumë shpesh i kthyeshëm. Dhuna ndaj grave vazhdon të mbetet e pandëshkuar, femicidi përdhos shenjtërinë e jetës dhe barrierat strukturore ende u mohojnë grave lidershipin, burimet dhe fuqinë vendimmarrëse. Këto nuk janë abstraksione; ato shkaktojnë plagë në familje, shoqëri dhe breza.
Në të njëjtën kohë, vetë institucioni i krijuar për të mbrojtur paqen, Kombet e Bashkuara, po përballet me një krizë të thellë. I konceptuar si projekti më i madh i paqes i njerëzimit, tani qëndron i ngritur përballë luftërave që shpërthejnë nëpër kontinente. Tetëdhjetë vjet pas themelimit të saj, paqja, arsyeja e ekzistencës së OKB-së, mbetet e pakapshme. Marsi ende sundon në një kohë kur Venusi, i mishëruar në vizionin, dhembshurinë dhe udhëheqjen e grave, duhet të udhëheqë të ardhmen tonë të përbashkët.
Nëse jemi seriozë për paqen, atëherë është koha t’ia besojmë drejtimin e Kombeve të Bashkuara një gruaje.
Ne, gratë e botës, së bashku me fëmijët, jemi viktimat e para dhe më të mëdha të luftës. Por ne jemi gjithashtu bartëse të shërimit, dhembshurisë dhe shpresës. Barazia gjinore nuk është një privilegj feminist, por një imperativ humanist. Ne nuk kërkojmë favore, as matriarkat, por një rend të drejtë në të cilin talentet dhe kreativiteti i gjysmës së njerëzimit njihen plotësisht për përparimin e politikës, shkencës, shëndetësisë, arsimit dhe paqes.
Shkëlqesi,
Deklarata e Pekinit bën thirrje për sigurimin e të drejtave të barabarta dhe qasjen e barabartë për gratë dhe burrat, vajzat dhe djemtë. Kjo thirrje mbetet urgjente sot. Vetëm së bashku, gra dhe burra, mishërojmë njerëzimin në tërësi.
Duhet të mbledhim guximin tonë, të guxojmë ta transformojmë këtë botë të trazuar dhe të ripërtërijmë angazhimin tonë ndaj vizionit të Pekinit për çdo grua dhe vajzë, si dhe ndaj premtimit për një të ardhme më të drejtë, më humane dhe paqësore.
Ju faleminderit.