Presidentja Gordana Siljanovska Davkova sot mbajti fjalim në panel diskutimin me temë “Siguria dhe Rezistenca – kërcënime tradicionale dhe të reja”, në kuadër të Takimit të Shtatë të Komunitetit Politik Europian, që po mbahet në Kopenhagë, Danimarkë.
Duke përmendur luftën në Ukrainë, konfliktin në Lindjen e Mesme dhe kërcënimet transnacionale, përkatësisht krimin e organizuar, migrimin e paligjshëm, sulmet kibernetike dhe keqpërdorimin e inteligjencës artificiale, si sfida për paqen dhe stabilitetin e Europës, Presidentja Siljanovska Davkova theksoi se vendi po bën përpjekje për të vepruar në mënyrë konstruktive në të gjitha rastet e lartpërmendura.
Njëkohësisht, ajo potencoi se kontinenti europian nuk mund të jetë i sigurt derisa vendet e Ballkanit Perëndimor janë jashtë BE-së dhe derisa eurointegrimi i rajonit duhet të bazohet veçanërisht mbi kriteret e Kopenhagës.
Sa i përket rrugës së integrimit europian të Maqedonisë, Presidentja Siljanovska Davkova theksoi se nuk është logjike që BE-ja ta përkufizojë veten si një “unitet diversiteti” dhe respektim i identiteteve kulturore, gjuhësore dhe kombëtare, ndërkohë prej neve të kërkojë që të negociojmë për historinë, kulturën dhe gjuhën.
Prandaj, Presidentja Siljanovska Davkova në fjalimin e saj, përfundoi se ” Nëse BE-ja dëshiron të jetë një bashkim gjeopolitik, nuk duhet ta lërë Ballkanin Perëndimor në një vakum gjeopolitik”.
Presidentja Siljanovska Davkova mori pjesë gjithashtu edhe në aktivitetin e organizuar nga Presidenti Francez Emmanuel Macron dhe Kryeministrja Italiane Giorgia Meloni me rastin e prezantimit të iniciativës së Republikës Franceze për ta formuar Koalicionin Europian Kundër Drogës (ECAD).
Në kuadër të diskutimit, Presidentja Siljanovska Davkova theksoi se unitetit të karteleve duhet t’i përgjigjet me unitet dhe bashkëpunim më të fortë të vendeve europiane dhe se kjo është e mundur vetëm me integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE.
Në vazhdim është teksti i plotë i fjalimit të Presidentes Gordana Siljanovska Davkova në panel diskutimin e mësipërm.
Të nderuar shkëlqesi,
Zonja dhe zotërinj,
Jemi mbledhur këtu për të gjetur zgjidhje të përbashkëta se si Europa dhe vendet tona mund të mbeten të sigurta dhe të lira.
Paqja dhe siguria në Europë po përballen me një provë të trefishtë: lufta në Ukrainë ka sjellë luftën në shkallë të plotë përsëri në kontinentin tonë. Konflikti në Lindjen e Mesme po nxit paqëndrueshmërinë përmes kthimit të luftëtarëve të huaj që po përhapin radikalizimin në rajonin tonë. Kërcënimet transnacionale, të tilla si krimi i organizuar, migrimi i paligjshëm, sulmet kibernetike dhe keqpërdorimi i inteligjencës artificiale, po ushtrojnë presion mbi proceset dhe institucionet tona demokratike.
Në të tri rastet, ne jemi konstruktivë. Ne ofrojmë mbështetje diplomatike, mbrojtëse dhe humanitare për Ukrainën dhe dënojmë fuqimisht provokimet kundër Polonisë, Rumanisë, Estonisë dhe Danimarkës. Ne po luftojmë ekstremizmin dhe format e shtrembëruara të fesë përmes shkëmbimit të informacionit, deradikalizimit dhe parandalimit; po trajtojmë kërcënimet transnacionale, po menaxhojmë migrimin e paligjshëm, siç bëmë gjatë krizës së emigrantëve të viteve 2015-2016; dhe po investojmë në sigurinë kibernetike. Sot, ne mbështesim koalicionin anti-drogë të bashkësisë politike europiane.
Por, puna duhet të vazhdojë. Europa nuk mund të jetë plotësisht e sigurt për sa kohë që Ballkani Perëndimor është jashtë Bashkimit Europian. Dobësitë tona janë dobësi të Europës. Sidomos pas luftës në Ukrainë, BE-ja nuk mund të pretendojë seriozisht se po lufton kundër keqpërdorimit të informacionit nga shërbimet e huaja, kundër kërcënimeve hibride dhe ndërhyrjeve të jashtme në Europë, ndërkohë që e lë Ballkanin Perëndimor jashtë. Ashtu si mbreti në historinë e Hans Christian Andersenit që parakaloi me rroba të reja të padukshme, BE-ja rrezikon të mashtrojë veten nëse flet për unitet dhe rezistencë, duke e lënë vendin tim dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor të ekspozuar pikërisht ndaj këtyre kërcënimeve.
Jemi të vetëdijshëm se bashkësia politike europiane nuk ka të bëjë me zgjerimin, por me përfshirjen. Por përfshirja duhet të jetë e orientuar ndaj rezultateve.
Mënyra më efikase për të mbrojtur Ballkanin Perëndimor është rivendosja e pranimit bazuar mbi kredibilitetin dhe meritat, veçanërisht mbi kriteret e Kopenhagës. Kjo do të thotë t’i jepet fund bilateralizimit të integrimit, i cili zvogëlon rezistencën e rajonit dhe të Europës.
Pikërisht nga kjo duhet të fillojë vendi im. Kanë kaluar njëzet vjet të gjata që kur morëm statusin e kandidatit. Pavarësisht reformave të zbatuara vazhdimisht, pengesat politike të pajustifikuara vazhdojnë të bllokojnë progresin tonë dhe të gërryejnë besimin e publikut në zgjerim.
Kushti i fundit i BE-së për fillimin e negociatave është ndryshimi i Kushtetutës sonë. Kushtetuta, si lex superior dhe kontrata sociale e Ruso-së midis qytetarëve, nuk mund të diktohet nga fqinjët tanë ose nga BE-ja.
Më tej, kushtëzimi i negociatave me ndryshime kushtetuese rihap çështjet historike, kulturore dhe gjuhësore që tashmë janë zgjidhur nga Marrëveshja e Prespës me Greqinë dhe është në kundërshtim me parimin pacta sunt servanda, pasi Marrëveshja me Bullgarinë nuk parashikon ndryshime kushtetuese. Fokusi ynë duhet të jetë te reformat, digjitalizimi dhe inteligjenca artificiale, jo te mosmarrëveshjet e shekullit të 19-të.
Në fund, BE-ja e përcakton veten si “unitet i diversiteteve”, përkushtuar ndaj respektimit të identiteteve kulturore, gjuhësore dhe kombëtare. Si mund t’i kërkojë atëherë një vendi kandidat t’i rinegociojë historinë, kulturën dhe gjuhën e tij me një shtet anëtar të BE-së? Ndryshimet e shpeshta kushtetuese të frymëzuara nga jashtë, deri më tani 36 në numër, paraqesin rrezik për pezullimin e demokracisë parlamentare. Skema të tilla nuk janë një hap drejt reformës, por një shenjë brishtësie.
Pavarësisht këtyre pengesave, integrimi europian mbetet frymëzimi dhe aspirata jonë më e madhe strategjike. Qytetarët maqedonas dëshirojnë një të ardhme europiane. Përputhja jonë 100% me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, duke përfshirë mbështetjen për Ukrainën, është një zgjedhje strategjike dhe parimore. Edhe pse nuk jemi anëtar të BE-së, jemi gati të kontribuojmë në arkitekturën e sigurisë së Europës. Jemi plotësisht të përgatitur për të hapur Grupin 1, Themelet, dhe tashmë po zbatojmë Agjendën e Reformës së Planit të Rritjes 2024-2027.
Por, siç ka theksuar Presidenti i Komisionit Europian, Bashkimi Europian duhet të thyejë armaturën e konsensusit sa më shpejt të jetë e mundur nëse dëshiron ta përfundojë ribashkimin e Europës dhe të bëhet përsëri një faktor gjeopolitik.
Më lejoni të përfundoj me sa vijon. Nëse BE-ja dëshiron të jetë një bashkim gjeopolitik, nuk duhet ta lërë Ballkanin Perëndimor në një vakum gjeopolitik.
Ju faleminderit.