Presidentja Gordana Siljanovska Davkova pranoi sot kredencialet e Vivienne Aisen, Ambasadorja e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë e Shtetit të Izraelit, me seli në Jerusalem.
Duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen nga Qendra Mjekësore “Shiba”, ekipi i së cilës trajtoi 23 pacientë të plagosur në zjarrin katastrofik në Koçan, Presidentja Siljanovska Davkova theksoi se ky është një konfirmim tjetër i mirëkuptimit të thellë të ndërsjellë.
Pas tre dekadave të marrëdhënieve diplomatike, Presidentja Siljanovska Davkova pret bashkëpunim më të gjerë dhe më intensiv në sektorin e bujqësisë, arsimit, shkencës, kërkimit dhe zhvillimit, teknologjisë dhe inovacionit.
Sipas saj, komuniteti hebraik maqedonas, si pjesë e pandashme e historisë dhe kulturës sonë, paraqet urë më e fortë e bashkëpunimit maqedono-izraelit.
Duke iu referuar historisë, e cila mëson se dhuna, pavarësisht nga origjina e saj, i thellon përçarjet, e zgjat dhimbjen njerëzore dhe i distancon palët nga zgjidhja e drejtë, ajo shprehu bindjen e saj se paqja e qëndrueshme mund të arrihet vetëm përmes dialogut, diplomacisë dhe respektimit të së drejtës ndërkombëtare, si dhe parimeve e vlerave të saj, duke përfshirë mbrojtjen e jetës dhe dinjitetit njerëzor.
Në këtë takim, Presidentja Siljanovska Davkova riafirmoi mbështetjen e Maqedonisë për përpjekjet ndërkombëtare që synojnë deeskalimin dhe negociatat. Lindja e Mesme ka nevojë të madhe për paqe, siguri, stabilitet dhe bashkëjetesë.
Ambasadorja Aisen shprehu mirënjohjen e saj për respektin e provuar që gëzon komuniteti hebraik në këtë vend. Ajo përcolli gatishmërinë e Izraelit për të ndarë përvojën dhe ekspertizën e tij të pasur në shumë fusha, veçanërisht në sektorin e bujqësisë, menaxhimit të ujërave, kujdesit shëndetësor dhe teknologjisë kibernetike.
Ndër temat e diskutimit ishte edhe iniciativa e Korridorit India – Lindja e Mesme – Evropa (IMEC). Të dy besojnë se përfshirja jonë në këtë korridor do ta përmirësojë tregtinë, energjinë dhe lidhjen digjitale, duke pasur parasysh vendndodhjen e tij strategjike në zemër të Ballkanit. Për Izraelin, projekte të tilla nuk janë vetëm korridore ekonomike, por edhe ura paqeje, progresi dhe prosperiteti të përbashkët.
Presidentja Siljanovska Davkova i uroi ambasadores së re izraelite mandat të suksesshëm.