Presidentja Gordana Siljanovska Davkova e mirëpriti drejtorin e Institucionit Nacional “Vera e Ohrit”, Gjorgji Cuckovski
Duke e uruar Cuckovskin për zgjedhjen e tij si drejtor i këtij festivali me renome ndërkombëtare, ajo shprehu bindjen se me karrierën e tij të pasur muzikore dhe si drejtor i parë i Operës dhe Baletit Kombëtar, do të kontribuojë në përparimin e vlerave dhe kritereve artistike dhe estetike të “Verës së Ohrit”.
Si mbështetëse tradicionale e këtij manifestimi më të vjetër muzikor e skenik në vend, Presidentja Siljanovska-Davkova u njoh me përgatitjet dhe risitë e edicionit të ardhshëm të 65-të të “Verës së Ohrit”, ku pritet të ketë një program artistik të lartë me përmbajtje të freskëta, moderne dhe kreative.
Ajo theksoi se “Vera e Ohrit” me karakterin e saj ndërkombëtar është një vlerë e shtuar për diplomacinë kulturore dhe theksoi se në të ardhmen do të vazhdojë të mbështesë manifestimet, të cilat nëpërmjet promovimit të vlerave kulturore dhe artistike i afrojnë popujt dhe e përforcojnë respektin reciprok.
Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime edhe për mundësitë dhe mënyrat e zhvillimit të mëtejshëm të festivalit, me qëllim të arritjes së synimeve edhe më të larta në skenën kulturore ndërkombëtare dhe promovimin e përgjithshëm të vendit.
“Vera e Ohrit” është një nga evenimentet më të rëndësishme, që me traditën, njohjen, cilësinë dhe reputacionin e vet shumëvjeçar, ia afron publikut maqedonas emrat e nivelit botëror, duke kontribuar në të njëjtën kohë në ofertën turistike më cilësore të qendrës sonë shpirtërore dhe kulturore, Ohrit.