Fjalimi i Presidentes Siljanovska Davkova në festimin e 2 Gushtit, Ilinden – Dita e Republikës në Pelince

2 Gusht 2024 | Kumtesat

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova sot mbajti fjalim në festimin e 2 Gushtit, Ilinden – Dita e Republikës që me mbështetjen e saj u mbaj në Qendrën memoriale të KAÇKM-së në Pelince.

Presidentja Siljanovska Davkova vendosi lule të freskëta para Qendrës memoriale të KAÇKM-së në Pelince dhe e vizitoi dhomën përkujtimore në Qendrën memoriale. Në suazat e festimit interpretoi edhe Ansambli i valleve dhe i këngëve popullore “Tanec”.

Në fjalimin e vet, Presidentja Siljanovska Davkova tha se më 2 Gusht të vitit 1944, para saktësisht 80 vjetësh, delegatët e KAÇKM-së e vendosën shtetin maqedonas mbi baza republikane, demokratike dhe antifashiste. Dokumentet e KAÇKM-së, siç tha ajo, pulsojnë me idealet evropiane progresive dhe mbështeten në të drejtën e vetëpërcaktimit dhe barazisë midis popujve. Edhe sot, tha Presidentja Siljanovska Davkova, republika jonë e pavarur përputhet me projektin e Evropës së bashkuar sepse në themelet tona të KAÇKM-së u njohën vlerat e përparuara evropiane.

Sipas Presidentes Siljanovska Davkova, suksesi i Republikës matet nga fakti se a është ajo një vend i denjë për të jetuar dhe a u ofron të gjithëve shanse të barabarta për përparim.

Sipas Presidentes Siljanovska Davkova, institucionet maqedonase janë të gatshme për reformat evropiane. Por, siç tha ajo, nga partnerët tanë evropianë dhe strategjikë presim mirëkuptim dhe zhbllokim të drejtë të procesit të negociatave. Vendi ynë, tha Presidentja, ishte dhe është në Evropë, por me identitet, gjuhë, kulturë maqedonase dhe kujtesë, memorie historike të mbrojtur.

Në vijim është teksti i integruar i fjalimit të Presidentes Siljanovska Davkova.

Të nderuar qytetarë,
Të nderuar pasardhës të heronjve tanë të njohur dhe të panjohur që jetët e veta i dhanë për atdheun, Maqedoninë,

Do të flas si bijë partizani. Ilindeni është dita e dritës dhe çlirimit. Në këtë festë mbi festat rikujtojmë dy etapa të luftës shekullore maqedonase për liri dhe për shtetësi. Në këtë ditë mbi të gjitha ditët rikujtojmë dy breza ilindenas – të Goce Dellçevit dhe të Kuzman Josifovskit-Pitu, të Nikolla Karevit dhe të Metodija Andonov-Çentos. Kurse atë lidhje të fuqishme midis dy etapave dhe dy brezave më së miri e shprehu Panko Brashnarovi, dëshmitari i gjallë i të dy Ilindenëve. Para 80 vjetësh, në manastirin “Shën. Prohor Pçinski”, ai me një zë që dridhej, si i imi, tha se pas shumë luftërash shekullore dhe viktimash “lindi, drita dhe shteti i lirë maqedonas”:

Por, si arritën tek ai Ilinden fitimprurës?

Në vitin 1939, para 85 vjetësh, disa të rinj, intelektualë të përparuar maqedonas botuan një libër të vogël, por shumë të rëndësishëm. E titulluar “150 vjet nga Revolucioni Francez”, kjo broshurë midis faqeve i përmblodhi Deklaratën franceze për të drejtat e njeriut dhe qytetarit të vitit 1789 dhe Manifestin e Krushevës të vitit 1903.

Pika kryesore e këtij libri është se çdo komb ka Revolucionin e tij francez. Dhe se pikërisht Republika e Krushevës, “ndonëse e vogël në shtrirje dhe jetëshkurtër”, me fluturimin, emocionet dhe idealet e saj, “të kujton shumë ditët e para të Revolucionit të madh”.

Me Revolucionin francez filloi epoka e re. Revolucioni u bë udhërrëfyes për popujt e Evropës dhe të botës se si të ballafaqohen me armiqtë e lirisë dhe përparimit. Mbi rrënojat e monarkive të vjetra u ngritën republikat moderne egalitare. Fitimet e tij demokratike u bënë inspirim edhe për inteligjencën revolucionare maqedonase e cila i vendosi idealet për liri, barazi dhe vëllazëri, për të drejta të patjetërsueshme të njeriut dhe të qytetarit në të gjitha kushtetutat tona kryengritëse, në shpalljet dhe manifestet tona.

Jo rastësisht, Goce Dellçevi ka luftuar për “Maqedoni të lirë me të drejta të gjera për të gjithë të varfrit nga të gjitha kombet, fetë dhe gjuhët në të”. Jo rastësish, Vasil Gllavinov është angazhuar për republikë të lirë maqedonase si qendër e demokracisë ballkanike. Jo rastësish, Manifesti i Krushevës proklamonte liri, vëllazëri dhe barazi, pavarësisht nga feja, kombi dhe bindja.
Libri i vogël në fillim është censuruar, kurse mandej edhe ndaluar. Por, por para se të digjet dhe shkatërrohet, ai ishte shpërndarë midis rinisë maqedonase, e cila u bë e vetëdijshme se është trashëgimtare e dy traditave të mëdha revolucionare – franceze dhe ilindenase. Dhe se përgjegjësia e brezit të tyre është që ta vazhdojnë marshimin e pandalshëm ndaj republikës së lirë maqedonase.

Në prag të Luftës së Dytë Botërore dhe të errësirës fashiste që ra mbi Evropë, ky libër i vogël i mobilizoi fuqitë e përparuara dhe i fokusoi përpjekjet e tyre në luftën nacionalçlirimtare dhe antifashiste. Në të, ata gjetën inspirim për proklamatat, parullat dhe manifestet që të bashkonin frontin dhe çlironin atdheun.

Dhe përfundimisht, më 2 Gusht 1944, saktësisht para 80 vjetësh, delegatët e KAÇKM-së e vendosën shtetin e lirë maqedonase mbi baza republikane, demokratike dhe antifashiste. Dokumentet e KAÇKM-së pulsojnë me ideale progresive evropiane dhe i apelojnë për të drejtën e vetëvendosjes dhe barazisë midis popujve. Edhe sot republika jonë e pavarur është kompaktibile me projektin për Evropën e bashkuar sepse në themelet tona të KAÇKM-së dallohen vlerat e përparuara evropiane.

Merreni Deklaratën e KAÇKM-së për të drejtat e qytetarëve. Në të shihet se themeluesit tanë nuk ishin realistë që iu përshtatën pushtetit, por ishin idealistë që krijuan një republikë të lirisë kombëtare dhe drejtësisë sociale, të qytetarëve të barabartë, “pavarësisht kombësisë, gjinisë, racës dhe fesë”. Ata krijuan një republikë të të drejtave dhe lirive të garantuara të njeriut.
Të dashur bashkëqytetarë, të nderuar të pranishëm,

Çdo brez ka të drejtë dhe obligim ta ripërtërijë shpirtin e republikës dhe ta harmonizojë me rrethanat dhe mundësitë e reja.

Nëse sot, 80 vjet më vonë, i pyesni brezat e rinj, cila e drejtë e njeriut është për ta më e rëndësishmja, besoj se pjesa më e madhe e tyre do të thonë – e drejta e përparimit, e drejta e kërkimit të lumturisë. Kërkimi i lumturisë, për mua, nuk është klishe holivudiane, por një nevojë e pashtershme e njeriut e që kontribuon për të mirën e bashkësisë së cilës i përket ai. Kjo e drejtë, që në fillim është proklamuar me Revolucioni Amerikan, dhe është konfirmuar me Revolucionin Francez, është përqafuar nga ilindenasit dhe asnomësit tanë dhe, nëpërmjet tyre, është vendosur në republikën maqedonase.

Dhe kjo nuk është rastësisht, sepse republika ekziston për hir të qytetarëve, për hirin tuaj, për t’iu mundësuar, për t’ju mundësuar, të arrini lumturinë, të krijoni vlera, të përparoni jo në bazë të lidhjeve, privilegjeve dhe mbrojtjeve, por vetëm dhe vetëm në bazë të njohurive, cilësive dhe aftësive. Ky është qëllimi i ekzistencës së çdo republike, duke përfshirë edhe tonën, republikën e pavarur maqedonase. Në vitin 1991 u konstituua që të “sigurojë paqen dhe bashkëjetesën, drejtësinë sociale, prosperitetin dhe përparimin ekonomik”, po e përsëris, “përparimin e jetës personale dhe të përbashkët”.

Më shumë se shumë të drejta dhe liri të tjera të njeriut, pikërisht e drejta për të përparuar, për të kërkuar lumturinë lidhet me të rinjtë. Është nervi që i lëviz të rinjtë, i motivon ata të përmirësohen, të konkurrojnë, të jenë aktivë, të jenë qytetarë që avokojnë për ndryshime pozitive sociale. Prandaj, më shumë se shumë të drejta të tjera, e ardhmja e republikës varet nga e drejta për përparim.
Të bëjmë pyetjen: Pse janë larguar shumë të rinj nga vendi ynë vitet dhe dekadat e fundit? Pse u larguan nga Maqedonia? Pse kemi gjithnjë e më pak fëmijë në kopshte, gjithnjë e më pak nxënës në shkolla dhe gjithnjë e më pak studentë në universitete? Arsyeja për mua nuk janë vetëm pagat dhe të ardhurat, sepse statistikisht, me kalimin e viteve të ardhurat kanë ardhur duke u rritur. Standardi i jetesës është shumë më tepër se paratë dhe fuqia blerëse e qytetarëve. Standardi i jetesës janë edhe vlerat, shteti ligjor, qëndrimi i institucioneve ndaj qytetarëve dhe marrëdhëniet ndërpersonale.

Suksesi i republikës matet sipas faktit nëse është një vend i denjë për të jetuar dhe a ofron mundësi të barabarta për përparim për të gjithë. Pikërisht kjo e drejtë kërcënohet nga korrupsioni dhe nepotizmi, të cilët në vitet dhe dekadat e kaluara kanë krijuar standarde të dyfishta, kanë shkelur shtetin e së drejtës dhe kanë minuar të mirën e përbashkët. Por edhe nga bllokadat e padrejta të kahershme të integrimeve tona europiane dhe euroatlantike, që e lodhën shtetin.

Prandaj, gjithnjë e më shumë të rinj maqedonas, shqiptarë, turq, serbë, romë, vlleh, boshnjakë e të tjerë besojnë se kërkimi i lumturisë dhe përparimit i çon jashtë atdheut tonë të përbashkët. Për disa prej tyre, atdheu bëhet vetëm një vendqëndrim i përkohshëm, një hotel, në vend të një shtëpie ku do të krijonin familje.

Jam e vetëdijshme se shumë të rinj me vëmendje të madhe dhe me shpresë të madhe i ndjekin fjalët dhe hapat e pushtetit të porsazgjedhur. Jam e vetëdijshme se te shumë rinj një fjalë e jona apo një vendimi ynë mund të jetë vendimtar – a të qëndrojnë këtu dhe t’i japin shans shtetit, apo të largohen dhe ta kërkojnë fatin në mërgim. Kurse vendimi i tillë i tyre ndikon edhe mbi familjet e tyre.

Të nderuar qytetarë, të nderuar të pranishëm,

Duke u përulur para përmendoreve të ilindenasve, partizanëve dhe asnomësve tanë do të vëmë re se edhe përkrah dallimeve, pothuajse të gjithë kanë dy gjëra të përbashkëta. Ato janë idealet e tyre dhe rinia e tyre.

Në të kaluarën, të rinjtë u sakrifikuan për lirinë tonë. Sot, ne duhet të sakrifikohemi për të ardhmen e të rinjve.

Kjo sakrificë e jona nënkupton të mos bëhet kompromis me të ardhmen e tyre. Sado e vështirë të jetë, ne duhet t’u krijojmë kushte të rinjve maqedonas, shqiptarë, turq, serbë, romë, vlleh, boshnjakë e të tjerë, jo vetëm që ta kërkojnë, por edhe ta realizojnë lumturinë e tyre këtu, në atdheun tonë e vetëm dhe të përbashkët. Le të lëmë mënjanë përçarjet dhe grindjet, interesat e ngushta partiake e personale dhe të bashkohemi rreth të mirës së përbashkët dhe interesit publik. Nëpërmjet asaj sakrifice ne do të marrim pjesë realisht në krijimin e republikës së re, të katërt maqedonase.

Ajo republikë duhet të kujdeset për më të mirën, gjithëpërfshirëse për të tjerët, të jetë solidare me të pambrojturit dhe e drejtë për të gjithë. E kujdesshme sepse më të mirët, më të suksesshmit janë parakusht për suksesin tonë. Republika duhet të jetë gjithëpërfshirëse sepse forca jonë është në diversitetin tonë, etnik, fetar, gjuhësor, brezash. Gjithëpërfshirja nuk i duron ndarjet dhe paragjykimet. Republika e katërt maqedonase gjithashtu duhet të solidarizohet sepse kujdesi për të varfrit, të pambrojturit dhe të margjinalizuarit është arshini për matjen e vlerës së vërtetë të shoqërisë. Dhe së fundi, ajo republikë duhet të jetë e drejtë sepse drejtësia është lidhja midis qytetarit dhe shtetit.

Bashkëqytetarë të dashur dhe të nderuar, të pranishëm,

Beteja për të rinjtë është beteja për republikën e katërt maqedonase. Beteja për më të mirët dhe më të talentuarit është betejë për republikën e katërt maqedonase.

Beteja për dije përkundrejt mosdijes, për përsosmëri kundër mediokritetit, për kreativitet kundër destruktivitetit, është betejë për republikën e katërt maqedonase.

Beteja për mbrojtjen e pyjeve tona, jetëve dhe pronave të qytetarëve tanë nga flakët e zjarrit është betejë për republikën e katërt maqedonase.

Këtë betejë do ta fitojmë vetëm me europianizimin e shtetit, me shtetin ligjor, me luftën kundër korrupsionit, me institucione efikase, me ekonomi konkurruese, me vlera demokratike dhe kulturë politike demokratike, me të drejtat dhe liritë e njeriut, më në fund, me sisteme funksionale që do të mund të përballohen me zjarret, përmbytjet dhe fatkeqësitë e tjera natyrore. Për të fituar këtë betejë, ne duhet të përfshijmë të rinjtë në çdo fazë të vendimmarrjes që i tangon ata dhe të ardhmen e tyre. Nuk duhet të marrim vendime për rininë pa rininë. Kjo betejë është edhe beteja e tyre, beteja juaj, të cilën mund ta bëni vetëm këtu, në atdheun tuaj.

Kjo betejë duhet të fillojë që sot dhe ne duhet të investojmë të gjitha kapacitetet tona personale dhe institucionale.

Patriotizmi i vërtetë dëshmohet jo me fjalë boshe, jo me retorikë boshe, por me punë me mund.

Unë tashmë u përfshiva në këtë betejë. Do t’i shfrytëzoj të gjitha ingjerencat time kushtetuese dhe ligjore për të mirën e qytetarëve dhe për të ardhmen e republikës. Në vend që të pyetemi a e kemi prekur fundin dha a mund të jetë më keq, duhet të pyetemi si të bëhet më mirë, si të ngrihemi dhe të arrijmë suksese dhe fitore të reja.

Të nderuar,

Në këtë plan, bashkëpunimi me partnerët tanë strategjikë dhe miqtë evropianë është prioriteti kryesor. Republika jonë u ngjiz nga idealet evropiane të lirisë nga tirania, barazisë para ligjit, vëllazërisë midis njerëzve dhe kombeve. Kjo na bën trashëgimtarë të barabartë të përfitimeve kryesore evropiane. Dhe për këtë, përveç gjeografikisht, i përkasim familjes së madhe evropiane edhe për nga vlera, politike dhe ekonomike. Në rrugën tonë drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian, ende përballohemi me kushte joparimore që ndryshojnë vazhdimisht. Por e dimë se midis vendeve anëtare kemi shumë miq që na mbrojnë dhe zgjojnë ndërgjegjen evropiane për rastin e integrimit tonë maratonë. Ne duhet t’i ndihmojmë ata duke mos devijuar nga rruga e vendosur evropiane. Është edhe rruga jonë. Institucionet maqedonase janë të gatshme për reforma evropiane. Por nga partnerët tanë evropianë dhe strategjikë presim mirëkuptim dhe zhbllokim të drejtë të procesit të negociatave. Vendi ynë ka qenë dhe është në Evropë, por me identitet të mbrojtur maqedonas, gjuhë, kulturë dhe memorie historike.

As ilindenasit, as asnomasit nuk ishin imitues por interpretues kreativë të historisë së Revolucionit Francez. Si luftëtarë autentikë për kauzën maqedonase, ata i anashkaluan me vetëdije mangësitë dhe i kritikuan mospërputhjet, kurse i ndërmorën fitimet e asaj tradite demokratike revolucionare. Edhe ne sot duhet ta ndjekim shembullin e tyre. T’i ndihmojmë brezat tanë të sotshëm të rinj që të mos jenë imitues por interpretues kreativë të vlerave dhe fitimeve evropiane. Në mënyrën e vet autentike të luftojnë për të tashme dhe të ardhme me prosperitet.

Kështu do ta bëjmë do ta bëjmë republikën tonë vend të denjë për të jetuar, i cili do t’u japë shanse të barabarta për përparim të gjithë qytetarëve të saj, pavarësisht nga përkatësia etnike, fetare, gjuhësore, politike apo çfarëdo përkatësie tjetër. Kështu do ta përmbushim detyrën tonë dhe do të ripërtërijmë frymën e republikës sonë maqedonase.

Të dashur bashkëqytetarë,

Do të përfundoj siç fillova. Në vitin 1939, kur 150 vjetori i Revolucionit Francez festohej nën hijen e Luftës së Dytë Botërore, nga shtypi doli një libër i vogël, por shumë i rëndësishëm, i cili është censuruar dhe ndaluar. Por para se të digjet dhe shkatërrohet, edhe ky livër oshte shpërndarë midis rinisë përparimtare maqedonase. Në errësirën fashiste që në atë periudhë ra mbi Evropë, autori i këtij libri i lajmëroi agimet e bardha të lirisë maqedonase.

Në strofën e fundit, të poezinë e fundit, poeti ynë Koço Racin shkroi:

“Po thyhet nata e zezë!
Po shkërmoqet shkëmbi i errësirës!
Dhe gjelat në fshat po këndojnë
dhe agimi po agon
mbi shkëmbin me gjak po lahet
dhe errësira po pi
fuqishëm ndriçoi dita!”
Dhe me të vërtetë. Pesë vjet më vonë, në Ilinden, fuqishëm ndriçoi dita për lirinë tonë.
Të nderuar të pranishëm, të rinj,
Gëzuar për shumë vjet Ilindenin!

Qoftë e përjetshme republika maqedonase!

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Presidentja Siljanovska Davkova formoi Këshillin e të rinjve

Presidentja Siljanovska Davkova formoi Këshillin e të rinjve

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova mori vendim për formimin e Këshillit të të rinjve, si trup i përkohshëm pune i cili do të shqyrtojë dhe analizojë çështje lidhur me të rinjtë, politikat dhe iniciativat rinore të cilat dalin nga nevojat e të rinjve me qëllim të...