Presidentja Gordana Siljanovska Davkova zhvilloi një takim lamtumirës me Xheri Dibl, përfaqësuese e USAID-it në vend, ku mori pjesë edhe Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anxhela Ageler.
Duke falënderuar Dibl për angazhimin dhe kontributin e saj të përkushtuar në avancimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit midis dy vendeve mike, Presidentja Siljanovska Davkova theksoi se programet dhe projektet e ndryshme amerikane të bashkëpunimit kanë lënë një gjurmë të dukshme në vend. Një pjesë e zhvillimit tonë në shumë fusha, siç ka shtuar ajo, është falë fondeve të USAID-it dhe për këtë arsye vendi pret që projektet e nisura të përfundojnë.
Presidentja Siljanovska Davkova konfirmoi gatishmërinë për zgjerim të mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale dhe për thellim të miqësisë maqedonase-amerikane, duke pasur parasysh faktin se me Shtetet e Bashkuara si partneri ynë strategjik, kemi potenciale të pashfrytëzuara për forcimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat, veçanërisht në ekonominë.
Duke diskutuar për procesin e integrimit europian të Maqedonisë, Presidentja Siljanovska Davkova shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe besimin se me ndihmën e administratës së re, do ta zgjerojnë dhe thellojnë bashkëpunimin ekonomik.
Në këtë takim, Dibl potencoi se gjatë 30 viteve të fundit, përmes projekteve të shumta, USAID ka investuar 900 milionë dollarë në vend. Duke marrë parasysh shkurtimet e fundit në fondet e ndihmës, ajo vuri në dukje se së bashku me Ambasadën e SHBA-së dhe me donatorët e tjerë, do të përpiqen të gjejnë mënyrën e zbatimit të projekteve dhe aktiviteteve që kanë filluar, në mënyrë që të mos humbasin përfitimet e deritanishme prej tyre.
Ambasadorja Ageler shprehu zhgënjim që Zyra e USAID-it në vend po mbyllet dhe theksoi se Ambasada, së bashku me Qeverinë dhe partnerët e tjerë, do të vazhdojë me përpjekjet për finalizimin e programeve tashmë të filluara.