Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova pati fjalim në drekën e punës me ambasorët e vendeve-anëtare të Bashkimit Europian në vendin tonë, me rastin e përfundimit të kryesimit të Polonisë me Këshillin e BE-së.
Fjalime kanë mbajtur edhe ambasadori polak, Mariush Brimora dhe ambasadorja daneze, Pernile Deiler Kardel, shteti i së cilës e ka ndërmarrë kryesimin më 1 korrik të këtij viti.
Duke përgëzuar për punën e kryer gjatë periudhës së kryesimit polak, kur bota po ballafaqohet me sfida gjeopolitike, ekonomike dhe të sigurisë, presidentja Siljanovska-Davkova ka folur për sfidat në rrugën integruese të vendit tonë.
Presidentja Siljanovska-Davkova përkujtoi në rrugën dydekadashe integruese të vendit tonë nga data e marrjes së statusit të vendit kandidat, pengesat politike që e pengojnë përparimin dhe e minojnë besimin publik në procesin e zgjerimit të BE-së. Ajo potencoi hulumtimet e fundit të mendimit publik në vend, që tregojnë rritje të mosbesimit sa i përket politikës së zgjerimit, madje edhe te të rinjtë.
Presidentja Siljanovska-Davkova paralajmëroi për “dëmin nga bilateralizimi, duke theksuar se çështjet irracionale lidhur me me identitetin ose mosmarrëveshjet bilaterale nuk duhet ta pengojnë integrimin”.
Duke theksuar se pengesa shkakton rreziqe të mëdha dhe e bën rajonin tonë të prekshëm, ajo vlerësoi se me minimin e stabilitetit të Ballkanit Perëndimor kërcënohet edhe stabiliteti i Europës në tërësi. Sipas presidentes Siljanovska-Davkova, integrimi europian nuk paraqet vetëm çështje politike, por edhe imperativ gjeopolitik dhe të sigurisë.
Presidentja Siljanovska-Davkova riafirmoi kërkesën për të lëvizur përpara në bazë të meritave, si çdo vend tjetër kandidat. Është inkurajuese, sipas saj, që kryesimi danez njeh se zgjerimi i mëtejshëm i BE-së paraqet domosdoshmëri gjeopolitike. Ajo theksoi se është mirë që Danimarka planifikon të udhëheqë procesin e zgjerimit përmes dialogut të vazhdueshëm politik dhe në përputhje me kriteret e Kopenhagës dhe me qasje në bazë të meritave.