Presidentja Siljanovska Davkova e mirëpriti zëvendësdrejtoreshën ekzekutive të UN Women, Njaraxai Gumbonzvanda

17 Tetor 2024 | Kumtesat

Presidentja Siljanovska Davkova sot e mirëpriti zëvendësdrejtoreshën ekzekutive të Agjencisë së OKB-së për barazi gjinore dhe përforcimin e grave, UN Women, Njaraxai Gumbonzvanda

Në këtë takim u shkëmbyen mendime mbi përparimin e arritur në vend në aspektin e barazisë gjinore, efektivitetin e strategjive në luftën kundër dhunës gjinore, mundësitë për fuqizimin ekonomik të grave, rritjen e përfaqësimit të tyre në postet drejtuese, sfidat me të cilat ballafaqohen gratë nga bashkësitë e margjinalizuara, si dhe mbi bashkëpunimin me UN Women.

Bashkëbisedueset ranë dakord se pjesëmarrja e barabartë e grave në krijimin e politikave, si dhe në fushat e mbrojtjes, sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare është thelbësore për zhvillimin gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm. Në këtë kontekst, u theksua se pabarazia gjinore është më e dukshme në nivel lokal, ku gratë që synojnë për poste drejtuese ballafaqohen me barriera të shumta të cilat dalin nga vlerat patriarkale dhe stereotipat gjinorë. Njëkohësisht u theksua se janë të domosdoshme investime më të mëdha në programe që synojnë krijimin e një tregu më të drejtë të punës, përkatësisht barazinë dhe mundësitë e barabarta midis grave dhe burrave në tregun e punës.

Me qëllim të përparimit të barazisë gjinore dhe përmirësimit të statusit të gruas në të gjitha fushat e jetës publike dhe private, Presidentja theksoi se vendi do të vazhdojë të përafrojë plotësisht dokumentet strategjike kombëtare me Agjendën e Zhvillimit të Qëndrueshëm 2030 dhe me Qëllimin 5 për zhvillim të qëndrueshëm: Barazinë gjinore.

Në bisedën me Gumbonzvandën, Presidentja Siljanovska Davkova e theksoi përkushtimin e saj të plotë për ngritjen e vetëdijes për çështjet e barazisë gjinore dhe shprehu mbështetje për iniciativat të cilat e përmirësojnë statusin e përgjithshëm të grave në shoqërinë maqedonase. Ajo shprehu bindjen se bashkëpunimi i ngushtë me agjencitë e OKB-së dhe UN Women do të vazhdojë dhe do të thellohet edhe në të ardhmen, me qëllim sigurim të barazisë gjinore ndër detyrat prioritare të agjendës kombëtare.

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit