Presidentja Gordana Siljanovska Davkova sot i pranoi letrat kredenciale të Kjara Kardonjas, ambasadores së sapoemëruar të Republikës së San Marinos, me seli në Ministrinë e Punëve të Jashtme në San Marino.
Në ceremoninë e dorëzimit të letrave kredenciale, Presidentja Siljanovska Davkova, duke theksuar se marrëdhëniet diplomatike ndërmjet dy shteteve janë vendosur vetëm pesë vjet më parë dhe se ambasadorja Kardonja është ambasadorja e parë e emëruar nga ky vend, shprehu shpresën se emërimi i saj do të kontribuojë në përforcimin dhe thellimin e marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit midis dy vendeve, si në planin bilateral ashtu edhe në atë ndërkombëtar.
“Vendi im është tërësisht i interesuar të promovojë bashkëpunimin e përgjithshëm me San Marinon dhe të vendosë komunikim politik më aktiv duke intensifikuar kontaktet në nivelin më të lartë” theksoi Presidentja, duke shtuar se ekziston gadishmëri për përforcim edhe të dimensionit bilateral parlamentar të bashkëpunimit të bazuar në përcaktimin e përbashkët për të mbështetur demokracinë, liritë individuale dhe vlerat e tjera të jetesës, për zhvillimin e mëtejshëm të vlerave të përbashkëta dhe të afërsisë më të madhe ndërmjet tyre.
“Mundësitë që ekzistojnë për zgjerimin e marrëdhënieve midis dy vendeve në fushën e politikës, ekonomisë dhe turizmit duhet t’i thellojmë në interes të të dy shteteve, kurse veçanërisht do të doja të theksoja interesin tonë për intensifikimin e lidhjeve ekonomike ndërmjet bizneseve në dy vendet.
Besoj se aktivitetet e ndërmarra nga qeveria aktuale për përmirësimin e vazhdueshëm të klimës investuese dhe të përgjithshme të biznesit në vend do të krijojnë një fushë të gjerë të mundësive të reja për lidhje ekonomike midis nesh”, theksoi Presidentja Siljanovska Davkova.
Në fjalën e saj, ambasadorja Kardonja tha se të dyja republikat janë të afërta dhe jo vetëm nga pikëpamja gjeografike dhe në këtë kontekst ajo theksoi se integrimi evropian është qëllimi kryesor për të dy vendet, duke theksuar se shteti i saj zgjodhi rrugën e shoqërimit, kurse shteti ynë është kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Në një botë që fokusohet gjithnjë e më shumë në ruajtjen e identiteteve kombëtare, kurse në të njëjtën kohë i bëhet thirrje për ndërlidhje, Evropa është e ardhmja jonë e përbashkët, një mburojë që përforcon sovranitetin e shteteve tona dhe i lejon ata të përballohen me vendosmëri me sfidat moderne. Vëllimi i krizave që po prekin botën dhe madhësia e aktorëve të tjerë, kërkojnë përgjigje gjithnjë e më të zëshme dhe të përbashkëta. Kjo është edhe më e rëndësishme për vendet me një shtrirje të vogël territoriale”, tha ambasadorja Kardonja.
Ajo shtoi se hapësira kulturore evropiane është një tërësi identitetesh, gjuhësh dhe kulturash, të cilat edhe pse të ndryshme, kanë një matricë të përbashkët traditash dhe aspiratash legjitime. Ambasadorja e San Marinos e theksoi edhe bashkëpunimin e dy vendeve në suazat e strukturave dhe mekanizmave multilaterale, duke përzgjedhur forcën e dialogut, demokracisë dhe respektit për të tjerët.
Presidentja Siljanovska Davkova i uroi ambasadores së sapoemëruar të San Marinos shumë suksese në kryerjen e misionit të saj të përgjegjshëm diplomatik.