“Dimensioni gjinor duhet të merret parasysh në çdo planifikim të buxhetit shtetëror nëse dëshirojmë të kemi prosperitet”, theksoi Presidentja Gordana Siljanovska Davkova në hapjen e forumit ndërkombëtar “Going Global 2.0: E ardhmja e qëndrueshme e përgjegjshme gjinore”, që po mbahet sot dhe nesër në Shkup.
Për të, buxhetimi i përgjegjshëm gjinor paraqet instrument transformues, si një ndryshim sistemik në mënyrën se si shteti i sheh, i kupton dhe i adreson nevojat sociale.
Presidentja Siljanovska Davkova theksoi se barazia gjinore dhe rezistenca ndaj klimës janë themeli i së ardhmes, ndërsa zgjidhjet e qëndrueshme për këto sfida do të jenë thelbësore për qeveritë, si dhe për shoqëritë në tërë rajonin.
Gjithashtu, ajo potencoi rolin e rëndësishëm të organizatave të shoqërisë civile, qeverive lokale dhe komuniteteve rurale, të cilat janë në vijën e parë të përshtatjes dhe përballimit të ndryshimeve klimatike.
Sipas Presidentes Siljanovska Davkova, buxhetimi i përgjegjshëm gjinor nuk paraqet vetëm procedurë teknike, por mjet për politika të mira dhe buxhetim të mirë, i krijuar në një procedurë transparente me llogaridhënie dhe drejtësi në shpenzimet publike.
Presidentja Siljanovska Davkova beson se si ekonomi e vogël nuk mund të përballojmë luksin e shpenzimeve të paplanifikuara dhe shprehu pritjet për institucionalizimin dhe zbatimin e buxhetimit të organizuar gjinor.
Në këtë ngjarje, të organizuar nga Rrjeti i Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor dhe Qendra për Kërkimin dhe Hartimin e Politikave, u drejtuan edhe Ambasadori i Austrisë, Martin Pamer, Zëvendës Ambasadorja e Suedisë, Elisabeth Dahlberg Frisk, Andrei Lepavcov, Drejtor i Drejtorisë së Çështjeve të Bashkimit Europian në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, si dhe Marija Risteska, Drejtoresha Rajonale e Rrjetit të Buxhetimit të Përgjegjshëm.
Në vazhdim është teksti i plotë i fjalimit të Presidentes Siljanovska Davkova.
Të nderuar ambasadorë,
Përfaqësues të Organizatave Ndërkombëtare,
Anëtarë të Rrjetit të Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor,
Përfaqësues të Organizatave të Shoqërisë Civile,
Ekspertë dhe të ftuar nga më shumë se 20 vende,
Kam nder të madh të shoh që shteti maqedonas po pret edicionin e dytë të forumit “Going Glocal”. E di që organizohet nga Rrjeti i Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor, i cili për mua njihet edhe si një platformë rajonale që krijon një mjedis dialogu, por edhe debati të argumentuar. Të dyja synojnë një të ardhme në të cilën gjinia, sfidat klimatike dhe financat publike do të shqyrtohen in medias res, domethënë në thelb të politikave publike.
Para së gjithash, po, meqenëse kam kaluar një pjesë të madhe të jetës sime në Këshillin e Europës, do të filloj me të. Këshilli i Europës e përcakton buxhetimin e përgjegjshëm gjinor si përfshirjen e detyrueshme të një perspektive gjinore në të gjitha fazat e ciklit buxhetor. Për mua, nuk është procedurë teknike, por një mjet për hartim më të mirë të politikave që do të kryhen në një procedurë transparente dhe do të përfshijë llogaridhënie dhe drejtësi në shpenzimet publike.
Pra, buxhetimi i përgjegjshëm gjinor paraqet instrument shumë transformues, sepse do të thotë një ndryshim sistemik në mënyrën se si shteti i sheh, i kupton dhe i zgjidh nevojat sociale.
Prandaj, preferoj të them se buxhetimi i përgjegjshëm gjinor është në të vërtetë buxhetim i mirë. E njëjta gjë vlen edhe kur përdorim sintagmën ” good governance” – it’s the same”, sepse zbulon pabarazitë e fshehura pas vijave buxhetore dhe mundëson vlerësim real dhe shpërndarje më të drejtë të fondeve publike për nevojat si të grave ashtu edhe të burrave.
E di se jemi vend me hapësirë të kufizuar fiskale, por me detyrime serioze reformuese, dhe për këtë arsye mendoj se financat publike evidence-based nuk janë një zgjidhje, por detyrimi ynë. E udhëhequr nga kjo logjikë, si deputete, mbështeta miratimin e amendamenteve të paraqitura nga Qendra e Kërkimeve dhe Hartimit të Politikave, të cilat në vitin 2022 hapën rrugën për integrimin sistematik të perspektivës gjinore në planifikimin dhe ekzekutimin e buxhetit, dhe isha e sigurt se Marija e dinte mirë se çfarë po propozonte, sepse, më lejoni ta them publikisht, Marija ishte një nga të parat që foli për politikat publike dhe vlerën publike si studentja ime e doktoraturës. Jam e vetëdijshme se zbatimi është ende i paplotë, pyetja e duhur ishte se çfarë ndodhi me amendamentin, dhe për këtë arsye, e shoh shoqërinë civile si partner jashtëzakonisht të rëndësishëm të Qeverisë në përmbushjen e detyrimeve që lindën nga reforma.
Jam e kënaqur që shoqëria civile maqedonase po kontribuon në mënyrë aktive në koalicionin rajonal me mbi 100 anëtarë në Rrjetin e Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor. Besoj fuqimisht se përmes tij do të vazhdojmë të mësojmë nga njëri-tjetri, të shkëmbejmë praktika të mira dhe të përmirësojmë menaxhimin e financave publike në rajon. E vlerësoj veçanërisht kontributin tuaj në krijimin e hulumtimeve të besueshme mbikëqyrëse për Ballkanin Perëndimor dhe Moldavinë, si dhe për vendosjen e temës së buxhetimit të mirë lart në agjendën politike në rajon.
Si Presidente, e vlerësoj punën tuaj dhe veçanërisht angazhimin tuaj për rishpërndarjen e financave publike në bazë të provave. Jam e bindur se ky është një investim në institucione më elastike dhe në një buxhet që do të pasqyrojë vërtet nevojat e të gjithë qytetarëve, pa përjashtim, në frymën e vlerave themelore kushtetuese: drejtësi dhe barazi.
Ky forum nxjerr në pah një temë dhe unë e kam verifikuar këtë në materialet, e cila ne e dimë se nuk është neutrale nga ana gjinore, por është me rëndësi thelbësore për të ardhmen tonë, dëshrioj të them krizën klimatike. Fakti është se gratë dhe burrat përballen me lloje të ndryshme të cenueshmërisë: në bujqësi, në transport, në shëndetësi ose në përballimin e fatkeqësive. Prandaj, politika efektive klimatike kërkon një kuptim dhe respekt të thellë për këto dallime. Nëse nuk analizojmë rolet, nevojat dhe kufizimet që rrjedhin nga normat gjinore, rrezikojmë që masat klimatike të krijojnë pa dashje edhe më të mëdha pabarazi, siç e pamë gjatë COVID-it.
Pyetje të rëndësishme janë para jush dhe para meje: Si të krijojmë investime kapitale që i përgjigjen klimës dhe gjinisë? Si të përmirësojmë pjesëmarrjen e grave në ekonomitë e gjelbra? Cilët sektorë duhet t’i japim përparësi ose në cilët sektorë duhet të synohet kryesisht buxhetimi i ndjeshëm gjinor dhe klimatik? Si të ndërtojmë kulturë të llogaridhënies institucionale? Si të përdorim të dhënat, mjetet digjitale dhe treguesit për të monitoruar progresin?
Për mua, është e rëndësishme që në forum, në frymën e globalizimit, të kombinoni përvojat globale me sfidat lokale, së bashku me autoritetet lokale, së bashku me komunitetet rurale dhe së bashku me organizatat e shoqërisë civile, në fakt ata që janë në vijën e parë të adaptimit dhe reagimit ndaj ndryshimeve klimatike.
Unë mirëpres pjesëmarrjen e qeverive, bashkive, organizatave rajonale, partnerëve ndërkombëtarë dhe sektorit privat. Mendoj se prania juaj dërgon një mesazh të qartë se rezistenca ndaj klimës është përgjegjësi e përbashkët.
Më lejoni t’ju kujtoj se shteti maqedonas jo vetëm që ka ndërmarrë angazhime ambicioze për të zvogëluar gjurmën e tij të karbonit deri në vitin 2030, por është gjithashtu një pionier në përcaktimin e fondeve buxhetore që janë relevante për ndryshimet klimatike.
Prandaj, ju inkurajoj ta përdorni këtë forum si mundësi reale për një diskutim argumentues mbi: parashikueshmërinë e kufizuar fiskale, zbatimin e dobët të programeve të barabarta gjinore dhe mungesën e të dhënave për planifikim të informuar të klimës, ndryshimet e theksuara midis zonave rurale dhe urbane, si dhe pengesat me të cilat përballen gratë në pjesëmarrjen e tyre në proceset buxhetore dhe qasjen në punë të gjelbra.
Ekonomitë e vogla, si e jona, nuk mund të përballojnë luksin e shpenzimeve të paplanifikuara. Prandaj, organizatat e shoqërisë civile mund të paraqesin shtyllë strukturore e reformave tona sepse ato posedojnë ekspertizë, sepse kanë njohuri në terren dhe mbi të gjitha për shkak të mbikëqyrjes së pavarur, angazhimi i së cilës garanton integritetin e reformave.
Unë dëshiroj dhe pres: institucionalizimin e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor; investimin në trajnimin e administratës sa i përket analitikës, statistikave, politikave gjinore, përshtatjeve klimatike; forcimin e vetëqeverisjes lokale; përgatitjen e analizave gjinore dhe klimatike për çdo projekt kapital; zhvillimin e bazave të të dhënave kombëtare për treguesit gjinorë dhe klimatikë; dialogun strategjik midis shtetit, shoqërisë civile dhe sektorit privat për politika të qëndrueshme dhe krijimin e një modeli për shënimin e integruar të buxhetit, d.m.th. (klima + gjinia) si një shembull rajonal.
Të përmbledh: barazia gjinore dhe qëndrueshmëria klimatike paraqesin themel i një të ardhmeje të qëndrueshme! Jam plotësisht e bindur për këtë.
Gjetja e zgjidhjeve të qëndrueshme për këto sfida do të jetë me rëndësi thelbësore për qeveritë, por edhe për shoqërinë në të gjithë rajonin.
Ju faleminderit.





