Më 19 maj, Ditën e përkujtimit të reformatorit të madh dhe themeluesit të Republikës Turke, Kemal Ataturk, si dhe Ditën e rinisë dhe sportit, të festuar nga anëtarët e komunitetit turk, Siljanovska-Davkova vizitoi Shkollën Fillore “Mustafa Kemal Ataturk” dhe shoqatën “Adeksam” në Gostivar dhe u takua me banorët e fshatit Banjicë e Epërme.
Në fjalën e saj drejtuar të pranishmëve, ajo theksoi se arsimi në gjuhën amtare është parakusht për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe kulturor dhe u vuri në dukje nxënësve dhe prindërve se nuk ka investim më të mirë sesa investimi në dije.
Në shkollën, me nxënës kryesisht nga komuniteti turk dhe mësim në gjuhën turke, maqedonase dhe shqipe, presidentja u prezantua me zhvillimin, kapacitetet dhe stafin e saj, dhe më pas ndoqi shfaqjen e mrekullueshme, një kolazh vallesh, pikash muzikore, oratorish dhe recitime.
Për të, por edhe për drejtoreshën e shkollës, mjedisi multikulturor është një mjedis i shkëlqyer për ndërtimin e bashkëjetesës.
Ajo diskutoi sukseset dhe problemet e komunitetit turk në vend me përfaqësues të shoqatave turke nga Gostivari. Tahsin Ibrahim, kryetar i shoqatës “Adeksam” dhe Unionit të OJQ-ve turke në Maqedoni (MATUSITEB), informoi për aktivitetet e tyre dhjetëra vjeçare në fushën e kulturës dhe arsimit.
Duke theksuar sfidat kryesore në arsimin fillor dhe të mesëm, Ibrahimi vuri në dukje se pavarësisht kushteve të përmbushura, në disa komuna nuk ka mësimdhënie në gjuhën turke. Biseda nxori në pah nevojën për zbatimin konsistent të parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të turqve në organet dhe institucionet shtetërore.
Presidentja i inkurajoi ata të flisnin hapur për problemet dhe premtoi angazhim personal për adresimin, njohjen dhe kapërcimin e tyre.
Në Banjicë të Epërme, Siljanovska-Davkova theksoi se e vlerëson shumë besnikërinë tradicionale të banorëve të këtij rajoni ndaj shtetit dhe përshëndeti kontributin e shoqatave “Altin Parmaklar” dhe “Namik Efendi” në kultivimin e kulturës turke.
Të pranishmit shprehën pakënaqësi me shpronësimin e tokës pjellore bujqësore për nevojat e ndërtimit të infrastrukturës me kompensim shumë të ulët.