Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova sot kishte fjalë në solemnitetin qendror me rastin e 18 Gushtit, Dita e Armatës, që u mbajt në kazermën “Jane Sandanski” në Shtip.
Ajo theksoi që filozofia e vetëqëndrueshmërisë, e trashëguar nga ilindenasit dhe partizanët, paraqet themel të doktrinës ushtarake të Maqedonisë.
Siljanovska-Davkova e theksoi që tashmë më tepër se tre dekada Armata është duke e ndërtuar tregimin e vet si gardian i vërtetë i atdheut: nga pjesëmarrjet në misionet paqeruajtëse deri tek ndihma që ua japin qytetarëve në gjendje krize dhe prandaj gëzon besimin më të lartë në mesin e qytetarëve.
Sipas saj, megjithëse sfidat nga sfera e sigurisë e imponojnë nevojën për investime më të mëdha në mbrojtjen, ato duhet të jenë të orientuara jo vetëm në armatim, por edhe në forcimin e institucioneve, infrastrukturës, shkencës, arsimit dhe shëndetësisë.
Si projekte potenciale afatgjata, ajo i përmendi ndërtimin e NATO qendrës klinike, Qendrës për trajnimin e trajnuesve në poligonin “Krivollak” dhe Zhvillimi i industrisë lokale të mbrojtjes.
Gjatë fjalimit, presidentja sugjeroi në rëndësinë e Akademisë Ushtarake “Gjeneral Mihaillo Apostollski” si institucion udhëheqës i arsimit të lartë dhe shkencor-hulumtues, si dhe nevojën për barazi gjinore dhe zbatimin e planit të veprimit 2025-2028.
Presidentja theksoi që Armata e Maqedonisë, megjithëse e vogël me numër, është e madhe për nga shpirti, dituria dhe dashuria ndaj atdheut. Ajo ka kapacitet për ta mbrojtur integritetin territorial dhe pavarësinë e Republikës dhe të vazhdojë të jetë aleat kredibil i NATO-s.
Në suazat e solemnitetit qendror, Siljanovska-Davkova me Dekoratë për merita në luftë e dekoroi Qendrën për trajnimin e kadetëve dhe oficerëve.
Dekorimi është dhënë për sukseset e jashtëzakonshme në organizimin dhe realizimin e trajnimit të kadetëve dhe kandidatëve për oficerë, si dhe për kontributin strategjik dhe afatgjatë në përforcimin e aftësisë defanzive nëpërmjet investimit në arsim dhe edukim, me çka janë ndërtuar gjenerata të liderëve ushtarakë të dedikuar dhe profesional.
Gjatë shënimit të rastit solemn të Ditës së Armatës, njohje u janë dorëzuar edhe nëntogerëve të rangut të parë dhe rreshterëve. Me këtë, ata e fituan të drejtën për t’i mbajtur gradat e para të oficerëve dhe nënoficerëve.
Në vazhdim është fjalimi integral i presidentes Siljanovska-Davkova.
Të nderuar pjesëtarë të Armatës,
Të nderuar ushtarë dhe oficerë,
Veteranë të mbrojtjes së Maqedonisë,
I nderuar Kryetar i Kuvendit, zotëri Gashi,
I nderuar Kryetar i Qeverisë, zotëri Mickoski,
I nderuar ministër i Mbrojtjes, zotëri Misajllovski,
I nderuar kryeshef i Shtatmadhorisë së Armatës, gjeneral-major Llafçiski,
Përfaqësues të bashkësive fetare,
Shkëlqesi të çmuara,
Bashkëqytetarë të dashur,
Sot, më 18 gusht, e shënojmë ditëlindjen e 33-të të Armatës tonë, mbrojtës i integritetit territorial dhe pavarësisë së Maqedonisë dhe garantues i rëndësishëm paqësor.
Më lejoni t’ua uroj festën e madhe.
Jemi mbledhur këtu, në qytetin që gjendet nën ‘Isarin’, ku ende ndihet shpirti i papërkulshëm i revolucionarëve maqedonas, ilindenasve, partizanëve dhe pjesëtarëve të ASNOM-it.
Këtu në Shtip, siç përkujtova jo shumë kohë më parë nga Meçkin Kamen, për festën e Ilindenit, ka dhënë mësim ideologu i veprës revolucionare maqedonase, i madhi Goce Dellçev, i cili e ka ushqyer besimin te populli që vetëm me forcën e brendshme mund të luftojë për një shtet të lirë maqedonas. Dellçevi pa kompromis është angazhuar për pavarësinë e veprës çlirimtare maqedonase dhe ka kundërshtuar çdo përpjekje për ndërhyrje të jashtme në lëvizjen tonë.
Ai nuk ka pasur besim në një kryengritje me njerëz, të cilët do ta braktisnin atë në dështimin e parë, por në një revolucion me qytetarë që do të ishin të aftë vetë të përballen me të gjitha sfidat dhe tundimet e një beteje të vështirë dhe afatgjatë.
Unë, qasjen e Goces me një fjalë e quaj “vetëqëndrueshmëri”.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, të udhëhequr nga parimi i vetëqëndrueshmërisë, brezi çlirimtar kombëtar dhe antifashist nuk priti që dikush të na çlironte. Ata e formuan Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare të Maqedonisë me 110,000 ushtarë me të cilën e çliroi atdheun dhe e realizoi ëndrrën për një shtet maqedonas. Filozofia e vetëqëndrueshmërisë, e konceptuar nga Ilindenasit, ndërsa e pranuar dhe e thelluar nga antifashistët, është themeli dhe konstantë e doktrinës ushtarake maqedonase.
Në këtë frymë, si dhe pas shpalljes së pavarësisë në vitin 1991, Ushtria e Maqedonisë është vënë në dispozicion të shtetit dhe qytetarëve në shumë mënyra: si garantuese e paqes dhe mbrojtjes, përmes reformave të vazhdueshme dhe gjithëpërfshirëse, ndihmës për qytetarët e Maqedonisë dhe shtetin në ballafaqimin me gjendjet e krizave madje edhe situatat e jashtëzakonshme, siç është ajo me Kovid 19 dhe përkrahje për institucionet civile në ballafaqimin me fatkeqësitë natyrore, siç janë zjarret dhe vërshimet. Dhe gjithmonë e ka bërë dhe ende e bën këtë në mënyrë profesionale, të përgjegjshme dhe sakrifikuese. Dëshmi për këtë është besimi i lartë që ushtria jonë e gëzon në mesin e qytetarëve të Maqedonisë.
Të nderuar,
Për më tepër se tre dekada, Armata e Maqedonisë është duke e shkruar historinë e saj si një ‘custos patriae’ i vërtetë, gardian i atdheut.
Vizioni i Shtatmadhorisë, veprimet e Komandës së Operacioneve, njohuritë e Komandës për Stërvitje dhe Doktrina, përkrahja e bazës logjistike dhe nderi i Batalionit të nderimeve janë të pranishme në çdo segment të operacioneve të ushtrisë.
Armata është një shtyllë e stabilitetit dhe paqes: nga kontributi i saj në misionin paqeruajtës UNIFIL, deri te angazhimi i saj në misionin KFOR, ku në nëntor të vitit 2020, paqeruajtësit nga Maqedonia e arritën nivelin më të lartë të përgjegjësisë së NATO-s. Sot, mbi 180 pjesëtarë të ushtrisë, nën flamurin e Maqedonisë janë të përfshirë në misione dhe operacione paqeruajtëse.
Të nderuar të pranishëm,
Ashtu siç një numër i madh i qytetarëve të Maqedonisë, edhe unë i dëshiroj investimet më të mëdha në armët më të fuqishme: dijeni, arsim dhe shkencë, hulumtime dhe zhvillim, kulturë dhe sport. Megjithatë, jam e vetëdijshme që po jetojmë në një nga periudhat më të paqëndrueshme, më të paparashikueshme dhe më të pasigurta. Rendi global është i fragmentuar, arkitektura evropiane e sigurisë është e përkeqësuar, konfliktet në Lindjen e Mesme po ashpërsohen dhe thellohen, rreziqet klimatike po rriten nga viti në vit.
Bllokimi i procesit të integrimeve evropiane, duke përfshirë edhe integrimin tonë, e theksoj, që po fiton një dimension dhe karakter të ri të një rreziku serioz për sigurinë e rajonit të Ballkanit Perëndimor, por edhe për BE-në. Natyra e luftës po ndryshon me shpejtësi, teknologjitë e përparuara po galopojnë, armë të paimagjinueshme po parakalojnë, inteligjenca artificiale po zbatohet në mënyrë gjithëpërfshirëse, lufta bërthamore nganjëherë duket se është pezull mbi botën. Gara e shpejtë e armatimeve dikton investime më të mëdha në sferën e mbrojtjes.
Mirëpo, kuptohet që mjetet nuk duhet të investohen vetëm në furnizimin e forcave të armatosura, por edhe në strukturat e shtetit dhe ekonomisë, në infrastrukturën. Financimi nuk ka të bëjë vetëm dhe mbi të gjitha me armët, por edhe me sistemin e përgjithshëm që do ta ndërtojmë. Ndarjet e planifikuara nuk duhet të jenë vetëm një harxhim por edhe një investim, jo vetëm në mbrojtjen, por në vetëqëndrueshmërinë e institucioneve të Maqedonisë, në funksionalitetin e tyre, në efikasitetin dhe efektivitetin e tyre, për të mirën e qytetarëve, ndërsa jo të funksionarëve dhe politikanëve dhe interesave të tyre personale dhe kolektive.
Në këtë aspekt, të gjitha institucionet kompetente dhe të interesit duhet të mendojnë për projekte afatgjata që do të nënkuptojnë krijim dhe garantim të vetëqëndrueshmërisë dhe zhvillimit, jo vetëm në paqe, por edhe në një ambient të rrezikut luftarak dhe konflikti të mundshëm.
Për shembull, pse të mos jetë e mundur një qendër klinike e NATO-s, sipas standardeve më të larta të Aleancës, e cila do të ishte në dispozicion të qytetarëve të Maqedonisë në kohëra paqësore, ndërsa në rast të ndonjë konflikti të mundshëm të shërbejë si një qendër mjekësore për nevojat e aleancës së NATO-s?
Ose, pse të mos ndërtohet një model hibrid i qendrës klinike pikërisht këtu, në Shtip, në një qytet me një vendndodhje të shkëlqyer strategjike, lidhshmëri të mirë infrastrukturore, me universitet shtetëror, në përbërjen e të cilit është edhe fakulteti i mjekësisë, i shoqëruar me spital dhe një konvikt studentor? Mendoj që investime të këtilla do të kontribuonin edhe në ripërtëritjen, gjallërimin dhe ringjalljen e Maqedonisë Lindore të braktisur, të shpërngulur dhe të zhvendosur.
Ose, pse të mos fillohet ndërtimi i një qendre të NATO-s për trajnimin e trajnuesve në poligonin e stërvitjes ushtarake Krivollak – një nga poligonet më të mira të stërvitjes në Evropë, të paktën kështu thonë ekspertët ushtarakë? Shumë nga pjesëtarët e Armatës sonë kanë mjaftë njohuri, përvojë dhe nder si trajnerë për t’i ndarë me aleatët tanë të NATO-s.
Sot, Qendrën e Trajnimit të Kadetëve dhe Oficerëve, e cila ka edukuar dhe krijuar gjenerata oficerësh dhe nënoficerësh të përkushtuar dhe profesionistë, e dekoruam me dekoratë për meritë ushtarake. U kemi ndarë njohje edhe kadetëve edhe praktikantëve të rangut të parë në kursin fillestar për nënoficerë, si dhe oficerëve dhe nënoficerëve të sapodiplomuar dhe të graduar.
Jam tërësisht e bindur që nëse sot Gjenerali Apostollski do të ishte në mesin tonë, ai do të ishte krenar për Akademinë Ushtarake si një institucion i rëndësishëm ushtarak për arsim të lartë dhe kërkimor-shkencor, në të cilin përveç kadetëve dhe studentëve tanë, edukohet edhe personel për nevojat e forcave të armatosura të Malit të Zi, të Bosnje e Hercegovinës dhe të Kosovës.
Sot, në pozita të rëndësishme të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Armatës, të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Qendrës për Menaxhimin me Krizat, të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe institucioneve tjera shtetërore janë dhe do të jenë të diplomuarit e Akademisë Ushtarake “Gjeneral Mihaillo Apostollski”.
Ky është një institucion primar në vend për zhvillimin e aftësive operative në sferën e mbrojtjes dhe menaxhimit të krizave.
Unë gjithashtu mendoj që duhet ta vëmë në praktikë edhe idenë e hapjes së një Qendre Rajonale të Shkëlqesisë të NATO-s për gratë, si një potencial i pashfrytëzuar me kapacitet të fortë për paqe dhe kundër luftës.
Jam krenare për tre gratë sot.
Ju jeni e ardhmja e Armatës. Tek ju shoh trajnuese të ardhshme të kualifikuara dhe të çmuara për pjesëtarët e ushtrive tjera të NATO-s, jo vetëm për ushtrinë tonë!
Nga fushat e betejës së Evropës së Mesme po bëhet e qartë se dronat do të jenë një nga teknologjitë kryesore ushtarake në gjysmën e dytë të shekullit 21. Me mbështetjen e NATO-s, ne mund të propozojmë investim në një industri lokale defanzive për prodhimin e mjeteve/mekanizmave për mbrojtje nga dronat, por edhe mjete tjera, për të cilat kemi përvojë dhe kapacitet të dëshmuar.
Këto janë vetëm disa nga shumë mënyrat se si, duke investuar në vetëqëndrueshmëri, ne do ta mbrojmë infrastrukturën tonë kritike dhe të transportit, do ta zvogëlojmë lëndueshmërinë e sistemeve dhe institucioneve tona, do t’i zmadhojmë pjesëmarrjen dhe investimet në kërkim, zhvillim dhe inovacion, duke e përgatitur kështu shoqërinë që të jetë më rezistente ndaj krizave, veçanërisht në një epokë kërcënimesh të vazhdueshme hibride.
Është e vërtetë ajo që dëgjojmë: se me territor, jemi një vend i vogël me një ushtri të vogël. Por, sipas mendimit tim, pikërisht madhësia e vendit tonë dhe madhësia e ushtrisë sonë janë anët tona të forta, sepse mund t’i arrijmë rezultatet e pritura më lehtë, më shpejt dhe me më pak resurse.
Në këto rrethana, nuk duhet të humbasim kohë dhe duhet ta fillojmë planifikimin strategjik të mjeteve tona dhe përdorimin e tyre sa më shpejt të jetë e mundur.
Të nderuar ushtarë dhe oficerë,
Me përkushtimin tuaj gjatë stërvitjeve të fundit: nga stërvitja me municione shpërthyese në Batalionin e Inxhinerëve, përgatitja e plotë në terren të kadetëve në “Krivollak” dhe “Pepelishte”, deri tek operacionet taktike me gjuajtje të vërtetë të njësive të mekanizuara, ju demonstroni ekspertizë dhe gatishmëri për t’iu përgjigjur çdo sfide.
Armata e Maqedonisë, megjithëse numerikisht e vogël, është e madhe për nga shpirti, dijenia dhe dashuria për atdheun.
Jam e bindur që, si më parë, edhe në të ardhmen, Armata do të jetë e gatshme të angazhohet dhe të investojë në projektin kompleks, shumëdimensional dhe shumëfunksional të ndërtimit të institucioneve dhe sistemeve të vetëqëndrueshme në një kohë me rreziqe mbi stabilitetin dhe sigurinë ndërkombëtare dhe rajonale.
Është e pamohueshme që infrastruktura dhe pajisjet teknike janë një segment i rëndësishëm i gatishmërisë luftarake, por fryma e unitetit dhe kujdesit të vazhdueshëm dhe të plotë për njerëzit është thelbësore për gravitetin e çdo ushtrie, e nxitur nga forcat centripetale. Mirëqenia e ushtarëve, nënoficerëve dhe oficerëve, rritja e standardit të tyre të jetesës dhe përmirësimi i kushteve të punës, sipas mendimit tim, është një detyrë e nevojshme dhe e vazhdueshme për të gjithë aktorët në zinxhirin e komandës.
Arritja e këtij qëllimi kërkon sinergji nga të gjitha njësitë tona, profesionalizmin, mundin dhe përkushtimin e të cilave e përgëzoj në veçanti.
Mbrojtja bashkëkohore nuk matet vetëm me aftësitë ushtarake, por edhe me kapacitetet për përfshirje dhe barazi. Nuk mund të ketë progres të konsiderueshëm ose zhvillim të qëndrueshëm pa pjesëmarrjen e barabartë dhe thelbësore të burrave dhe grave. Siguria nuk donë të thotë vetëm forcë fizike, por edhe zgjidhje e problemeve me empati, me komunikim të shkathët, me aftësinë për të dëgjuar dhe folur, me lidership dhe organizim të mirë, me vendosmëri dhe këmbëngulje, ndërkaq do të pajtoheni që këto janë cilësi të cilat janë veçori e grave dhe i zbukurojnë ato.
Sipas mendimit tim, vetëvlerësimi gjinor dhe plani i veprimit gjinor 2025-2028, i promovuar së fundmi, është një hap thelbësor drejt krijimit të një mjedisi të përgjegjshëm të punës, në të cilin burrat dhe gratë do të kontribuojnë në mënyrë të barabartë për mbrojtjen dhe sigurinë e vendit.
Të nderuar pjesëtarë të Armatës,
Si Komandant Suprem i Forcave të Armatosura, ua shpreh mirënjohjen time të thellë juve, ushtarëve të guximshëm, për sakrificën, përpjekjet dhe përkushtimin tuaj.
Për oficerët, le të jetë kjo ditë një kujtesë që liria nuk është e rastësishme, por fryt i pritur dhe i merituar i vendosmërisë ideologjike dhe luftës së vazhdueshme për të.
Sot, ne i nderojmë të gjithë ata që kanë qenë para jush, ju admirohem juve që shërbeni dhe i inkurajoni ata që do të vijnë pas jush.
Le të jetë ky një frymëzim për çdo të ri që Ushtrinë ta konsiderojë si një vend ku mund të shërbejë me ndershmëri dhe përgjegjësi dhe të mësojë si mbrohet atdheu por si të kontribuohet me dashuri për të.
Uroj, pres dhe besoj se kemi dhe do të kemi një Armatë, gjithmonë të gatshme dhe të aftë për ta mbrojtur integritetin tonë territorial dhe pavarësinë e Republikës, si dhe për të vazhduar të jetë aleat i vendosur i NATO-s në nivelin më të lartë.
Le të vazhdojmë të ndërtojmë një Ushtri të fortë dhe të besueshme që do ta mbrojë atdheun!
Faleminderit.