Siljanovska Davkova nderoi Gjeneralin Major Gregory Knight, Komandant i Gardës Kombëtare të Vermontit, me medaljen e meritës ushtarake

9 Dhjetor 2025 | Fjalimet, Kumtesat

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova nderoi sot Gjeneralin Major Gregory Knight, Komandant i Gardës Kombëtare të Vermontit, me medaljen e meritës ushtarake në një ceremoni.
Gjenerali Knight merr dekoratën e lartë maqedonase për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në bashkëpunimin ushtarak dhe thellimin e miqësisë maqedonase-amerikane.

Duke i dhënë medaljen, Presidentja Siljanovska Davkova potencoi se lidershipi dhe përkushtimi i gjeneral majorit amerikan Knight kanë ndihmuar në krijimin e gjeneratave të shumta të oficerëve, nënoficerëve dhe ushtarëve maqedonas të trajnuar në mënyrë të shkëlqyer.

Ajo kujtoi se Garda Kombëtare e Vermontit mbështet ushtrinë maqedonase në tri dekada, si një partner trajnimi i kualifikuar, me përvojë dhe i përkushtuar, por edhe si aleat i besueshëm në rrugën drejt paqes, stabilitetit dhe demokracisë.

Duke ia dorëzuar medaljen gjeneral majorit Knight, presidentja Siljanovska Davkova tha se kjo medalje nuk është vetëm shprehje mirënjohjeje për punën e tij të palodhur dhe të vlefshme, por edhe e respektit tonë për vlerat që ai personifikon: dinjitetin, integritetin, besueshmërinë, disiplinën, guximin, empatinë, moralin.

Gjeneral majori Gregory Knight, në këtë ceremoni, theksoi se medalja u përket mijëra ushtarëve nga Garda Kombëtare e Vermontit, të cilët ishin të përfshirë në bashkëpunimin 35-vjeçar.
“Ky partneritet është sigurisht pjesa më e rëndësishme e karrierës sime ushtarake prej gati 43 vitesh e gjysmë. Kam ardhur në Maqedoni për gati 25 vjet, përvoja dhe udhëtimet kanë qenë të pabesueshme. Për mua, miqësitë që kam krijuar këtu janë të vërteta, të sinqerta dhe të thella”, theksoi gjeneral majori Knight.

Para ceremonisë, Presidentja dhe Gjenerali u takuan dhe ranë dakord se mbështetja e Vermontit ishte thelbësore në përgatitjen e vendit për anëtarësim në NATO, duke përmbushur standardet e Aleancës dhe duke përmirësuar interoperabilitetin me forcat e tjera të NATO-s.

Në vazhdim është teksti i plotë i fjalimit të Presidentes Gordana Siljanovska Davkova në ceremoninë e sotme.

I nderuar Komandant i Gardës Kombëtare të Vermontit, Gjeneral Major Gregory Knight,
E nderuar Ambasadore eShteteve të Bashkuara të Amerikës, Shkëlqesia Juaj, Angela Ageler,
Të nderuar Përfaqësues të Gardës Kombëtare të Vermontit dhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës,

I nderuar Shef i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Major Sashko Lafçiski,

Në takimin dhe ceremoninë e sotme përkujtojmë dhe nderojmë miqësinë dhe partneritetin midis dy vendeve tona, dy ushtrive tona, dy popujve tanë.

Është nder i veçantë për mua t’i dorëzoj Medaljen e Meritës Ushtarake Komandantit të Gardës Kombëtare të Vermontit, Gjeneral Major Gregory Knight.
Më lejoni t’ju them pse.

Më shumë se tri dekada më parë, Garda Kombëtare e Vermontit dhe Ushtria Maqedonase filluan partneritetin e tyre. Për tridhjetë vjet, ato kanë qëndruar me vendosmëri dhe palëkundje pranë ushtrisë maqedonase, jo vetëm si një trajner i kualifikuar, me përvojë dhe i përkushtuar në programe të shumta trajnimi ushtarak dhe sigurie, por edhe si një aleat i besuar në rrugën drejt paqes, stabilitetit dhe demokracisë. Bashkëpunimi, që filloi si një shkëmbim modest njohurish dhe përvoje është rritur në një nga partneritetet ushtarake më të suksesshme dhe më të qëndrueshme.
Gjenerali Knight, lidershipi juaj ka forcuar dhe i ka dhënë një vulë dalluese partneritetit SHBA-Maqedoni në mënyra që nuk mund të maten thjesht në vite, misione ose programe. Nën udhëheqjen tuaj, bashkëpunimi ka arritur rezultate të jashtëzakonshme profesionale dhe humane, duke formësuar gjenerata oficerësh, nënoficerësh dhe ushtarësh, duke rritur dhe forcuar ndërveprimin tonë dhe duke përgatitur forcat tona ushtarake për të shërbyer profesionalisht dhe në mënyrë të barabartë, krah për krah me aleatët e NATO-s.

Përkushtimi juaj ka shkuar përtej kufijve të detyrave të zakonshme. Ju keni sjellë një frymë respekti, mirëkuptimi dhe shoqërie të vërtetë që e kam ndjerë vetë në takimet e mia me ju. Ju keni qenë arkitekti kryesor në ndërtimin e urave midis dy kombeve, ura të forta dhe të pathyeshme besimi mbi të cilat forcat tona të kombinuara ushtarake do të ecin shumë kohë pas ceremonisë së sotme.

Të angazhuar në shumë misione, jetuam si një familje ushtarake, duke u kujdesur për njëri-tjetrin, duke ndihmuar njëri-tjetrin dhe duke mësuar nga njëri-tjetri.
Si rezultat i lidershipit tuaj, forcat tona të armatosura janë bërë më të forta, më të afta dhe më të lidhura me aleatët tanë, dhe si rezultat i energjisë, dashurisë dhe shpirtit tuaj, qytetarët e Vermontit dhe qytetarët maqedonas kanë qenë një shumë herë!

Sot, me mirënjohje, unë, vendi im dhe forcat e armatosura maqedonase, i njohim arritjet dhe kontributet tuaja të jashtëzakonshme.

Urdhri i Meritës Ushtarake paraqet shprehje jo vetëm e mirënjohjes sonë për punën tuaj të palodhur dhe të vlefshme, por edhe e respektit tonë të veçantë për vlerat që ju personifikoni: dinjitetin, integritetin, besueshmërinë, disiplinën, guximin, empatinë, moralin!

Komandant, në emër të popullit tim dhe Ushtrisë, ju falënderoj.
Ju faleminderit për më shumë se 30 vjet bashkëpunim, partneritet dhe luftë për qëllime të larta!
Ju faleminderit që besuat tek të gjithë ne!
Ju faleminderit që krijuat lidhje të pathyeshme midis Vermontit dhe Maqedonisë, dhe shpresoj që ajo të vazhdojë të rritet!

Ju faleminderit.

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit