Presidentja Gordana Siljanovska Davkova mbajti fjalim hyrës në Forumin e 20-të të Mediave të Europës Juglindore (SEEMF), i cili u mbajt dje në Shkup, me temën “Më të afër në rajon, më të fortë në Europë: Roli i komunikimeve dhe mediave në përforcimin e imazhit, qëndrueshmërisë dhe sigurisë së Europës”.
Para së gjithash, ajo i ka dhënë njohje profesionit të gazetarisë dhe e përshkroi atë si profesion të respektuar dhe të guximshëm, të gatshëm për të mbrojtur parimet dhe vlerat etike edhe me koston e lirisë dhe jetës.
Për të, gazetarët nuk janë kronikanë të zakonshëm të kohës, por individë të bashkuar në shtyllë të fortë njerëzore të rendit demokratik dhe krijues të pazëvendësueshëm të res publica.
Duke kujtuar se politika, sipas natyrës së saj, është dialog, jo monolog, ajo theksoi se mediat nuk paraqesin vetëm ndërmjetës midis qeverisë dhe qytetarëve, por edhe pjesëmarrës aktivë në formësimin e ndërgjegjësimit publik, krijimin e perceptimit politik dhe mundësimin e shpërndarjes së pushtetit shoqëror.
Sipas saj, shtyp i lirë është faktor i rëndësishëm demokratik dhe provë lakmusi, duke mundësuar një qytetari të informuar, një publik kritik dhe kontroll të vazhdueshëm mbi ata që janë në pushtet.
Ajo theksoi se gazetaria nuk duhet të jetë as një zgjatim i qeverisë dhe as kundërshtari i saj i paracaktuar, por një roje e pavarur e interesit publik.
Duke iu referuar transformimit digjital, videookracisë dhe inteligjencës artificiale, Presidentja Siljanovska Davkova paralajmëroi se disponueshmëria më e madhe e informacionit nuk do të thotë besim më i madh në të.
Duke iu referuar anketës së Institutit Reuters të vitit 2026, sipas të cilit besimi në lajmet është 37 përqind, ajo vuri në dukje paradoksin e shoqërisë moderne: nuk ka pasur kurrë më shumë informacion, por besim më të ulët në të.
Ajo theksoi rëndësinë e fytyrës njerëzore dhe dimensionit të profesionit të gazetarisë, duke treguar se liria e mediave nuk do të thotë vetëm liri shprehjeje, por edhe siguri, dinjitet, autonomi profesionale dhe pavarësi ekonomike të gazetarëve.
Presidentja Siljanovska Davkova kujtoi se shpejtësia paraqet avantazh teknologjik, por saktësia mbetet detyrim profesional gazetaresk, sepse gazetarët janë si dëshmitarë, interpretues dhe rojtarë të kujtesës publike, ndërsa një shoqëri që nuk e ruan të vërtetën për kohën e saj rrezikon të humbasë aftësinë për të krijuar të ardhmen.
Në vazhdim është teksti i plotë i fjalimit të Presidentes.
Të nderuar gazetarë,
Të nderuar anëtarë të SEEMO-s,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar miq të fjalës së lirë,
Pse jam këtu? Për gjenerata me radhë, gazetaria është praktikuar nga njerëz të ndershëm që kanë humbur vendet e punës, kanë shkuar në burg dhe kanë vuajtur vështirësi të panumërta në mbrojtje të parimeve të tyre.
Përkushtimi i gazetarit ndaj parimeve etike nuk është as i vdekur dhe as i ri.
Gazetaria kërkon përkushtim ndaj të vërtetës dhe simpati për res publica.
Politika është gjithmonë dialog, kurrë monolog, me mosmarrëveshje dhe komunikim në thelbin e saj. Demokracia paraqet formë e komunikimit politik midis qeverisë dhe popullit. Edhe udhëheqësit autoritarë pretendojnë të komunikojnë me popullin e tyre. Në shtetet demokratike, politika nuk është e mundur pa procese komplekse komunikimi. Ne të gjithë e dimë se ajo është kryesisht indirekte dhe e ndërmjetësuar, sepse kuptimi ynë i politikës rrallë vjen drejtpërdrejt nga politikanët, kryesisht nga televizioni, gazetat, radioja dhe, mbi të gjitha, nga interneti dhe rrjetet sociale.
Mediat masive paraqesin më tepër sesa një kanal komunikimi. Si një pjesë e rëndësishme e procesit politik, ato jo vetëm që pasqyrojnë, por edhe ndikojnë në shpërndarjen e pushtetit në shoqëri.
Prandaj, ju jeni më shumë pjesë e lajmeve sesa thjesht gazetarë. Shumica prej juve zgjidhin të veprojnë, jo të shikojnë. Pra, sa herë që flasim për gazetarinë, në të vërtetë po flasim për mënyrën se si njerëzit përpiqen të krijojnë një shoqëri të mirë.
Mediat kanë grumbulluar aq shumë fuqi ekonomike dhe tregu sa asnjë qeveri nuk mund t’i injorojë ato.
Në fakt, teoritë/konceptet kundërshtare ofrojnë pikëpamje të ndryshme mbi ndikimin politik të mediave: modeli pluralist – e portretizon mediat si formalisht të pavarur nga qeveria në ofrimin e një “qytetarie të informuar”; modeli i ideologjisë dominuese – e portretizon mediat masive si të përafruar me interesat e elitave sociale dhe ekonomike; modeli i vlerave të elitës – e zhvendos vëmendjen nga pronësia në një mekanizëm përmes të cilit kontrollohet prodhimi i mediave; modeli i tregut përmes të cilit mediat private janë kryesisht të orientuara drejt fitimit dhe të interesuara.
Për mua, një shtyp i lirë është një nga karakteristikat kryesore të demokracisë: duke nxitur debatin publik dhe angazhimin politik; duke vepruar si “mbikëqyrës publikë”; duke rishpërndarë pushtetin; si një mekanizëm përmes të cilit demokracia mund të funksionojë.
Ju jeni agjentë të edukimit politik, duke mundësuar debatin politik dhe duke ofruar forumin qytetar midis akademikëve, udhëheqësve të biznesit, sindikatave, përfaqësuesve të grupeve të interesit, lobistëve ose vetë publikut, të cilët mund të shprehin mendime me anë të telefonit: në programe, “dhoma e bisedave”, blogjet në internet e kështu me radhë.
Roli i “mbikëqyrësit” mund të kryhet në mënyrë efektive nëse gazetarët janë vërtet të pavarur dhe jo të dominuar nga qeveria. Vetëm atëherë mund të shqyrtoni aktivitetet e saj dhe të zbuloni abuzimet me pushtetin.
Mediat dhe JU – gazetarët – promovoni demokracinë duke zgjeruar shpërndarjen e pushtetit dhe ndikimin politik në shoqëri. Si? Përmes kapaciteteve “të reja” të mediave për të rritur aksesin në informacion dhe shkëmbimin e informacionit. Qasja më e lehtë në informacion ka fuqizuar aktorët jo-shtetërorë, OJQ-të dhe grupet e mendimit, duke sfiduar kështu veprimet e qeverisë.
Teknologjia e re ofron zgjerim të pjesëmarrjes së qytetarëve përmes “e-demokracisë”, kiberdemokracisë, demokracisë elektronike.
Por, nuk duhet të harrojmë ose injorojmë disa rezerva në lidhje me aftësinë e mediave masive për të ofruar demokraci efektive. Larg nga ofrimi i një game të gjerë dhe të ekuilibruar të pikëpamjeve politike për qytetarët, përmbajtja e mediave masive karakterizohet nga paragjykimi politik. Për më tepër, mediat masive nuk i nënshtrohen llogaridhënies publike.
Ato janë shembull klasik i “pushtetit pa llogaridhënie”. Pavarësisht se sa të informuar janë gazetarët dhe sa të bazuara mbi fakte janë pikëpamjet e tyre, edhe nëse janë “zëri i popullit”, profesionistët e mediave përfaqësojnë vetëm veten e tyre.
Ekzistojnë arsye për të dyshuar në pavarësinë e mediave nga qeveria. Shpesh ekziston marrëdhënie simbiotike midis profesionistëve të mediave dhe elitës politike.
Duhet të kujtojmë se qeveria dhe mediat masive nuk janë gjithmonë forca kundërshtare. Këto të fundit shpesh janë kontrolluar, drejtpërdrejt ose tërthorazi, dhe janë përdorur si formë e makinës së propagandës.
Prezantimi i favorshëm i informacionit dhe politikave, ose ajo që quhet “spin”, u bë preokupim i madh i qeverive moderne.
Arti i spin-it, i praktikuar nga spin doktorët, ka shumë aspekte: kontroll i kujdesshëm i informacionit, kontroll i burimeve të informacionit, shfrytëzim i rrjedhjeve të informacionit…
Mediat nuk kanë qenë lojtare të pavullnetshme ose pasive në zhvillimin e menaxhimit të lajmeve.
Mediat masive kanë nevojë nga qeveria aq sa qeveria ka nevojë për mediat masive. Qeveria ka qenë gjithmonë burim i rëndësishëm i lajmeve dhe informacioneve. Roli i saj është bërë më i rëndësishëm.
Në disa raste, botuesit, redaktorët dhe gazetarët komplotojnë me spin doctorët për të menaxhuar lajmet, gjë që është në përfitimin e tyre të ndërsjellë.
Por a ka një jetë të vërtetë publike pa një qytetari të informuar? A mund të jetë demokracia diçka më shumë sesa procedurë formale nëse qytetarët nuk kanë qasje në informacion të verifikuar, nëse nuk mund të dallojnë faktet nga narrativat e ndërtuara, argumentet nga propaganda dhe të vërtetën nga gënjeshtra? Sipas mendimit tim, ky është pikërisht thelbi i gazetarisë – roli i saj i pazëvendësueshëm në bërjen e hapësirës publike të arritshme për dijen, kritikën dhe gjykimin e lirë.
Teknologjitë digjitale kanë ndryshuar vetë mënyrën se si e përjetojmë botën. Mjetet u ndryshuan, por nevoja demokratike ka mbetur e njëjtë: që njerëzit të dinë, të kuptojnë dhe të formojnë mendimet e tyre. Prandaj, gazetaria nuk është vetëm kronika e ngjarjeve, por edhe dëshmia e zhvillimit civilizues të së drejtës së publikut për t’u informuar.
Por informimi nuk ka qenë kurrë vetëm çështje transmetimi të dhënash. Ai gjithashtu nënkupton një zgjidhje: çfarë do të konsiderohet e rëndësishme, kush do të ketë mundësinë të flasë, cila ngjarje do të vihet në plan të parë dhe cila do të mbetet në margjina. Mediat nuk krijojnë realitetin, por marrin pjesë në formësimin e imazhit të tij publik. Ato ndikojnë në çështjet për të cilat mendojmë, rëndësinë që u japim atyre dhe mënyrën se si i interpretojmë proceset shoqërore.
Nuk është rastësi që pushteti politik është përpjekur gjithmonë të ndikojë mbi sferën mediatike – ndonjëherë përmes kontrollit, ndonjëherë përmes presionit, dhe sot, gjithnjë e më shumë, duke anashkaluar gazetarinë tradicionale dhe duke iu drejtuar publikut drejtpërdrejt. Por gazetaria nuk duhet të paraqesë as zgjatim i pushtetit dhe as kundërshtari i tij i paracaktuar. Detyra e saj është të shqyrtojë në mënyrë kritike çdo formë të pushtetit, përfshirë ndikimin e vet.
Në epokën e “videokracisë” dhe demokracisë së spektaklit, kjo përgjegjësi merr një dimension edhe më të thellë. Imazhet zëvendësojnë gjithnjë e më shumë shpjegimin, përshtypjet kalimtare shtypin kontekstin më të gjerë dhe algoritmet bëhen ndërmjetës midis ngjarjeve dhe qytetarëve. Inteligjenca artificiale hap mundësi të jashtëzakonshme, por në të njëjtën kohë ngre pyetje të reja në lidhje me vërtetësinë, autorësinë dhe besueshmërinë e informacionit. Sipas një sondazhi të Institutit Reuters të vitit 2026, rrjetet sociale dhe platformat e videove janë bërë burimi global më i përdorur i lajmeve për herë të parë, ndërsa besimi në lajmet është në 37%. A nuk është një nga paradokset e mëdha të kohës sonë që informacioni nuk ka qenë kurrë më i arritshëm, ndërsa besimi në të ndoshta nuk ka qenë kurrë më i brishtë?
Por pas çdo informacioni qëndron një person – ai që e krijon atë. Gazetarët raportojnë nga vendi i ngjarjeve të aksidenteve, zjarreve, konflikteve të armatosura dhe tragjedive njerëzore, shpesh të ekspozuar ndaj rreziqeve që nuk mund të parashikohen dhe as të kontrollohen. Sipas Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve, 128 gazetarë dhe punonjës të mediave vdiqën në vitin 2025, me 9 prej këtyre vdekjeve të klasifikuara si aksidente. Statistikat nuk mund t’i kapin plotësisht pasojat e padukshme të këtij profesioni: barrën psikologjike të ekspozimit të vazhdueshëm ndaj ngjarjeve traumatike, kërcënimeve, lodhjes, kushteve të pasigurta të punës dhe afateve të pamëshirshme. Nuk duhet ta romantizojmë profesionin e gazetarisë deri në atë pikë sa të lëmë pas dore kushtet në të cilat kryhet.
Liria e mediave nënkupton gjithashtu siguri, dinjitet, autonomi profesionale dhe pavarësi ekonomike për gazetarët.
Prandaj, dëshiroj të theksoj se gazetaria e përgjegjshme nuk njihet vetëm nga aftësia për të ekspozuar gabimet e të tjerëve, por edhe nga gatishmëria për të vënë në pikëpyetje veten. Shpejtësia mund të paraqesë avantazh teknologjik, por saktësia mbetet detyrim profesional. Gazetaria kritike nuk është sinonim i paragjykimit, ashtu si liria e shprehjes nuk e shfuqizon përgjegjësinë për atë që thuhet ose publikohet.
Sot, kur sfera publike është e ekspozuar ndaj presioneve politike, ekonomike dhe teknologjike, gazetaria ka nevojë për guxim, por edhe për njohuri; pavarësi, por edhe për vetëkritikë; liri, por edhe për standarde profesionale. Pa media të lira dhe të përgjegjshme, nuk ka njerëz të informuar; dhe pa një popull të informuar, demokracia rrezikon të bëhet një formë boshe, pa thelbin e saj.
Në fund të fundit, ndoshta pyetja më e rëndësishme nuk është vetëm se çfarë lloj mediaje dëshirojmë, por çfarë lloj shoqërie dëshirojmë të bëhemi. Një shoqëri në të cilën informacionet paraqesin instrument manipulimi, apo një shoqëri në të cilën paraqesin parakusht për gjykim të lirë? Një shoqëri në të cilën zhurma zëvendëson argumentin, apo një shoqëri në të cilën e vërteta ka përparësi ndaj sensacionit?
Unë besoj se përgjigjet e këtyre pyetjeve do të përcaktojnë edhe të ardhmen e gazetarisë. Gazetarët janë vëzhgues të kohës në të cilën jetojmë. Ata janë dëshmitarët e saj, interpretuesit dhe, në një masë të madhe, rojtarët e kujtesës publike. Dhe një shoqëri që nuk arrin të ruajë të vërtetën rreth kohës së vet rrezikon të humbasë aftësinë për të formësuar të ardhmen e saj.
Ju faleminderit.






