Presidentja Gordana Siljanovska Davkova në margjinat e Forumit Ndërkombëtar të Astanës në Kazakistan u takua me ish-Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara dhe kryetarin aktual të Këshillit të Institutit Global të Rritjes së Gjelbër, Ban Ki Mun, ish-kryetarin e Konferencës së Sigurisë të Munihut, Kristof Hojsgen, si dhe me Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të BE-së për Çështjet e Rinisë, Felipe Polie.
Në takimin me Ban Ki Mun, u diskutua për parimet dhe rregullat ndërkombëtare mbi të cilat bazohet Organizata Botërore dhe se ato çështje duhet të paraqesin bazë për zgjidhjen e të gjitha konflikteve dhe kontesteve me të cilat përballet bota, ndërsa shtetet e vogla dhe të mesme duhet të kenë rolin e barabartë në krijimin e së ardhmes së rendit ndërkombëtar.
Presidentja Siljanovska Davkova potencoi përpjekjet e Institutit Global të Rritjes së Gjelbër (GGGI), si dhe vizionin e tij për tranzicion global, që integron zhvillimin ekonomik, uljen e varfërisë, inkluzionin social dhe qëndrueshmërinë ekologjike.
Duke theksuar se vendi është i përkushtuar mbi integrimin e Qëllimeve të zhvillimit të qëndrueshëm në strategjitë nacionale, Presidentja Siljanovska Davkova potencoi se së bashku me Zyrën e OKB-së punohen në përgatitjen e dokumenteve kyçe strategjike, duke përfshirë edhe Kornizën e Bashkëpunimit për Zhvillim të Qëndrueshëm (SDCF) 2026-2030.
Duke iu referuar sfidave klimatike, presidentja Siljanovska Davkova potencoi se ne si vend po ndërmarrim hapa të guximshëm, duke pasur parasysh veçanërisht vendndodhjen tonë në një prej rajoneve më të prekshme në botë, Mesdheun.
Presidentja Siljanovska Davkova potencoi se me Ligjin e Veprimit Klimatik, vendi përshpejton tranzicionin e gjelbër, ndërsa paralelisht nga BE-ja kërkojmë qasje të vazhdueshme sa i përket financimit klimatik, pavarësisht statusit në progresin e integrimit europian.
Në takimin me ish-kryetarin e Konferencës së Sigurisë së Munihut, Kristof Hojsgen, Presidentja Siljanovska Davkova shprehu mirënjohje për mbështetjen e tij dhe theksoi se një prej prioriteteve kryesore të politikës së jashtme të shtetit mbetet ruajtja e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
Duke shtuar se zgjerimi i BE-së nuk është vetëm çështje politike dhe ekonomike, por edhe çështje sigurie, Presidentja Siljanovska Davkova theksoi se me anëtarësimin në BE do të ulet polarizimi shoqëror, do të përforcohet kohezioni social, duke i bërë shoqërinë dhe institucionet tona më rezistente ndaj të gjitha formave të ndikimit të jashtëm.
Diplomati gjerman shprehu pikëpamje të dobishme për gjetjen e zgjidhjes me të cilën mund të tejkalohet bllokimi i integrimit europian të Maqedonisë duke respektuar parimet dhe vlerat themelore mbi të cilat bazohet Bashkimi Europian.
Në takimin me Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-ve për Çështjet e Rinisë, Presidentja Siljanovska Davkova potencoi aktivitetet e organizatës botërore lidhur me të rinjtë dhe planet për këtë rajon.
Duke theksuar se Strategjia Youth2030 është pikë kthese, strategjia e parë sistematike e OKB-së për të rinjtë, me të cilën demonstrohet përkushtimi institucional për zgjidhje të koordinuar të sfidave të të rinjve, Presidentja Siljanovska Davkova theksoi rëndësinë e themelimit të Këshillit të të Rinjve, nën kujdesin e saj, që paraqet nxitje për përfshirje më të madhe të të rinjve në proceset shoqërore.