Në suazat e vizitës zyrtare të Presidentit kroat, u mbajt një konferencë e përbashkët për shtyp midis Presidentes Gordana Siljanovska Davkova dhe Presidentit Zoran Millanoviq.
Në vijim është teksti i fjalimit të Presidentes Siljanovska Davkova:
Ja edhe njëherë publikisht: falënderim për Presidentin Millanoviq për vizitën. Falënderim për mirëkuptimin dhe për qëndrimin miqësor të Kroacisë. Falënderim për këshillat, mendoj se janë shumë të dobishme. Çfarë të them për marrëdhëniet midis dy shteteve? – tradicionalisht miqësore. Dua të përsëris se kurrë nuk do ta harrojmë se në vitin 2020, gjatë presidencës kroate me BE-në, e bëmë hapin bashkë me Shqipërinë.
Ky është një sinjal i mirëkuptimit, një sinjal i mbështetjes. Unë dhe Presidenti, ashtu si më parë, theksuam se marrëdhëniet në të gjitha fushat po ecin përpara. Sigurisht që ato mund të zhvillohen edhe më tej. Kroacia, megjithëse është anëtare e Bashkimit Evropian, ka mirëkuptim për nevojat rajonale, ka mirëkuptim për Ballkanin Perëndimor – Presidenti përsërit shpesh se ne jemi pjesë e Evropës gjeografikisht, në aspektin kulturor dhe historikisht.
Çfarë të them për pritjen tonë për Bashkimin Evropian? – Kriteret e Kopenhagës janë ato që do të na bëjnë një shtet standard, evropian, i mërzitshëm, se vetoja nuk është instrument miqësor dhe se pres mirëkuptim. Kuptohet se ne duhet të ndjekim agjendën shtetërore, sepse legjitimiteti na buron nga qytetarët. Kur e them këtë, mendoj të zhvillohemi ekonomikisht, në aspektin kulturor, arsimor dhe shkencor. Skriningu dëshmon se jemi shumë përpara në harmonizimin me Akiton (Acquis communautaire). Problemet tona janë të një natyre tjetër, ato lidhen me historinë, me perceptimin e kulturës, madje edhe me gjuhën, gjëra për të cilat nuk negociohet. Por, ta përsëris: vetoja do të shkaktojë probleme dhe ne nuk do të jemi rast i izoluar. Ne insistojmë dhe kërkojmë vendin tonë në BE sipas kritereve të Kopenhagës. Nëse them se shpresoj që nesër do të hasim mirëkuptim – do të gaboj. Po, mirëkuptim nga Kroacia, po, edhe nga Sllovenia, por mendoj se janë të rëndësishme edhe marrëdhëniet me fqinjët e tjerë. Pres që të bëjmë përparim edhe në këtë drejtim. Edhe njëherë, faleminderit për vizitën dhe për mirëkuptimin e Presidentit të Kroacisë.