Siljanovska Davkova: Barazia gjinore nuk është vetëm statistikë, ajo është pasqyra reale e realitetit shoqëror

3 Qershor 2025 | Kumtesat

Presidentja Siljanovska Davkova mbajti fjalim në konferencën statistikore “25 vjet të dhëna gjinore” të organizuar nga Enti Shtetëror i Statistikave, në partneritet me zyrën e UN Women dhe Ambasadës së Mbretërisë së Suedisë në vend.

Duke uruar përvjetorin e rëndësishëm, Presidentja Siljanovska Davkova shprehu mirënjohje për profesionalizimin e vazdhueshëm, paanshmërinë dhe përkushtimin ndaj realitetit shoqëror dhe të vërtetës. Ajo potencoi se si grua, si presidente dhe si përfaqësuese për barazi, e di sa është e rëndësishme që të ekzistojnë të dhëna të sakta që flasim për të gjithë ne, jo vetëm për të mbi-përfaqësuarit, por edhe për të margjinalizuarit, që për një kohë shumë të gjatë kanë qenë të padukshëm për radarin shoqëror maqedonas.

Për të, barazia gjinore nuk është vetëm statistikë, nuk është një det numrash në letër, por paraqet pasqyrë reale të realitetit shoqëror, rezultat që mund të arrihet vetëm me përpjekje të përbashkët shoqërore, me solidaritet dhe mësim të vazhdueshëm nga njëri-tjetri, por edhe për njëri-tjetrin. Ky është investimi ynë i përbashkët për një shoqëri më të barabartë, më humane dhe më të avancuar.

Presidentja Siljanovska Davkova theksoi se nevojitet që të krijojmë një shtet ku të gjithë do të bëhemi të vetëdijshëm se çdo të dhënë reflekton jetën e dikujt, çdo numër tregon një histori individuale, ndërsa puna e çdo personi, pa dallim të seksit dhe gjinisë, duhet vlerësuar në mënyrë të barabartë, të dëgjohet çdo zë, pavarësisht nëse është i lartë apo i heshtur.

Konferenca në fjalë shënoi 25-vjetorin e mbledhjes sistematike të të dhënave gjinore në shtet dhe paraqet pjesë e ngjarjeve në kuadër të shënimit të përvjetorit në fjalë – 80 vite nga themelimi i Entit Shtetëror të Statistikës së Maqedonisë.

Në vazhdim teksti integral nga fjalimi i Presidentes Gordana Siljanovska Davkova.

Të nderuar përfaqësuese dhe përfaqësues të Entit Shtetëror të Statistikave,
Të nderuar përfaqësuese dhe përfaqësues të Zyrës së Kombeve të Bashkuara,
Të nderuar përfaqësuese dhe përfaqësues të trupit diplomatik,
E nderuar Ambasadore e Mbretërisë së Suedisë,
Të nderuar mysafire dhe mysafirë,
Zonja dhe zotërinj,

Me nder të veçantë dhe mirënjohje të thellë ju përshëndes në këtë ngjarje të rëndësishme, për mua dhe për ju dhe për ne – në festimin e 25-vjetorit të hapit të parë që ne si shtet ndërmorëm në fushën e mbledhjes, por edhe të përdorimit të të dhënave gjinore dhe publikimin e botimit të parë mbi këtë temë nga Enti Shtetëror i Statistikave.

Ky përvjetor është shumë më tepër sesa përfundimi i një numri simbolik vitesh. Paraqet njohje të një vendimi të vërtetë dhe të mirë të miratuar në nivel kombëtar dhe një vendosmëri dhe angazhim i fortë për ta zbatuar atë vazhdimisht, në mënyrë që të shohim më qartë, të planifikojmë më drejt dhe të veprojmë në mënyrë më të detajuar. Të shohim gratë dhe burrat përmes të dhënave që zbulojnë më shumë sesa fjalët, të kuptojmë në thelb nevojat e tyre, por edhe të vlerësojmë potencialin e tyre për t’i përfshirë ato në politikat dhe rezultatet.

Jam e vetëdijshme se kjo detyrë e rëndësishme dhe e nevojshme nuk është e lehtë.

Në këtë kontekst, në 25 vitet e fundit, më duket se kemi arritur shumë si vend. Sot dimë më shumë rreth dallimeve gjinore në arsimin, në tregun e punës, në qasjen te shërbimet shëndetësore dhe sociale, me pjesëmarrje në procesin e vendimmarrjes. Po dëshmojmë metodologjitë e reja, sisteme të përmirësuara për mbledhjen dhe analizimin e të dhënave, ndërsa më e rëndësishmja, është rritur ndërgjegjësimi për rëndësinë e çështjes gjinore dhe domosdoshmërinë që ajo të jetë pjesë e çdo analize dhe çdo politike.

Sigurisht, në këtë udhëtim të vështirë, jemi përballur me shumë Skila dhe Karibda, por nuk kemi qenë vetëm.

Ndihem e detyruar ta shpreh mirënjohjen time të sinqertë për Zyrën e Kombeve të Bashkuara në vendin tonë, si dhe për Ambasadën e Mbretërisë së Suedisë.

Mbështetja juaj strategjike, bashkëpunimi i ekspertëve dhe përkushtimi juaj vetëmohues ishin dhe mbeten thelbësore në procesin e krijimit të kapaciteteve institucionale stabile dhe të qëndrueshme, si dhe në promovimin e barazisë gjinore të bazuar në të dhëna.

Jam veçanërisht e kënaqur që ky përvjetor përkon me një tjetër jubile të madh – 80 vjet nga themelimi i Entit Shtetëror të Statistikave, institucioni që jo vetëm krijon dhe shpërndan shifra relevante, por është krijues i besueshëm dhe i respektuar i një kujtese kolektive të të dhënave dhe fakteve të rëndësishme të nevojshme për zhvillim dhe progres.

Ju përgëzoj për këtë përvjetor të rëndësishëm, ju falënderoj për profesionalizmin, paanshmërinë dhe përkushtimin tuaj të vazhdueshëm ndaj realitetit shoqëror dhe të vërtetës.

Juve ju është besuar detyra fisnike që të bëheni nxitës të objektivitetit dhe transparencës në regjistrimin dhe informacionin gjinor, duke e bërë realitetin aktual të dukshëm.

Si grua, si presidente dhe si përfaqësuese për barazi, e di sa e rëndësishme është të kemi të dhëna të sakta që flasin për të gjithë ne, jo vetëm për të mbi-përfaqësuarit, por edhe për të margjinalizuarit që kanë qenë të padukshëm për radarin shoqëror maqedonas për një kohë shumë të gjatë.

Jam e vetëdijshme se ende ka pengesa, por e di se po flasim hapur dhe po citojmë fakte dhe po përpiqemi që t’i zbusim, zhvendosim, eliminojmë dhe kapërcejmë problemet!

Të dashur të ftuar,

Shtresat dhe hollësitë e përpunimit të të dhënave me qëllim kapjen dhe pikturimin e mozaikut të gjallë shoqëror, përmes prizmit të dimensionit gjinor, paraqesin sfidë të madhe dhe frymëzuese. Është e qartë se jo të gjitha fushat mbulohen në mënyrë të barabartë.

Ne dhe ju përballemi me një punë të vështirë që lidhet me të dhënat gjinore në segmentet më të ndjeshme gjinore: grupet vulnerabël, të margjinalizuara, çështjet që lidhen me punën e papaguar, dhunën me bazë gjinore, ndryshimet klimatike. Mbledhja dhe sistematizimi i tyre dhe përdorimi i tyre në funksion të zgjidhjes së problemeve djegëse duhet të jetë më i shpejtë, më i drejtpërdrejtë dhe më efikas, nëse dëshirojmë të krijojmë zgjidhje të përshtatshme për secilën sfidë dhe problem, i cili prek grupe të ndryshme shoqërore, nëse dëshirojmë ta eliminojmë diskriminimin.

Nuk është kurrë pa vend të kujtojmë veten se barazia gjinore nuk është vetëm statistikë, nuk është një det numrash në letër. Ajo është pasqyra reale e realitetit shoqëror, një rezultat që mund të arrihet vetëm me një përpjekje të përbashkët shoqërore, me solidaritet dhe mësim të vazhdueshëm nga njëri-tjetri, por edhe për njëri-tjetrin. Është investimi ynë i përbashkët për një shoqëri më të barabartë, më humane dhe më të avancuar.

Në të ardhmen, misioni ynë si vend dhe angazhimi im si Presidente mbeten të qarta: të vazhdojmë të investojmë në statistikat gjinore, ta përforcojmë dialogun ndërinstitucional, të krijojmë një sistem të dhënash që jo vetëm do të informojmë, por edhe do të transformojnë.

Le ta përdorim këtë përvjetor si një nxitje për energji të re, guxim më të madh dhe angazhim më të fortë. Le të krijojmë një vend në të cilin të gjithë do të jemi të vetëdijshëm se çdo e dhënë pasqyron jetën e dikujt, çdo numër tregon një histori individuale, të vërtetë njerëzore, dhe puna e çdo personi, pavarësisht seksit dhe gjinisë, duhet të vlerësohet në mënyrë të barabartë, zëri i të gjithëve të dëgjohet, pavarësisht nëse është i lartë apo i heshtur.

Së fundmi, urime dhe mirënjohje për të gjithë ata që, me vizion, këmbëngulje dhe dashuri, kanë krijuar dhe po krijojnë këtë rrugë dhjetëvjeçare përgjatë së cilës ne do të vazhdojmë të ecim me hapa të sigurt dhe brezat e ardhshëm do të vazhdojnë të ecin.

Ju faleminderit.

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Siljanovska-Davkova në vizitë pune në Republikën e Kazakistanit

Siljanovska-Davkova në vizitë pune në Republikën e Kazakistanit

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova nga sot gjendet në vizitë pune në Republikën e Kazakistanit, ku nesër, të mërkurën, më 28 maj, do të takohet me Presidentin Kasim Zhomart Tokajev dhe do të marrë pjesë në Forumin Ndërkombëtar Astana 2025. Të enjten, më 29 maj,...